Kërko

cardinale MARX REINHARD  cardinale MARX REINHARD  

Asambleja e Ipeshkvijve të Gjermanisë mbi situatën politike, klimën dhe Sinodin për Amazonën

Tema qendrore e punimeve të asamblesë së ardhshme të Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të Gjermanisë (Dbk), në program nga data 23 deri më 26 shtator, në Fulda, do të jetë përgatitja e Kishës gjermane për udhën e saj sinodale.

R.SH. - Vatikan

Tema qendrore e punimeve të asamblesë së ardhshme të Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të Gjermanisë (Dbk), në program nga data 23 deri më 26 shtator, në Fulda, do të jetë përgatitja e Kishës gjermane për udhën e saj sinodale.

Siç njofton zyra e shtypit të Konferencës Ipeshkëvnore katolike të Gjermanisë (Dbk), takimi tradicional i vjeshtësh i 69 ipeshkvijve gjermanë, do të nis nga “letra e Papës Françeskut drejtuar popullit shtegtar të Zotit në Gjermani”, më 29 qershor të kaluar.

Papa Françesku, me Letrën e tij, deshi të ndante bashkë me Kishën gjermane, shqetësimin për ardhmërinë e saj. E deshi edhe të jetë pranë saj, duke e pranuar propozimin për udhën sinodale. Të ndryshme, e jo të pakta, sfidat që duhet të përballojë kjo Kishë: popullizmi, morali seksual, celibati meshtarak, pakësimi i praktikës sakramentore...

Një vit pas publikimit të dokumentit mbi abuzimet seksuale, nga disa anëtarë të Kishës Katolike në Gjermani, do të flitet përsëri për këtë argument, për t’i shqyrtuar, në veçanti, denoncimet dhe kompensime materiale.

Argumentet tjera do të trajtohen nga Kisha gjermane në Fulda janë "zhvillimet politike në Gjermani pas zgjedhjeve të fundit" e "klima dhe Asambleja e ardhshme e posaçme e Sinodit të Ipeshkvijve për rajonin Panamazonik", që do të mbahet në Vatikan nga 6 deri më 27 tetor të këtij viti, me temë: “Amazona: udhë të reja për Kishën dhe për ekologjinë e gjithanshme”.

Gjatë punimeve të Asamblesë Plenare të Kishës gjermane, në Fulda, më 24 shtator, do të prezantohet edhe dokumenti i ipeshkvijve gjermanë "Ungjillëzimi e globalizimi", një tekst që vështron muajin e jashtëzakonshëm misionar (tetorin 2019) të porositur nga Papa Françesku.

Letra e Papës: kundër mëkatit e pranë njerëzve

Po t’i kthehemi, shkurt, letrës që Papa Françesku i dërgoi Kishës katolike në Gjermani, më 29 qershor të kaluar, e të shohim se çfarë thuhet konkretisht?  Pikat kryesore të Letrës papnore, me 13 paragrafe, janë tema të theksuara edhe në raste të tjera, si ngushëllimi që u jep Zoti besimtarëve, edhe në kohë të vështira; tundimet e neopelagianizmit e të gnosticizmit; tensionet e çekuilibrimet e shkaktuara nga kumtimi ungjillor. Vihet theksi mbi 5 mënyrat e mundshme për të qenë Kishë në dalje si dhe mbi kuptimin e Kishës e të sinodalitetit.

Duhet nënvizuar se në Letër, Papa Françesku nuk flet për popullin e Zotit, por i drejtohet popullit të Zotit, si subjekt që, në tërësinë e tij, jeton një kohë vuajtjeje. “Sfidat duhet të kapërcehen - pohon vendosmërisht Papa. - Duhet të jemi realistë, por pa e humbur gëzimin, guximin, shpresën”. “Sot - vijon ndërmjet tjerash Ati i Shenjtë Françesku - tundimi kryesor është ta lëmë veten të na e rrëmbejnë forcën misionare. Jemi të thirrur, prandaj, ta kapërcejmë mungesën e ekuilibrit e të gjejmë sërish forcën e fesë”.

Papa – në letër - tregon edhe 5 rrugëdalje: “t’i takojmë vëllezërit më të afërt, ata që rrinë në pragjet e tempujve tanë;  të dalim për t’i vajosur - përqafuar të gjitha realitetet tokësore; të dalim, për t’i prekur realisht pasionet e shumta dhe situatat e mëkatit e të pabarazisë, që i jetojnë shumë njerëz;  të dalim, për të rizgjuar në shpirtin e më të rinjve, pasionin për mbretërinë e Zotit; të dalim, për të krijuar shijen shpirtërore, që na kujton se jemi popull;  të dalim, për të shkuar gjithnjë pranë jetës së njerëzve”.

11 shtator 2019, 11:30