IMG_4561.JPG

Përfundon vizita historike e Patriarkut Bartolomeu I në Ungër

Përfundon sot vizita e Patriarkut Ekumenik të Kostandinopojës në gjirin e bashkësitë katolike arbëreshe të ritit bizantin në Ungër, me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Eparkisë.

R.SH. - Vatikan

Përfundon sot vizita e Patriarkut Ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeut I, në Eparkinë (dioqezën) arbëreshe  të Ungrës (Lungro), në Kalabri. Kësaj Eparkie (dioqezë), seli e Kishës Katolike Bizantine Lindore në Itali, bashkon të gjitha komunitetet arbëreshe, që i mbetën besnikë traditës së të parëve e që ditën të pasurohen edhe me traditën kishtare të Romës, gjithmonë duke ruajtur identitetin kombëtar e shpirtëroro-kishtar.

Kujtojmë se, është absolutisht hera e parë që një Patriark Ekumenik i Kostandinopojës e viziton zyrtarisht komunitetin e arbëreshëve në Ungër, ku, për dy ditë, u takua me klerin, besimtarët, kremtoi së bashku me ta Liturgjinë Hyjnore, duke falënderuar Zotin  për Jubileun e 100-vjetorit të themelimit të Eparkisë nga Papa Benedikti XV, në vitin 1919 e duke lutur Zotin për fryte të begatshme shpirtërore, posaçërisht në udhën dhe dialogun ekumenik. Po më hollësisht nga Ungro të ndjekim shërbimin e Zef Chiaramonte, ta dëgjojmë....

Nga Ungro të ndjekim shërbimin e Zef Chiaramonte

U zhvillua, dje mbrëmë, dita e parë e vizitës së Patriarkut Bartolomeu të Kostandinopojës në gjirin e Kishës arbëreshe në Kalabri. Rasti i kësaj vizite tejet domethënëse është 100-vjetori i themelimit të Eparkisë se Ungrës për arbëreshët e Gadishullit Apeninë. Vizita ka nje rendesi të dores se pare, ngase ajo vendos një herë e mirë faktin që arbëreshët nuk janë uniatë, por besimtarë të traditës kishtare bizantine që, për arsye historike që dihen mirë, u shtrënguan të  braktisnin vendin e tyre, Shqipërinë dhe Greqinë e sotme, për të shpëtuar fenë e krishterë, gjuhën e zakonet arbëreshe, civilizimin dhe kulturën e lashtë arbërore.
Në fjalimin e tij Patriarku Bartolomeu i vlerësoi e mirënjohu të gjitha këto veçori të Arbëreshëve si edhe faktin se duke u lidhur me Papën e Romës, Arbëreshët e patën një mbrojtje të sigurt prej Selisë së Shenjtë, për të ruajtur kështu identitetin e traditat, pa e braktisur traditën orientale bizantine të të parëve të tyre. Sa për njohje, Patriarku u prit në Selinë e Eparkisë nga dhespoti 8 ipeshkvi) Imzot Donato, shoqëruar nga dhespoti i arbëreshëve të Sicilisë, Imzot Gjergji. Nga aty u nis procesioni per ne Katedrale ku Shenjtëria e tij  Bartolomeu kryesoi shërbesën e lutjes së mbrëmësores, gjatë së cilës u mbajtën edhe fjalimet a homelitë e rastit nga Dhespoti vendas dhe Patriarku. Sot vizita vazhdoi në qytetin e Rosanos, ku ruhet kodiku i purpurt RISSANENSIS, i shek. VII, bashkëkohës me kodikut BERATINUS 1, që ruhet në Arkivat e Shqipërisë ne Tirane. Në mbrëmje Patriarku do të vizitojë Kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitri Korone, ish qendër kulturore arbëreshe.

Nga Ungëri Zef Chiaramonte

19 shtator 2019, 15:27