Kisha katedrale e Shën Dhimitrit në Horën e Arbëreshëve Kisha katedrale e Shën Dhimitrit në Horën e Arbëreshëve 

U përkujtua 531-vjetori i vendbanimit arbëresh në Sicili – Hora e Arbëreshëve

Arbëreshët e Horës përkujtuan 531-vjetorin e ardhjes së tyre në këtë vend, afër Palermos, në periudhën e pushtimit otoman të vendlindjes - Arbërisë.

R.Sh. - Vatikan

Më 30 gushtin e kaluar, përfunduan manifestimet me rastin e 531-vjetorit të themelimit të vendbanimit arbëresh ‘Hora e Arbëreshëve’ afër Palermos në Sicili. Nga manifestimet e shumta e të larmishme, nënvizojmë Kuvendin shkencor që u zhvillua, të premten më 30 gusht, në Katedralen e Eparkisë arbëreshe, mbi temën: ” mbrojtja ligjore dhe vlerësimi i të folmeve arbëreshe në Itali”.

Qyteza  ‘Hora e Arbëreshëvet’ u themelua më 30 gusht të vitit 1488 nga një grup shqiptarësh nga viset shqiptare e nga Himara që kishin ikur nga pushtimi i perandorisë turko-osmane, që detyroi familje e vendbanime të tëra të braktisnin vendlindjes, në kërkim të lirisë, përtej detit Adriatik, në Itali.

Kryeprifti arbëresh Papas Jani kujtoi punën e priftërinjve e të Kishës arbëreshe për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës, të traditës dhe të identitetit të këtij komuniteti, si Imzot Pal Schiroi dhe nipi tij papas Gjergji, posaçërisht për përdorimin e arbërishtes si në të folur ashtu edhe në shkrime e në kremtime liturgjike e fetare. Po më hollësisht nga Palermo të ndjekim shërbimin e prof. Zef Chiaramonte...

Nga Palermo të ndjekim shërbimin e prof. Zef Chiaramonte..

Me shfaqjen e Ansamblit SHOTA, te ardhur postafat nga Kosova, morën fund  te premten mbrëma, 30 gusht 2019, ne Hore t'Arbereshevet manifestimet lidhur me kremtimin e 531-vjetorit nga themelimi i këtij vendbanimi arbëresh në Sicili.

Nga programi i shumëllojshëm që u përgatit për këtë rast nga administrata komunale, po theksojmë Kuvendin shkencor që u zhvillua të premten pas dite në Katedralen e Eparkisë arbëreshe, me temën bosht mbrojtja ligjore dhe vlerësimi i të folmeve arbëreshe në Itali.

Në tubim morën pjesë kryetarët e komunave arbëreshe të Sicilisë, Ministri krahinor i Arsimit, dy mësues të gjuhës arbëreshe: Schirò Zdruballi dhe zonja Riolo, kryeprifti i Katedrales Dr. papas Jan Delmeri dhe  prof. Zef Chiaramonte.  Në mesin e dëgjuesve, në kërrigat e para, shquheshin disa të rinj e të reja nga Kosova të veshur me kostumet kombëtare. Pas fjalës hyrëse nga Kryetari i Komunës së Horës së Arbëreshëve, drejtuesi i diskutimit, noteri La Spina, u dha fjalën ligjëruesve.

Të dy mësuesit folën mbi përvojën e tyre lidhur me problemet, por edhe me entuziazmin në mësimin e arbërishtes.  Kryeprifti arbëresh papas Jani dha një pamje të detajuar rreth punës së priftërinjve  arbëreshë për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës, traditës e identitetit, duke u ndalur tek kontributi i Imzot Pal Schiroi-t dhe të nipit papas Gjergji për përdorimin e palodhshëm të arbërishtes si në të folur ashtu si në shkrime e kremtime liturgjike e fetare.

Ministri i Arsimit, i cili para pak kohë kishte firmosur një ligj krahinor për mësimin e arbërishtes nëpër shkolla, u kërkoi autoriteteve përkatëse të zbatojnë menjëhershëm dhe pa doemos ligjin e ri. Së fundi, lidhur me fjalën e Ministrit, prof. Chiaramonte theksoi vlerën që ka pasur e luajtur Seminari i Gjuhës dhe Kulturës Shqiptare që mbahet çdo vit në Prishtinë. Pjesëmarrja në këtë seminar, sikur në të kaluarën, edhe sot mund të jetë zgjedhja më e përshtatshme për azhurnimin gjuhësor të mësimdhënësve arbëreshe, gjegjësisht për sa i përket aplikimit të rregullave drejtshkrimore në procesin e kalimit nga të folmet lokale arbëreshe tek drejtshkrimi.

05 shtator 2019, 15:43