Edith Stein Edith Stein 

Shën Tereza Benedikta e Kryqit: Forca e lutjes

Një shkrim, veçanërisht domethënës, nga shën Tereza Benedikta e Kryqit, në kërkim, meditim e lutje drejtuar Zotit, ku përshkruan rrugën e brendshme të shpirtit të saj e të çdo njeriu që me të vërtetë e kërkon takimin me Hyjin.

R.SH. - Vatikan

Sipas Edith Stein, kthimi i zemrës është ndryshimi i jetës. E Edith Stein e gjeti lumturinë e vërtetë dhe lumnia e shpirtit të saj ishte kaq e madhe, sa kuptoi se jo vetëm Zoti dëshironte që ajo të jetonte në botë, por edhe se duhej t’i thoshte kësaj bote kush ishte burimi i gëzimit, që ia kishte mbushur krejt trupin. Hyri në Karmelin e Këlnit dhe u bë motër Tereza Benedikta e Kryqit, vdiq në kampin e përqendrimit të Aushvicit, së bashku me të motrën.

Edith Stein tri ditë para fundit të saj dramatik, duke biseduar me disa simotra të Kuvendit të Ehtit, në Holandë, u pati thënë: “Jam gati për gjithçka. Jezusi është edhe këtu, mes nesh. Deri tani kam mundur të lutem mrekullisht mirë e të them me gjithë zemër: “Ave, Crux, spes unica” – “Të falem Kryq, e vetmja shpresë”… 

Edith Stein: hebreje, filozofe, karmelitane,martire, shenjte, Pajtore e Evropës. U shpall e Lume nga Papa Gjon Pali II më 1 maj 1987, shenjte, më 11 tetor 1998 e më 1999, Bashkëpajtore e Evropës, së bashku me shën Brigjidën e Suedisë e shën Katerinën e Sienës.

Por ja diçka shkrimi i saj:

O Zoti im, më vure para një rruge të gjatë e të errët, plot gurë e ferra. Shpesh, s’kisha më forca, nuk shpresoja që drita të shkëlqente sërish. E megjithatë, kur zemra ime u bë gur, në dhimbjen më të thellë, ja ku lindi për mua një yll i ndritshëm, i ëmbël. Më tregoi rrugën me besnikëri – unë e ndoqa, fillimisht me hezitim, pastaj, gjithnjë e më e sigurtë. Kështu, së fundi, mbërrita tek porta e kishës. Ajo u hap – unë desha të hyj. Në gojën e meshtarit, bekimi Yt më përshëndeti. Brenda meje, radhiten një yll pas tjetrit. Yje të kuq gjaku më tregojnë rrugën për tek Ti. Ata presin Natën tënde të Shenjtë e, vërtet, mirësia jote bën që ta ndriçojnë udhën time drejt Teje. 

Më thonë “ec përpara”. Sekretin, që m’u desh ta fsheh në thellësitë e zemrës, tani, mund ta them me zë të lartë: “Unë besoj – unë dëshmoj!” Meshtari te shkallët më çon drejt elterit: ul kryet – Uji i Bekuar më rrjedh mbi ballë. A është e mundur, o Zot, që të rilindë, kush e ka kaluar tashmë gjysmën e jetës? Ti the “po” e unë e dëshmoj këtë të vërtetë. Jeta e gjatë, e rënduar nga fajet e nga vuajtjet, më la të lirë.

Me dlirësi, marr mantelin e bardhë, që ma vendosin mbi supe, imazh i ndritur i pastërtisë! Mbaj në duar qiriun. Flakëza e tij i shpall gjithë botës se brenda meje digjet jeta Jote e shenjtë! Zemra ime kthehet në një grazhd, që pret lindjen e Birit tënd. Nuk do të presë gjatë! Maria, nëna jote dhe imja, ma ka treguar emrin e Tij. Në mesnatë, do të më vendosë në zemër, Birin e saj të sapolindur. Oh, asnjë zemër njeriu nuk mund ta kuptojë ç’përgatit Ti për ata, që të duan. Tani je imi e nuk të lë kurrë më! Kudo të shkojë rruga e jetës sime, Ti je pranë meje: asgjë s’mund të më largojë nga dashuria jote

"Gjithçka është e njëjtë, për ata që kanë arritur unitetin e plotë të jetës hyjnore: pushimi e puna, kundrimi e veprimtaria, heshtja e fjala, dëgjimi e hapja e zemrës, marrja e dhuratës së Zotit e dhurimi i lumenjve të dashurisë në takim me hirin e Hyjit e në lavdet drejtuar Atij...Duhet të dëgjosh për orë e orë, në heshtje të thellë, ta lësh fjalën hyjnore të të mungullojë në shpirt, derisa të të nxisë la lavdërosh Zotin në lutje e në punë.

Edhe format tradicionale janë të nevojshme. Prandaj të gjithë duhet të marrim pjesë në kultin publike të Kishës, që jeta jonë shpirtërore të zgjohet, të ecë në rrugë të drejtë e të shprehet ashtu si na mëson Kisha. Duhet të ketë shenjtërore mbi tokë për lavdërimin e Zotit, duhet që Hyji të kremtohet solemnisht me gjithë përsosurinë që mund të ngjitet drejt qiellit, të veprojë në të gjitha gjymtyrët e saj, duke ua zgjuar të gjithëve jetën shpirtërore e duke i ushqyer me dashuri vëllazërore.

Gjithsesi, që kjo këngë lavdërimi ta marrë gjallërinë e vet nga thellësitë e shpirtit, duhet që edhe në këto vende lutjeje, të ketë kohë të caktuara për thellimin shpirtëror, në heshtje të plotë; përndryshe lavdërimi kthehet në belbëzim, që del nga buzë pa jetë. Falë këtyre vatrave të jetës shpirtërore, ky rrezik mund të shmanget; shpirtrat mund të meditojnë para Zotit në heshtje e në vetmi, për të qenë, në zemër të Kishë, këngëtarë të dashurisë, që e mbush gjithësinë me frymën e jetës".

Shën Tereza Benedikta e Kryqit përkujtohet nga kalendari kishtar  më 9 gusht. Ajo u lind në Breslavë, kryeqendra e Slesës së Prusisë, në një familje hebraike të gjermanizuar. Në moshën 14-vjeçare e e braktisi fenë dhe u bë ateiste. Studioi filozofi në Gëtingen, ku u bë ndjekëse e Edmund Huserlit, themelues i shkollës së fenomenologjisë.

Më 1921 përqafoi katolicizmin dhe më 1922 u pagëzua. Më 1932 e thirrën të mbante ligjërata në Institutin pedagogjik të Mynsterit, por nuk mundi të vijonte për shkak të ligjeve raciale. Më 1933 hyri në Karmelin e Këlnit dhe mori emrin Tereza Benedikta e Kryqit. Më 1942 forcat e Gestapos e nxorën me forcë nga kuvendi dhe e mbyllën në kampin e shfarosjes në Aushvic-Birkenau, ku vdiq, në dhomën e gazit, më 9 gusht.

09 gusht 2019, 10:18