Kërko

 La Croce di Gesù La Croce di Gesù 

Më 29 tetor kalendari përkujton shën Ermelindën, virgjër

Ermelinda që e re, vendosi të mos pranonte asnjë propozim për martesë dhe hoqi dorë nga pasuria e salltaneti i familjes. Në kërkim të vetmisë, heshtjes e lutjes, u ndalua në fshatin Boveshën, ku jetojë si rregulltare, duke shkuar në Kishë natën me këmbët e zbathura.

R.SH. - Vatikan

Shën Ermelinda, virgjër, lindi në Lovenjul të Brabantit, në Belgjikën e sotme. Ishte bijë e Ermeonoldos dhe Armensindës, të lidhur me familjen e fuqishme Pipini. Që e re, vendosi të mos pranonte asnjë propozim për martesë dhe hoqi dorë nga pasuria e salltaneti i familjes. Iku nga shtëpia, në kërkim të vetmisë e të heshtjes, derisa u ndalua në fshatin Boveshën, ku nisi të jetojë si rregulltare, duke shkuar në Kishë natën me këmbët e zbathura.

Iu desh t’u kundërshtonte të vëllezërve, zotërinj të vendit, që vendosën ta detyrojnë të kthehet në shtëpi. E ndoqën një natë kur shkonte në Kishë por, në sa po e kapnin, një engjëll e lajmëroi për qëllimin e tyre e ajo mundi të ikte. U nis për në Meldert, ku vdiq 48 vjeçe në fund të shekullit VI.

Nisi të nderohej si shenjte posaçërisht në Lovenjul e Meldert. Në Lovenjul, në trojet e familjes së saj, gurroi një burim i mrekullueshëm, ujët e të cilit shëronte sëmundjet e syve. Besimtarët e quajtën ‘Burimi i Shën Ermelindës’. Në Meldert, ku u varros e u zhvarros disa herë, për shkak të trazirave të kohëve, kulti i saj u bë edhe më popullor, madje aty u themelua edhe një bashkëvëllezëri kushtuar Shenjtes.

Emri Ermelinda është shumë i përhapur në të gjithë Evropën, edhe në format e shkurtuara Linda e Inda. Ky emër është me zanafillë gjermane: përbëhet nga fjalët Erme ‘i fuqishëm’ dhe ‘linta’ mburojë’, pra do të thotë ‘mburoja e të fuqishmit’.

29 tetor 2019, 12:05