Preti Cristiani pakistani Preti Cristiani pakistani 

Pakistan: pakicat fetare i dërgojnë një rezolutë kryeministrit, me kërkimin e të drejtave themelore

Avokatja katolike Yousaf kujtoi se: "Anëtarët e pakicave fetare po kontribuojmë shumë në zhvillimin e Pakistanit. Prandaj duam të nënvizojmë dhe të përqendrohemi në çështje që lidhen me lirinë tonë, me të drejtat themelore të njeriut, me paragjykimet dhe diskriminimet që ekzistojnë posaçërisht ndaj pakicave fetare dhe ndaj konvertimeve të detyrueshme të grave që u përkasin pakicave fetare".

R.SH. - Vatikan

Karaçi:"Ne jemi besnikë ndaj atdheut tonë të dashur, Pakistanit. Nuk jemi të huaj: Kishat, institucionet fetare, spitalet dhe ndërtesat e zyrave tona kanë një flamur të ngritur të Pakistanit. Jetojmë në këtë tokë për shekuj, shumë përpara krijimit të Pakistanit, dhe këtu shërbejmë me ndershmëri e përkushtim për të mirën e Pakistanit". Kështu u shpreh për Agjencinë Fides, Atë Saleh Diego, Vikar i Përgjithshëm i Kryedioqezës së Karaçit e drejtor dioqezan i Komisionit Kombëtar për Drejtësi e Paqe, duke kujtuar temat kryesore dhe sfidat me të cilat përballen pakicat fetare në Pakistan. Në vitin 2010, ministri i atëhershëm federal për pakicat fetare të Pakistanit, katoliku Shahbaz Bhatti, i cili u vra në 2 mars 2011, pati krijuar një Ditë të veçantë kushtuar komuniteteve e pakicave fetare, e cila kremtohet më 11 gusht.

Atë Saleh Diego më tej shton: "Krishterimi në këtë territor ekziston që nga shekulli i parë, që kur Shën Toma, një nga apostujt e Jezusit, erdhi në nënkontinentin Indian. Ne jemi 100% bijë e bija të kësaj toke; prandaj nuk duhet të trajtohemi si qytetarë të klasit të dytë".

Avokatja katolike Tabbasum Yousaf, duke folur për agjencinë e lajme Fides, kujton se: "Anëtarët e pakicave fetare po kontribuojmë shumë për zhvillimin e Pakistanit. Prandaj duam të nënvizojmë e të përqendrohemi në çështje që lidhen me lirinë tonë, me të drejtat themelore të njeriut, me paragjykimet dhe diskriminimet që ende ekzistojnë posaçërisht ndaj njerëzve që u përkasin pakicave fetare dhe ndaj konvertimeve të detyrueshme të grave që u përkasin pakicave fetare". Avokatja ka paraqitur një rezolutë të përbashkët prej dhjetë pikash, e cila është nënshkruar nga udhëheqësit e përfaqësuesit e feve të ndryshme (të krishterë, hindu, sikh e besime të tjera), e cila i është dërguar kryeministrit të Pakistanit dhe institucioneve tjera shtetërore.

Ndër kërkesat që përmban rezoluta, del në pah kërkesa për moshën minimale, 18 vjeç, për martesën e vajzave; kërkesa për krijimin e një ministrie federale për pakicat fetare; respektimit i kuotës prej 5%, e cila duhet të aplikohet për studentët e pakicave fetare për bursa kombëtare e ndërkombëtare; kërkesa e mbrojtjes adekuate për vendet e kulteve që u përkasin pakicave fetare, pastaj nevoja që kanë për t’u mbrojtur edhe në burgje, spitale dhe në institucione shtetërore.

Për më tepër, Memorandumi që i është paraqitur kryeministrit, kërkon nga qeveria subvencione për shkollat ​​e pakicave për të garantuar sigurinë, administrimin dhe mirëmbajtjen e tyre. Pakicat fetare kërkojnë, gjithashtu, ligje të përshtatshme për rastet e blasfemisë dhe për të shmangur diskriminimin mbi baza fetare në punë, shkollë, e përgjithësisht në shoqëri. Një tjetër kërkesë specifike prek problemin e rrëmbimeve, dhunën seksuale dhe konvertimin e detyruar të grave nga pakicat fetare në islam. Për luftimin e këtij fenomeni, pakicat fetare kërkojnë nga qeveria hartimin e miratimin e ligjeve specifike, që garantojnë të drejtat dhe sigurinë e qytetarëve që u përkasin pakicave fetare. Themelore, vihet re në dokumentin e rezolutës nënshkruar nga pakicat fetare të Pakistanit, është eliminimi i materialit që nxit urrejtje nga të gjitha librat dhe nga mediat shkollore e jo-shkollore.

Duke komentuar situatën aktuale, Majida Rizvi, gruaja e parë gjyqtare e Gjykatës së Lartë në Pakistan, e impenjuar në Komisionin Kombëtar për Statusin e Grave, ka deklaruar: "Në kohën e themelimit të Pakistanit, themeluesi i Pakistanit Mohammad Ali Jinnah ka siguruar të drejtat e barabarta, lirinë dhe drejtësinë për pakicat fetare në Pakistan. Anëtarët e pakicave fetare kanë kontribuar në themelimin dhe zhvillimin e Pakistanit; prandaj ata kanë dëshmuar se janë qytetarë të vërtetë të Pakistanit".

Sheema Kirmani, një aktiviste e njohur myslimane për të drejtat e njeriut, tha për agjencisë Fides se: "Të gjithë qytetarët pakistanezë janë të barabartë, kështu që duhet të hiqet koncepti i marrjes në konsideratë të një personi në bazë të kritereve të shumicës ose të pakicave. Gjithashtu duhet të ndryshojmë terminologjinë e të deklarojmë se Pakistani është një vend me një popull me fe të ndryshme. Pra, nuk duhet të ketë ndarje fetare apo diskriminim".

Ghazala Shafiq, një aktiviste e krishterë për të drejtat e grave, pohon: "Në këtë vend është e dhimbshme të theksohet se Kushtetuta e Pakistanit nuk lejon që asnjë jo-mysliman të bëhet president, kryeministër, shef i personelit të ushtrisë ose në ndonjë pozicion tjetër të lartë. Për më tepër, "konvertimet e detyruara të grave që i përkasin pakicave janë në rritje: ato duhet të ndalen dhe të ndëshkohen rëndë nga ligji e nga drejtësia" .

Po kujtojmë se pikërisht si sot më 19 gusht të vitit 1919, me traktatin e Ravalpindit, Kabuli deklaronte pavarësinë nga Perandori Britanike. Është fjala këtu vetëm për njërën nga ngjarjet më dramatike në historinë moderne të këtij vendi, së cilës i shtohet lufta e përgjakshme me sovjetikët (1979-1989) dhe më pas, kërcënimi i terrorizmit të fundamentalistëve talebanë. Edhe sot, pra, Afganistan nuk ka paqe, edhe në pragun e tërheqjes nga vendi të trupave amerikane, në shtator të vitit 2019, sipas parashikimeve.

20 gusht 2019, 11:51