Kërko

Vatican News
Santi Simone e Giuda Taddeo Santi Simone e Giuda Taddeo  (© Musei Vaticani)

Më 28 tetor kalendari përkujton Apostujt Simon Kananeun e Juda Tadeun

Apostujt Simon Kananeun e Juda Tadeun Kisha i përkujton në të njëjtën ditë. Zoti ynë Jezu Krishti caktoi udhëheqësit, mësuesit e botës dhe përhapësit e mistereve të tij hyjnore. Deshi që ata të shkëlqenin si pishtarë e të ndriçonin jo vetëm viset e Judenjve, por mbarë botën. Apostujt e Krishtit qenë shtyllat dhe themelet e së vërtetës. Këtë bindje, që e kanë të krishterët, posaçërisht të krishterët e bashkësive të para, shumë prej të cilëve u pagëzuan drejtpërdrejtë nga apostujt.

R.SH. - Vatikan

Kisha katolike i përkujton në të njëjtën ditë Apostujt Simon Kananeun e Juda Tadeun. Zoti ynë Jezu Krishti caktoi udhëheqësit, mësuesit e botës dhe përhapësit e mistereve të tij hyjnore. Deshi që ata të shkëlqenin si pishtarë e të ndriçonin jo vetëm viset e Judenjve, por mbarë botën. Apostujt e Krishtit qenë shtyllat dhe themelet e së vërtetës.

Këtë bindje, që e kanë të gjithë të krishterët, e patën posaçërisht të krishterët e bashkësive të para, shumë prej të cilëve u pagëzuan drejtpërdrejtë nga apostujt. Apostuj ishin edhe Juda e Simoni, të cilët Kisha katolike i përkujton në të njëjtën ditë. Simoni mbiquhej "kananeu" ose "zelota" do me thënë "zelltari", për të treguar se bënte pjesë në krahun më të skajshëm të grupimit fetar hebraik. Në listën e apostujve, hartuar nga Shën Mateu ungjilltar, ai zë vendin e dhjetë.

Kisha përkujtoi sot edhe Judën. Natyrisht nuk është fjala as për Judën Makabe, të Testamentit të Vjetër e as për Judën Iskariot, të Testamentit të Ri, atë që tradhtoi Krishtin.

Fjala është për Judën Apostull e Shenjtor. Emri Judë në kohën e Krishtit ishte shumë i përhapur ndër Judenj. Sipas historianit Niçefor Kalisti, Juda Apostull, pajtor i njerëzve që ndodhen në situata të dëshpëruara, ungjillëzues i Palestinës, Sirisë e ndoshta edhe i Mesopotamisë, u varros në Persi.

Pra, Simon Kananeu e Juda Tadeu, apostuj, na kujtojnë se Jezu Krishti i zgjodhi nxënësit dhe bashkëpunëtorët e vet nga shtresa të ndryshme shoqërore e fetare, pas bërë asnjë përjashtim, sepse Atij i interesojnë njerëzit, jo kategoritë shoqërore apo etiketat. Ishte Jezusi që i bashkonte, që i bënte ta ndjenin veten si një njeri i vetëm. E ky është një mësim i vërtetë për ne, që shpesh kemi prirjen të nënvizojmë ndryshimet e ndoshta edhe kundërshtimet, duke harruar se në Jezu Krishtin na jepet forca për t’i zgjidhur konfliktet tona.

28 tetor 2019, 11:08