Cerca

Vatican News
 Bibbia per bambini Bibbia per bambini 

Shtatori muaji i Biblës, drejt tetorit, muajit të jashtëzakonshëm misionar

Shtatori "Muaji i Biblës" në kombe e kontinente të ndryshme, në përkujtim të Shën Jeronimit, përkthyesit të parë të Shkrimeve të Shenjta në Latinisht , festa liturgjike e të cilit bie më 30 shtator. Një muaj kushtuar Biblës si një pedagogji, për të kuptuar se çdo ditë duhet të komunikojmë me Zotin, përmes Fjalës së tij të shkruar. Kur e hapim Biblën, ne hapim jetën.

R.SH. - Vatikan

Siç është bërë tashmë traditë, muaji shtator kremtohet si "Muaji i Biblës" në kombe të ndryshme të Amerikës Latine dhe në kontinente tjera, në kujtim të Shën Jeronimit, përkthyesit të parë të Shkrimeve të Shenjta në Latinisht, festa liturgjike e të cilit bie më 30 shtator.

Për këtë rast, Komisioni Kombëtar i Animacionit Biblik të Konferencës Episkopale të Kilit (Cech), ka përgatitur një faqe  interneti, me një material të larmishëm që shërben për të gjallëruar e mbështetur këtë nismë dhe periudhë të veçantë kushtuar Fjalës së Zotit, duke zgjedhur si temë "Populli i Zotit është i thirrur ta jetojë pagëzimin dhe misionin e vet”, që na kujton e lidhën edhe me temën e muajit të jashtëzakonshëm misionar të tetorit 2019  me temën  “Të pagëzuar e të dërguar: Kisha e Krishtit me mision në botë”. Kjo nismë ka si qëllim për t’i ndihmuar të krishterët të jenë më të vetëdijshëm për misionin e tyre që kanë në botë. Pra, tetori ardhshëm do të jetë një kohë e jashtëzakonshme lutjeje e reflektimi për misionaritetin e Kishës, ndërsa muaji shtator, na ofrohet si kohë e volitshme për të hapur Biblën, Fjalën që Zoti na e drejton për të zbuluar vetveten e për të na bërë të njohur misterin dhe vullnetit të Tij Hyjnor, si dhe planin e shëlbimit për mbarë njerëzimin.

Në faqen e përmendur të internetit, gjenden lutje marrë nga Bibla, të frymëzuara nga Fjala e Zotit, dokumentet e mësimit zyrtar të Kishës katolike kushtuar Biblës si "Dei Verbum" e "Verbum Domini", me një sërë komentesh e reflektimesh, si material ndihmës për një lexim e meditim të fragmenteve biblike, gjatë lutjes personale e komunitare: "Tekstet biblike, që propozojmë, janë shtigje reflektimi, që na mësojnë si duhet ta jetojmë pagëzimin tonë dhe misionin tonë - shkruhet në hyrje – dhe përforcojnë, kështu, përmasën personale e komunitare të fesë së krishterë në jetën e çdo besimtari. Tekstet Biblike na rrëfejnë edhe udhët e konvertimit, duke na nxitur dhe inkurajuar të jetojmë, vërtet, si popull i Zotit, besnikë ndaj Jezu Krishtit, në kontekstet aktuale". Muaji i Biblës, kujtojmë, mbahet në shumë vende të Amerikës Latine si në Uruguai, Guatemalë etj, si dhe në kontinente tjera.

Frymëzuar nga motoja "Të Pagëzuar e të dërguar", Kisha na propozon "një muaj kushtuar Biblës si një pedagogji, për të kuptuar se çdo ditë duhet të komunikojmë me Zotin, përmes Fjalës së tij të shkruar. Kur e hapim Biblën, ne hapim jetën.  Hyji, na e drejton Fjalën për të zbuluar vetveten e për të na e bërë të njohur misterin e vullnetit të Tij, si edhe planin e shëlbimit për mbarë njerëzimin. Prandaj, impenjimi për të zbuluar gjithnjë e më shumë të vërtetën e Librave të Shenjtë, duhet të na çojë natyrshëm në njohjen gjithnjë e më të madhe të Zotit e të vullnetit të Tij.

Me rastin e muajit shtator kushtuar Biblës, Kisha u drejton një thirrje të apasionuar barinjve shpirtëror, personave të jetës së shuguruar dhe besimtarëve laikë, që të familjarizojnë gjithnjë e më shumë me Shkrimin e Shenjtë, i cili është themeli i çdo përshpirtërie të vërtetë e të gjallë në fenë e krishterë. Në një botë, që shpesh e ndjen Zotin si të sipërfaqshëm e si të huaj, nuk ekziston përparësi më e madhe se kjo: ta afrojmë njeriun e sotëm me Zotin, me atë Zot që flet dhe na komunikon dashurinë e vet, që ta kemi jetën me plotësi.

Bibla nuk është thjesht, përmbledhje e bukur librash kishtarë për t’u studiuar, është Fjala e jetës, që duhet mbjellë, dhuratë që Zoti i Ringjallur na kërkon ta pranojmë e ta përhapim, që të kemi jetë, në emër të Tij”. Kështu u tha Papa Françesku, gjatë audiencës mbajtur në Vatikan më 26 prill 2009, pjesëmarrësve të Kongresit ndërkombëtar, organizuar nga Federata Biblike Katolike(CBF), me rastin e 50-vjetorit të themelimit. Bibla dhe jeta, nënvizon  Ati i Shenjtë Bergoglio, janë binom i pandashëm, sepse Fjala e Zotit është jetë, mbetet gjithnjë e re dhe i bën të jenë gjithnjë të rinj ata, që e zbatojnë. “Është e rëndësishme të kujtojmë se Shpirtit Shenjt Zot, Atij që gjallëron, i pëlqen të veprojë përmes Biblës. Fjala sjell në botë frymën e Shpirtin e  Hyjit, dikon në zemra ngrohtësinë e Zotit”. Papa i nxit besimtarët që të mos e ndajnë kurrë Biblën nga jeta e të punojnë që Fjala e Zotit “të ngarendë” nëpër udhët e jetës personale dhe ato të botës. Të lutemi e të punojmë që Bibla të mos mbetet në bibliotekë, në mesin e librave të shumtë, por të vrapojë nëpër udhët e botës, aty ku jetojnë njerëzit.

Bibla-Liturgjia-Katekeza-Misioni janë realitete të përhershme të jetës sonë të krishterë që kërkojnë shndërrimin e mjediseve, ndriçojnë realitetet e përditshme të familjes dhe shoqërisë. Kremtimi i shtatorit si muaj i Biblës, do të përfundojë këtë vit të dielën më 29 shtator

09 shtator 2019, 15:46