Kërko

Takimi kulturor me rastin e 200-vjetorit të lindjes së atë Françesk A. Santorit Takimi kulturor me rastin e 200-vjetorit të lindjes së atë Françesk A. Santorit 

Në Kalabri kujtohet atë Frangjisk Santori, në 200-vjetorin e lindjes

Në Kalabri përkujtohet këto ditë 200-vjetori i lindjes së atë Françesk A. Santorit apo i Frangjisk Santorit, siç i thonë arbëreshët e Italisë. Dje, sot e nesër, po zhvillohen takime të ndryshme kulturore, në tre komuna të Kozencës, ku gjenden gjurmët e jetës së fratit françeskan Santori.

R.SH. - Vatikan

Francesco Antonio Santori lindi nga një familje e varfër në vitin 1819, në Picilìa / Santa Caterina Albanese, në provincën e Kozencës. Pasi hyri në urdhërin e françeskanëve të reformuar, në San Marco Argentano, mori përsipër detyra të rëndësishme, por në vitin 1860 u tërhoq në vendin e lindjes, ku për të jetuar, u detyrua të japë leksione private dhe të ndërtojë mjete artizanale, që kërkonin inteligjencë jo të vogël.  Më 1876, u emërua famullitar në San Giacomo di Cerzeto apo Sënd Japku (si i thonë arbëreshët), ku vdiq në vitin 1894. Jeta e tij nuk dallohet për ngjarje të jashtëzakonshme. Iu përkushtua shkrimit të veprave në shqip, nga të gjitha zhanret letrare. Rëndësia e tyre kuptohet gjithnjë e më mirë, pas botimit të vazhdueshëm të dorëshkrimeve. Atij i takon merita për futjen në letërsinë shqipe të dramës dhe të romanit. Romani i tij “Sofia e Kominiatëve”, botuar para disa vitesh, daton afërsisht në vitin 1870, siç tregojnë studimet.

Programi i Konferencës

         Konferenca 3-ditore u hap dje në San Giacomo di Cerzeto apo Sënd Japku, vendi ku ndërroi jetë atë Frangjisk Santori (gjithnjë shqiptimi arbëresh). Në orën 18.00 u kremtua mesha në Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë, apo siç thonë arbëreshët – kisha e Shën Mërisë së Mirëvulisë. I pranishëm, ipeshkvi i dioqezës San Marco Argentano-Scalea, imzot Leonardo Bonanno dhe referenti rajonal i “Libera Calabria”, don Ennio Stamile. Kori “Shpirti arbëresh” i Cerzeto-s ekzekutoi këngë arbëreshe liturgjike, të shkruara nga vetë atë Santori. Në përfundim të meshës, u paraqit libri “Antologjia santoriane” e autorit Vincenzo Belmonte. Më pas, vizita në vendet santoriane dhe në Muzeun Etnografik arbëresh.

         Në orën 21.00, paraqitja e faqes së internetit kushtuar françeskanit arbëresh dhe më pas, shfaqja e dramës “Emira” e atë Françesk Santorit, me regji të Nando Pace-s.

Në vendlindjen e atë Santorit

         Sot, në vendlindjen e atë Santorit, Santa Caterina Albanese / Picilìa, filluan sesionet shkencore kushtuar arbëreshit të madh. Dita e sotme, 16 shtator, iu kushtuar krejtësisht filologjisë dhe letërsisë. Në podium pasuan njëri-tjetrin emra të njohur të panoramës kulturore letrare e gjuhësore arbëreshe, si prof. Francesco Altimari nga Universiteti i Kalabrisë e prof. Matteo Mandalà nga Universiteti i Palermos, por edhe pedagogë e profesorë nga një spektër i gjerë universitetesh, që mbulon një pjesë të madhe të trevave, ku jetojnë shqiptarë: nga Tirana, në Shkodër, në Gjirokastër, në Gjakovë, Prishtinë, Napoli, Salento, për të vijuar nesër, në Universitetin e Kalabrisë, në Rende, me aspektet gjuhësore, artistike e historike të veprës së Santorit, e natyrisht, edhe me pedagogë universitarë të qyteteve të tjera si: Venediku, Salerno e Selaniku. Faqja e internetit kushtuar atë Françesk A. Santorit dhe drama e tij Emira u paraqitën edhe sot e janë në program edhe për nesër.

16 shtator 2019, 18:48