San Calisto I, Basilica di san Paolo fuori le mura San Calisto I, Basilica di san Paolo fuori le mura 

Më 14 tetor kalendari kishtar përkujton Shën Kalistin I, Papë

Papa Kalisti vdiq si martir. U hodh në një pus të Trasteverit, gjatë një kryengritjeje kundër të krishterëve, në vitin 222. Trupi i tij u varros përtej Lumit, gjatë rrugës Aurelia, larg nga katakombet, që i pati hapur në rrugën Apia e që ruajnë emrin e Shën Kalistit, por jo reliket e tij.

R.SH. - Vatikan

Në Romë janë të njohura katakombet e Shën Kalistit I, gjatë rrugës Apia. Ndërmjet shumë varreve të nëndheshme të Qytetit të Amshuar, këto të Shën Kalistit janë më të vizituarat, të famshme posaçërisht për ‘Kriptën e Papëve’.  Por ndërmjet shumë martirëve e papëve, që pushojnë në paqe në këtë vend, shtegtari e kërkon më kot varrin e Kalistit I. Ai, që i dha emrin këtyre katakombeve, që shënohet sot në kalendarin e Kishës katolike e që nderohet si martir, nuk është aty.

Fati i këtij Shenjti, Papë në fillimet e shekullit III, është vërtetë i çuditshëm. Në kohën e vet pati shumë kundërshtarë ndërmjet disidentëve të Romës, e pikërisht nga një shkrim i kryetarit të këtyre të krishterëve të përçarë, dmth nga një antipapë, i kemi pothuajse të gjitha të dhënat për Shën Kalistin. Natyrisht, duhen lexuar përmbys, sepse e paraqesin shenjtin si njeri plot me gabime, gati-gati të denjë për t’u urryer. Shkruhet se para se të bëhej papë, qe skllav e mashtrues. I ikur në Portugali, u arrestua e u mbart në Romë, ku u dënua të bënte punë të detyruar në minierat e Sardenjës.

Si u kthye në Romë, duke përfituar nga një amnisti, u dërgua në Ancio. Ndërkaq Papa Zefirini e thirri në Romë e i besoi kujdesin e varrezave të Kishës. Nisi kështu gërmimin e varrezës së madhe poshtë rrugës Apia, që mban edhe sot e kësaj dite emrin e tij. E, pas vdekjes së Zefirinit, u zgjodh papë e vijoi të kujdeset jo vetëm për shpirtrat e të vdekurve, por edhe për ato të të gjallëve.

Gjithsesi papnia e tij u pa me sy armiqësor nga një krah i bashkësisë së krishterë të Romës, e cila e akuzoi, pa të drejtë, për herezi. Qortohej për zell të paktë, ndërsa në një periudhë begatie, vendosi të agjërohet në Kohën e Katërt. Përflitej për mungesë ashpërsie disiplinore, sepse pranonte në Kishë mëkatarët e penduar e të krishterët që ishin ligështuar në kohë rreziku.

Por çfarëdo lloj reje e zezë që të jetë shtrirë mbi jetën e Shën Kalistit, u davarit me vdekjen e tij. Papa Kalisti vdiq si martir. U hodh në një pus të Trasteverit, gjatë një kryengritjeje kundër të krishterëve, në vitin 222. Trupi i tij u varros përtej Lumit, gjatë rrugës Aurelia, larg nga katakombet, që i pati hapur në rrugën Apia e që ruajnë emrin e Shën Kalistit, por jo reliket e tij.

14 tetor 2019, 08:56