Pakistan: pakicat fetare i dërgojnë një rezolutë kryeministrit, me kërkimin e të drejtave themelore
R.SH. - Vatikan
Karaçi:"Ne jemi besnikë ndaj atdheut tonë të dashur, Pakistanit. Nuk jemi të huaj: Kishat, institucionet fetare, spitalet dhe ndërtesat e zyrave tona kanë një flamur të ngritur të Pakistanit. Jetojmë në këtë tokë për shekuj, shumë përpara krijimit të Pakistanit, dhe këtu shërbejmë me ndershmëri e përkushtim për të mirën e Pakistanit". Kështu u shpreh për Agjencinë Fides, Atë Saleh Diego, Vikar i Përgjithshëm i Kryedioqezës së Karaçit e drejtor dioqezan i Komisionit Kombëtar për Drejtësi e Paqe, duke kujtuar temat kryesore dhe sfidat me të cilat përballen pakicat fetare në Pakistan. Në vitin 2010, ministri i atëhershëm federal për pakicat fetare të Pakistanit, katoliku Shahbaz Bhatti, i cili u vra në 2 mars 2011, pati krijuar një Ditë të veçantë kushtuar komuniteteve e pakicave fetare, e cila kremtohet më 11 gusht.
Atë Saleh Diego më tej shton: "Krishterimi në këtë territor ekziston që nga shekulli i parë, që kur Shën Toma, një nga apostujt e Jezusit, erdhi në nënkontinentin Indian. Ne jemi 100% bijë e bija të kësaj toke; prandaj nuk duhet të trajtohemi si qytetarë të klasit të dytë".
Avokatja katolike Tabbasum Yousaf, duke folur për agjencinë e lajme Fides, kujton se: "Anëtarët e pakicave fetare po kontribuojmë shumë për zhvillimin e Pakistanit. Prandaj duam të nënvizojmë e të përqendrohemi në çështje që lidhen me lirinë tonë, me të drejtat themelore të njeriut, me paragjykimet dhe diskriminimet që ende ekzistojnë posaçërisht ndaj njerëzve që u përkasin pakicave fetare dhe ndaj konvertimeve të detyrueshme të grave që u përkasin pakicave fetare". Avokatja ka paraqitur një rezolutë të përbashkët prej dhjetë pikash, e cila është nënshkruar nga udhëheqësit e përfaqësuesit e feve të ndryshme (të krishterë, hindu, sikh e besime të tjera), e cila i është dërguar kryeministrit të Pakistanit dhe institucioneve tjera shtetërore.
Ndër kërkesat që përmban rezoluta, del në pah kërkesa për moshën minimale, 18 vjeç, për martesën e vajzave; kërkesa për krijimin e një ministrie federale për pakicat fetare; respektimit i kuotës prej 5%, e cila duhet të aplikohet për studentët e pakicave fetare për bursa kombëtare e ndërkombëtare; kërkesa e mbrojtjes adekuate për vendet e kulteve që u përkasin pakicave fetare, pastaj nevoja që kanë për t’u mbrojtur edhe në burgje, spitale dhe në institucione shtetërore.
Për më tepër, Memorandumi që i është paraqitur kryeministrit, kërkon nga qeveria subvencione për shkollat e pakicave për të garantuar sigurinë, administrimin dhe mirëmbajtjen e tyre. Pakicat fetare kërkojnë, gjithashtu, ligje të përshtatshme për rastet e blasfemisë dhe për të shmangur diskriminimin mbi baza fetare në punë, shkollë, e përgjithësisht në shoqëri. Një tjetër kërkesë specifike prek problemin e rrëmbimeve, dhunën seksuale dhe konvertimin e detyruar të grave nga pakicat fetare në islam. Për luftimin e këtij fenomeni, pakicat fetare kërkojnë nga qeveria hartimin e miratimin e ligjeve specifike, që garantojnë të drejtat dhe sigurinë e qytetarëve që u përkasin pakicave fetare. Themelore, vihet re në dokumentin e rezolutës nënshkruar nga pakicat fetare të Pakistanit, është eliminimi i materialit që nxit urrejtje nga të gjitha librat dhe nga mediat shkollore e jo-shkollore.
Duke komentuar situatën aktuale, Majida Rizvi, gruaja e parë gjyqtare e Gjykatës së Lartë në Pakistan, e impenjuar në Komisionin Kombëtar për Statusin e Grave, ka deklaruar: "Në kohën e themelimit të Pakistanit, themeluesi i Pakistanit Mohammad Ali Jinnah ka siguruar të drejtat e barabarta, lirinë dhe drejtësinë për pakicat fetare në Pakistan. Anëtarët e pakicave fetare kanë kontribuar në themelimin dhe zhvillimin e Pakistanit; prandaj ata kanë dëshmuar se janë qytetarë të vërtetë të Pakistanit".
Sheema Kirmani, një aktiviste e njohur myslimane për të drejtat e njeriut, tha për agjencisë Fides se: "Të gjithë qytetarët pakistanezë janë të barabartë, kështu që duhet të hiqet koncepti i marrjes në konsideratë të një personi në bazë të kritereve të shumicës ose të pakicave. Gjithashtu duhet të ndryshojmë terminologjinë e të deklarojmë se Pakistani është një vend me një popull me fe të ndryshme. Pra, nuk duhet të ketë ndarje fetare apo diskriminim".
Ghazala Shafiq, një aktiviste e krishterë për të drejtat e grave, pohon: "Në këtë vend është e dhimbshme të theksohet se Kushtetuta e Pakistanit nuk lejon që asnjë jo-mysliman të bëhet president, kryeministër, shef i personelit të ushtrisë ose në ndonjë pozicion tjetër të lartë. Për më tepër, "konvertimet e detyruara të grave që i përkasin pakicave janë në rritje: ato duhet të ndalen dhe të ndëshkohen rëndë nga ligji e nga drejtësia" .
Po kujtojmë se pikërisht si sot më 19 gusht të vitit 1919, me traktatin e Ravalpindit, Kabuli deklaronte pavarësinë nga Perandori Britanike. Është fjala këtu vetëm për njërën nga ngjarjet më dramatike në historinë moderne të këtij vendi, së cilës i shtohet lufta e përgjakshme me sovjetikët (1979-1989) dhe më pas, kërcënimi i terrorizmit të fundamentalistëve talebanë. Edhe sot, pra, Afganistan nuk ka paqe, edhe në pragun e tërheqjes nga vendi të trupave amerikane, në shtator të vitit 2019, sipas parashikimeve.