Shën Margarita Maria Alakok Shën Margarita Maria Alakok 

Më 16 tetor kalendari kishtar kujton Shën Margaritën Maria Alakok

Rrënja e përshpirtërisë së Zemrës së Krishtit është në Ungjillin e Gjonit, kur një ushtar romak, pas kryqëzimit e vdekjes së Jezusit, e shporoi me heshtë, duke ia çarë kraharorin e duke hapur kështu një dritare mbi Zemrën e Birit të mishëruar të Hyjit. Të gjitha këto na i tregon, Shën Margarita, përmes përvojës asketike.

R.SH. - Vatikan

Më 16 tetor kalendari kishtar kujton Shën Margaritën Maria Alakok.  E lindur në Borgonjë të Francës në vitin 1647, Margerita pati një jetë të vështirë. Pa u rritur mirë, iu desh t’u kundërvihej prindërve, për të hyrë në Urdhërin e Vizitacionit, themeluar nga Shën Françesku i Sales. Megjithatë, ia doli mbanesh: u bë Motër Maria dhe jetoi 23 vjet në gjirin e motrave vizitantine, duke ia falur që në fillim jetën e vet Zemrës së Jezu Krishtit si flije për shëlbimin e njerëzimit. Simotrat e keqkuptuan, eprorët e gjykuan keq e deri drejtuesit shpirtëror në fillim nuk deshën t’i besonin. Menduan se ishte një vegimtare fanatike pikërisht ajo, nga e cila do të lindte një devocion i ri, devocioni për Zemrën e Krishtit, i përhapur në botën mbarë që prej katër shekujsh.

Cila është simbolika e “Zemrës së shenjtë të Krishtit?”
Devocioni për Zemrën e Krishtit, më tepër se devocion, është përshpirtëri. Është simbol që na tregon se Zoti është dashuri, se Zoti – siç shkruan Benedikti XVI në enciklikën e tij të parë “Deus Caritas est” – është i pasur me mëshirë. Ky, në një botë kaq të tronditur nga urrejtjet e konfliktet, është mesazh tepër aktual e jashtëzakonisht ndërtimtar.

Si lindi ky devocion?
Devocioni për Zemrën e Krishtit lindi në gjysmën e dytë të gjashtëqindës në Parej-le-Monial, përmes veprimtarisë së Shën Margeritës Maria Alakok. Kjo mistike dha një ndihmesë themelore për përhapjen e devocionit të Zemrës së Krishtit, së bashku me Shën Klaudin de La Colombierë. Por edhe para saj, Shën Katerina nga Siena si dhe mistikët fiamingë, patën folur për Zemrën e Krishtit, provuan përvojën e pranisë së kësaj Zemre Hyjnore dhe ia përcollën këtë përvojë njerëzimit me fjalë mahnitëse. Kisha na mëson se rrënja e devocionit të përshpirtërisë së Zemrës së Krishtit është në Ungjillin e Gjonit, e pikërisht në skenën, në të cilën një ushtar romak, pas kryqëzimit e vdekjes së Jezusit, kur Krishti ishte akoma në kryq, e shporoi me shtizë, duke ia çarë kraharorin e duke hapur kështu një dritare mbi Zemrën e Birit të mishëruar të Hyjit.

Ndoshta fjala nuk është e përshtatshme, por sidoqoftë e vë në pah idenë: ç‘përfitim shpirtëror kemi nga ky devocion?
Përfitimi i parë që kemi është se krijojmë një përfytyrim më të drejtë për Zotin, për Jezusin e për jetën e krishterë. Të kuptosh se Zoti është dashuri, do të thotë t’i kapërcesh format e sëmura të druajtjes; themi të sëmura, sepsè ka edhe një druajtje shumë të shëndoshë; pra, të kapërcesh një farë frike, një farë distance që nuk është e përshtatshme, që Zoti nuk e do nga ne. E kam fjalën për formalizmin, për ndjekjen e praktikave të rëndësishme fetare, si të ishin një taksë, që duhet paguar, një lejekalimi, për të qenë në rregull me Zotin. Po kjo nuk është rruga e vërtetë e fesë, nuk është miqësia e vërtetë me Zotin!

Devocioni i Zemrës së Krishtit është i lidhur ngushtë edhe me Apostullimin e Uratës.
Përshpirtëria e Zemrës së Krishtit është pikërisht në qendër të Apostullimit të Uratës. E ka qenë që në fillimet e këtij devocioni, që i fton të gjithë besimtarët të mblidhen rreth “Asaj Zemre, që aq fort i deshi njerëzit” – fjalë këto që Zoti ia tha në një nga vegimet Shenjtes Margarita Maria Alakok e që u bë moto e devocionit për Zemrën e Jezu Krishtit. 

16 tetor 2019, 12:07