Më 23 shtator kalendari përkujton Shën Piun nga Pietrelçina, meshtar rregulltar kapuçinë
R.SH: - Vatikan
Më 23 shtator kalendari kishtar përkujton festën liturgjike të Shën Piut nga Pietrelçina, meshtar rregulltar kapuçinë.
Atë Piu ishte shërbëtor i mëshirës. Ishte ditë-natë, nganjëherë deri në rraskapitje, në shërbim të apostullimit të dëgjimit. U bë përmes shërbesës së Rrëfimit, ledhatim i gjallë i Atit, që shëron plagët e mëkatit e freskon zemrën me paqen e tij. Shën Piu nuk u lodh kurrë duke i pritur njerëzit, duke i dëgjuar e duke shkrirë kohë e forca për të përhapur parfumin e faljes së Zotit.
Shën Piu lindi më 25 maj 1881 në Pietrelçina, në provincë të Beneventos. Vetëm 16 vjeç, hyn në kuvendin e Etërve rregulltarë kapuçinë më 22 janar 1903 duke marrë emrin si rregulltar, fra Piu nga Pietralçina. Shtatë vjet më vonë bëhet meshtar, më 10 gusht 1910.
Në vitin 1916 eprorët e transferojnë në San Giovanni Rotondo, mbi Garganë, në Pulje, e këtu në kuvendin e Shën Marisë së Hireve, nis historia e tij prej traumaturgu e apostulli të Sakramentit të Rrëfimit. Më 20 shtator 1918 Atë Piu kapuçin fiton varrët e Mundimeve të Jezu Krishtit që do të mbesin të hapura, me dhimbje e gjakderdhje për 50 vjet më radhë. Vdes më 23 shtator 1968, 81 vjeç. Shpallet i lumë më 1999, kanonizohet më 16 qershor 2002 nga Papa Gjon Pali II.
Shën Piu nga Pietrelçina, meshtar i Urdhrit të Fretërve të Vegjël Kapuçinë, u impenjua shumë në udhëheqjen shpirtërore të besimtarëve e në pajtimin e mëkatarëve me Zotin përmes Sakramentit të Rrëfimit. Pati një kujdes të posaçëm ndaj nevojtarëve e të varfërve, për të cilët dhuroi gjithçka e ndërtoi edhe një shtëpi-spital “Lehtësimi i vuajtjeve”. Shtegtimi tij tokësor qe plotësisht në shëmbëllim të Krishtit të kryqëzuar.
Duke përshkruar figurën e Shën Pios, duhet të nënvizojmë dy aspekte themelore të fratit nga Pietrelçina: besnikërinë e tij ndaj Ungjillit dhe orientimin e vazhdueshëm drejt mbretërisë së qiellit. Atë Piu, që vazhdon të jetojë në misterin e Jezusit të vdekur e të ngjallur, ishte dishepull i Krishtit që nuk deshi tjetër veçse të donte e të vuante për Të. Ishte meshtar që nuk kërkoi gjë tjetër veçse të shkrihej në dashurinë për Zotin e për vëllezërit.
Ishte bir i sinqertë i Kishës, i cili edhe në rastet më të dhimbshme preferoi të mos mbrohej, duke e mohuar vetveten, i varrosur nën heshtjen e butë të bindjes së mundimshme, por të frytshme.
Me shfaqjen e plagëve të Krishtit në trupin e tij, Atë Piu “riprodhonte dukshëm figurën e të Kryqëzuarit” dhe fizikisht, sa herë që jepte Sakramentin e faljes, dëshmonte për çmimin e gjakut të shenjtë, që i është dashur të paguajë Krishtit për shpëtimin e njerëzimit. Plagët e Krishtit u kujtonin të gjithë atyre, që kërkonin ndërhyrje e mrekulli përmes Shën Piut, se sa kushtonin ato “hire”, që Zoti shpërndante me bujari e përdëllim.
Thelbi i jetës së Atë Piut përmblidhet në Meshën e Shenjtë, në kremtimin e përditshëm të Eukaristisë. Frati i Pietrelçinës i këshillonte të gjithë besimtarët e të gjithë njerëzit, t’i afroheshin Jezusit, në një takim pa rezerva, siç mund të kuptohet edhe nga një regjistrim i zërit të shenjtit, ku pohonte: “Të duam pa asnjë rezervë, pavarësisht nga shpërblimi, që Zoti ka në mend për ne – ajo është rrjedhojë – duke e bërë tonin moton e Shën Palit Apostull kur thotë: nuk dua të di gjë tjetër, veçse për Jezusin e për Jezusin e kryqëzuar”.