Kërko

Vatican News
Children of the Tenharim indigenous reserve in the Brazilian Amazon Children of the Tenharim indigenous reserve in the Brazilian Amazon 

Amazona, thirrjet e ipeshkvijve të Amerikës Latine

Pas thirrjes së Këshillit ipeshkëvnor latinoamerikan, edhe konferencat kombëtare të Amerikës Latine lëshojnë britmën e alarmit për Amazonën, temë që tani është në qendër të debatit politik ndërkombëtar, edhe që do të trajtohen nga Sinodi ipeshkvijve në tetor në Vatikan.

R.SH. - Vatikan

Po i zihet fryma botës! Flakët pushtojnë hapësira të reja e, pas Brazilit dhe Bolivisë, vendet më të dëmtuara, arritën edhe në Paraguai, ku po bëhen shkrumb e hi me mijëra hektarë pyje e kullota në zonën e Chaco-s. Konferencat katolike ipeshkëvnore të Brazilit, Meksikës, Paraguait bëjnë thirrje  për marrjen e masave urgjente në mbrojtje të pyllit lumor, posaçërisht pas zjarreve të kohëve të fundit në pjesën braziliane të Amazonës.

Nota e Konferencës ipeshkvnore braziliane

“Zjarret absurde dhe grabitjet kriminale kërkojnë tani mbajtje qëndrimesh të përshtatshme e masa urgjente” - lexohet në një notë të ipeshkvijve brazilianë, që të kujton Enciklikën “Lëvduar qofsh”, të Papës Françesku. “Ka ardhur koha për të folur, për të zgjedhur e për të vepruar me drejtpeshim e përgjegjësi, që të gjithë ta marrin mbi vete misionin e mbrojtjes së Amazonës, duke respektuar ambientin, popujt tradicionalë, indigjenët, që janë vëllezërit tanë. Pa këtë angazhim, të gjithë do të pësojnë humbje të pandreqshme - lexohet akoma në notën - ku prelatët pohojnë se shohin “një shenjë shprese” e “një burim këshillash” në Sinodin e ipeshkvijve kushtuar Amazonës. Ipeshkvijtë e Kishës katolike kërkojnë, më pas, edhe aksione politike efikase: “Është urgjente që qeveritë e vendeve amazonike, posaçërisht qeveria e Brazilit, të marrin masa serioze për ta shpëtuar këtë zonë vendimtare për ekuilibrin ekologjik të Planetit: Amazonën. Nuk është çasti për të folur pa e peshuar mirë fjalën e as për gjykime të pamenduara!”.

Edhe në një thirrje video, kryetari i Konferencës kombëtare të ipeshkvijve të Brazilit, CNBB, kryeipeshkvi Walmor Olibeira de Azevedo, fton të ngrihet zëri, përmes një Lëvizjeje, që titullohet pikërisht “Levante a voz”! - “Të ngrihet zëri”.

Letra e ipeshkvijve meksikanë

Komisioni për baritorinë shoqërore i Konferencës katolike ipeshkëvnore meksikane, shpreh shqetësimin e tij të thellë për situatën: “Ta ngremë zërin tonë e ta bashkojmë me atë të shumë vëllezërve e motrave, që ndjejnë në zemra dhimbje e mort, për “Shtëpinë tonë, altarin njerëzor të ndarjes së përbashkët të ajrit, që thithim, pa të cilin nuk ka jetë!” - lexohet në letër. Ipeshkvijtë kërkojnë ndërhyrjen e politikës e të qeverive për t’i dhënë fund, me urgjencë, zjarreve, duke i bashkuar të gjitha forcat.

Thirrja e Konferencës ipeshkëvnore të Paraguait

Ipeshkvijtë e Paraguait marrin pjesë në debat, duke mbështetur qëndrimin që mban Këshilli ipeshkvnor latinoamerikan (Celam) e duke u shprehur popullsive fqinje, më të dëmtuara se trojet paraguaiane nga zjarret që - kujtojnë prelatët - po shkaktojnë dëme në përmasa planetare. Në notë citohet dokumenti Instrumentum laboris i Sinodit të Ipeshkvijve për Amazonën dhe kujtohet pesha që ka mbi Planetin tonë “kultura e hedhurinës”. Lexohet edhe: “Besojmë, si autoritete të Celam, se qeveritë e vendeve amazonike, posaçërisht ajo e Brazilit dhe e Bolivisë, si dhe Kombet e Bashkuara e Bashkësia Ndërkombëtare, do të marrin një zëri masa urgjente për të shpëtuar mushkërinë e botës”. Ipeshkvijtë kujtojnë, në përfundim, fjalët e Papës Françesku, shqiptuar në homelinë e Meshës për fillimin e Papnisë:

“Dua t’u kërkoj, e t’u lutem, të gjithë atyre, që kanë role përgjegjësie në fushën ekonomike, politike e shoqërore, të gjithë burrave e grave vullnetmira: të jemi ‘rojtarë të krijimit, të planit, që Zoti e shkruan në natyrë, kujdestarë të tjetrit, të ambientit; të mos lejojmë që shenjat e shkatërrimit e të vdekjes ta shoqërojnë ecjen në këtë botën tonë’”.

19 shtator 2019, 15:13