Kërko

Anima di cristo Anima di cristo 

Me 26 tetor, kalendari përkujton shën Dhimitrin, martir

Predikues i flaktë i Ungjillit, ushtar i patrembur i besimit të krishterë, me një veprimtari bamirëse dhe popullaritet të madh, Shën Dhimitri ishte shtyllë për të krishterët e Selanikut. Ai është një nga shenjtorët më të nderuar në Lindjen e krishterë, që kujtohet nga Martiriologu Romak.

R.SH. - Vatikan

Shën Dhimitri, martir, ishte nga Selaniku dhe jetoi në kohën e perandorit Dioklecian. Predikues i flaktë i Ungjillit, ushtar i patrembur i besimit të krishterë, me një veprimtari bamirëse dhe popullaritet të madh, Shën Dhimitri ishte shtyllë për të krishterët e Selanikut. Ai është një nga shenjtorët më të nderuar në Lindjen e krishterë, që kujtohet nga Martiriologu Romak.

Të dhënat historike për jetën dhe martirizimin e tij janë të pakta e kontradiktore. Kishat ortodokse e quajnë “Megalomartire” – “Martir i madh” dhe e kremtojnë më 26 tetor. Pa marrë parasysh gojëdhënat e shumta, që e lidhin fundin e tij me Selanikun, ka shumë mundësi që Shën Dhimitri të jetë martirizuar në Sirmio, Sremska Mitrovicën e sotme në Vojvodinë, ku ai mund të ketë qenë diakon aty nga fundi i shekullit IV.

Ka mundësi edhe që kulti i martirit të jetë përhapur përtej kufijve të qytetit të tij kur Leonci, prefekt i Ilirikut, caktoi si seli të vetën Selanikun e sotëm në provincën greke të Maqedonisë. Me sa duket, ishte ai që ndërtoi dy kisha të mëdha për nder të Shenjtit ndër të dy qytetet që kujtuam më sipër.
Nuk ka dyshim se Shën Dhimitri nisi të nderohej më parë në Sirmio, pastaj në Selanik. Por pas shkatërrimit të Sirmit, rreth vitit 441, Selaniku u bë qendra e re e vetme e kultit të Martirit dhe vend i njohur shtegtimesh. Ka shumë mundësi që reliket e tij të jenë mbartur këtu rreth viti 418, ndonëse sot nuk ka asnjë provë që ta vërtetojë këtë.

Historikisht mund të themi me siguri vetëm se kemi të bëjmë me një martir të krishterë me emrin Dhimitër, që kujtohet në liturgjinë bizantine e festohet posaçërisht ndër kishat Lindore. Bazilika maqedone kushtuar shenjtit, e djegur në vitin 1917, ishte e zbukuruar me mozaikë të çmuar, të realizuar në mijëvjeçarin e parë të krishterimit, ndër të cilat Dhimitri paraqitej me veshje diakonale, ndonëse zakonisht paraqitet i veshur si ushtar.

Emri Dhimitër është shumë i përhapur në Shqipërinë e jugut e ndërmjet arbëreshëve. Kujtojmë se fshati i njohur arbëresh Shën Demetrio Corone apo shkurtimisht Shën Mitri, seli e Kolegjit të Shën Adrianit, ka si pajtor pikërisht Shën Dhimitrin.

26 tetor 2019, 09:57