Nënë Tereza e marrëdhëniet e veçanta me Papët e Romës
R.SH. - Vatikan
Jemi akoma në ditët e para të shtatorit që na kujtojnë e flasin për Shenjten shqiptare Ganxhe Bojaxhiun. E pasi kujtuam përvjetorin e kanonizimit e dëgjuam Fjalën e Zotit në festën e saj liturgjike, tani po ndalemi shkurt te ‘Nënë Tereza dhe Papët e Romës’, një lidhje e marrëdhënie e veçantë dhe e pashkëputur, karakterizuar nga bindja, këshilli, nxitja, respekti, mbështetja, miratimi i veprës, vlerësimi dhe lartësimi saj në nderimet e altarit.
Këto marrëdhënie nisën që në fillimet e thirrjes së Zotit, që Ganxhe Bojaxhiu pati dëgjuar në shpirtin e saj më 10 shtator 1946, si motër e re rregulltare pranë Motrave të Loreto-s, për t’iu përkushtuar misionit ungjillor e njerëzor ndaj më të varfërve ndër të varfër, dhe deri te dita e fundit e jetës tokësore, më 5 shtator 1997, kur Themeluesja e Motrave Misionare dhe Vëllezërve të Bamirësisë, e Lumja Nënë Terezë, është kthyer në shtëpinë e Atit Qiellor.
Lidhjet e Ganxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës me Papët e Romës, do të thotë me Kishën amë – me Kishën e Romës, me Kryebarinjtë, e pastaj edhe me ipeshkvijtë, janë kishtare e shpirtërore të veçanta, me një domethënie e vlerë të posaçme. Gjithçka vendosi e ndërmori në misionin e jetën e saj, Nënë Tereza e bëri në këshillim, në përkim dhe miratim me Papët e Kishës katolike, nga Piu XII, Gjoni III e deri te Gjon Pali II, i cili e lartoi në nderimet e altarit, me shpalljen të Lume më 19 tetor 2003. Po vlerësimi dhe dashuria e Papëve ndaj Nënë Terezës, vijon edhe me Benediktin XVI e Papën Françesku, që më 15 marsin e vitit 2016, vendosi më datën e shpalljes Shenjte, dhe kremtoi kanonizimin e saj, më 4 shtator 2016, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, duke e shpallur Shenjte të Kishës katolike romake.
Po rikujtojmë sot fjalët që tha Papa Françesku për Nënë Terezën, duke e ngritur në lartësinë e shenjtërisë
Mbrojtëse e jetës
Nënë Tereza, në gjithë jetën e saj, qe bujare e shpërndarëse e mëshirës hyjnore, gjithnjë e gatshme për të gjithë, përmes mirëpritjes e mbrojtjes së jetës njerëzore, jetës së braktisur e të flakur tutje.
Gjithnjë përkrah më të ligështit, të palindurit…
U angazhua në mbrojtje të jetës, duke theksuar vazhdimisht se “kush nuk ka lindur akoma, është më i ligshti, më i vogli, më i mjeri” e duke ia njohur dinjitetin, që ia jep vetë Zoti;
…e gjithnjë kundër krimit të varfërisë
E ngriti zërin aq, sa të dëgjohej nga të pushtetshmit e tokës, që t’i pranonin fajet përballë krimit të varfërisë së krijuar prej tyre.
Mëshira për të ishte kripë e dritë
Për Shën Terezën, mëshira ishte “kripë” që i jepte shije çdo vepre, ishte “dritë”, që ndriçonte errësirën e njerëzve, të cilët nuk kishin më as lot për të qarë mbi varfërinë e tyre, mbi vuajtjen e tyre.
Misioni i saj nuk ka nevojë për fjalën tonë, flet vetë
Misioni i Shën Terezës në rrethinat e qyteteve e në periferitë ekzistenciale, mbetet, në ditët tona, dëshmi që flet vetë për afërsinë e Zotit pranë të varfërve më të varfër.
Ishte e është model i shenjtërisë
Figura simbolike e kësaj gruaje e rregulltareje mbetet modeli i shenjtërisë së mbarë botës së vullnetariatit!
Nënë Tereza, dashuri e dhuruar, larg ideologjive
Kjo veprimtare e palodhur e mëshirës na ndihmoftë ta kuptojmë gjithnjë më mirë se i vetmi kriter i veprimtarisë është dashuria pa shpërblim, e lirë nga çdo ideologji e nga çdo lidhje, që u përket të gjithëve, pa dallim gjuhe, kulture, race, feje.
Shenjtja e buzëqeshjes, gjuhë ndërkombëtare
Nënë Terezës i pëlqente të thoshte: “Ndoshta nuk e flas gjuhën e tyre, por mund t’u buzëqesh. Buzëqeshja është gjuhë ndërkombëtare!
Ta mbajmë në zemër buzëqeshjen e Saj
Ta mbajmë në zemër buzëqeshjen e Nënë Terezës e t’ua dhurojmë atyre, që takojmë në udhën tonë, posaçërisht njerëzve, që vuajnë.
Nënë Tereza hap horizontet e gëzimit e të shpresës
Buzëqeshja e Shën Terezës hap horizontet e gëzimit e të shpresës për mbarë njerëzimin, që e ka humbur besimin e ka shumë nevojë për mirëkuptim e dhembshuri!
Shën Nënë Tereza, shembull për ditët tona
Duke folur për përmbysjen e çdo skeme njerëzore në duart e Zotit e duke bërë thirrje për ta jetuar fenë kryesisht me vepra, e jo vetëm me fjalë, Papa, në takimin Engjëllit të Tënzot të së dielës së 9 korrikut 2018, kujtoi përsëri shembullin e shkëlqyer të Shën Nënë Terezës.