Kërko

2018.09.07 Bratislava CCEE Zvolenský Bagnasco 2018.09.07 Bratislava CCEE Zvolenský Bagnasco 

“Evropë, koha e zgjimit? Shenjat e Shpresës ”, tema e Këshillit të Ipeshkvijve të Evropës

“Evropë, koha e zgjimit? Shenjat e Shpresës ”, kjo është tema e Asamblesë së Këshillit të Ipeshkvijve të Evropës në Santiago de Compostela nga 3 deri më 6 tetor.

R.SH. - Vatikan

Asambleja plenare vjetore e Këshillit të Konferencave Episkopale Katolike të Evropës do të zhvillohet në Santiago de Compostela, pranë Hospedería San Martín Pinario, në Spanjë,  nga data 3 deri në 6 tetor 2019, me ftesën e kryeipeshkvit të Santiagos, Imzot Julián Barrio Barrio, e me mbështetjen e gjithë konferencës episkopale katolike spanjolle.

Tema e zgjedhur për këtë asamble plenare është: “Evropë, koha e zgjimit? Shenjat e Shpresës”. Punimet do të fillojnë me një analizë kulturore, politike dhe sociale të situatës evropiane, veçanërisht të historisë së kohëve fundit, që i është besuar filozofit francez Chantal Delsol. Në vazhdim të punimeve do të kalohet tek identifikimi i elementeve më domethënëse që ndikojnë në strukturën kishtare dhe civile të kontinentit të vjetër, duke kujtuar memorien e gjallë të rrënjëve të krishtera të lindura e të ndërthurura me historinë dhe kulturën evropiane.

Së fundi, anëtarët e Këshillit të Konferencave Episkopale Katolike të Evropës (CCEE), përmes paraqitjes së iniciativave më të rëndësishme të Konferencave vendore të Ipeshkvijve, që do t’i nxjerrin në pah e do të flasin për ato shenja të shpresës së krishterë që, çdo ditë, mbijnë në bashkësitë e krishtera vendore, në realitetet lokale, dhe që në jetën dhe shembullin e shenjtorëve gjejnë një burim e nxitje të veçantë inkurajimi.

Këtë vit, mbushën njëzet vjet nga shpallja e tre grave, si shenjtore mbrojtëse qiellore të Evropës. Më 1 tetor 1999, Shën Gjon Pali II shpalli Shën Brigjidën e Suedisë, Shën Katerinën e Sienës dhe Shën Terezën Benediktën e Kryqit, bashkë-mbrojtëse qiellore të Evropës, së bashku me Shën Benediktin e Norçës dhe Shenjtorët Çirilin e Metodin. Pra, një nga pikat që do të trajtojnë anëtarët e Këshillit të Ipeshkvijve të Evropës në Santiago de Compostela, do të jenë rrënjët e krishtera,  të ndërlidhura ngushtë me historinë dhe kulturën evropiane.

Po vilat janë rrënjët tona? Natyrisht prindërit, familja dhe kultura e vendit tonë, që janë një përbërëse shumë e rëndësishme e identitetit tonë. Bibla na zbulon një tjetër. Jeremia profet shkruan: “Qoftë bekuar ai që shpreson në Hyjin, Zoti do të jetë shpresa e tij. Ai do të jetë porsi druri i mbëltuar në breg të ujit, që kah përroi i lëshon rrënjët e s’do të trembet kur të vijë zhegu: gjethi i tij do të jetë i blertë. Për vit thatësie nuk merakoset, nuk pushon së dhëni fruta” (Jer 17,7-8). Të lëshosh rrënjët, sipas profetit, do të thotë ta vendosësh besimin tënd në Zotin. Nga Ai e marrim jetën tonë; pa Të nuk do të mund të jetonim vërtetësisht. “Hyji na e dha jetën e pasosur, e kjo jetë është në Birin e tij” (1 Gjn 5,11).

Kisha katolike kujton se vetë Jezusi paraqitet si jeta jonë (khs Gjn 14,6). Për këtë feja e krishterë nuk është vetëm të besosh në disa të vërteta, por është para së gjithash një marrëdhënie vetjake me Jezu Krishtin, është takimi me Birin e Hyjit, që i jep ekzistencës mbarë një dinamizëm të ri. Kur hyjmë në marrëdhënie personale me Të, Krishti na zbulon identitetin tonë, dhe, në miqësinë e tij, jeta rritet dhe realizohet në plotësi.

Trajtimet dhe zgjidhjet e papërshtatshme, pragmatike e afatshkurtra, të çështjeve e problemeve të ndërlikuara shoqërore dhe etike, kanë dalë në pah qartë nga krizat e kohëve të fundit në Evropë e më gjerë, kanë një emërtues të përbashkët: mungesën e një themeli etik të qëndrueshëm në aktivitetet shoqërore e ekonomike, gjë, që ka kontribuar në krijimin e një situate të rëndë, në të cilën tani gjenden me miliona njerëz në Evropë e në mbarë botën. Në fushën politike, përmasa morale e politikave të zbatuara, ka ndikime e pasoja të mëdha.Kisha kujton më tej edhe rolin e arsyes në vënien e ligjeve, përfshirë këtu edhe themelin etik e rolin plotësues të fesë në shoqëri. 

10 shtator 2019, 13:41