Kërko

Pakistan: të krishterët në lutje për "vëllezërit myslimanë të Kashmirit". Thirrje për paqe Pakistan: të krishterët në lutje për "vëllezërit myslimanë të Kashmirit". Thirrje për paqe 

Pakistan: të krishterët në lutje për "vëllezërit myslimanë të Kashmirit". Thirrje për paqe

Një lutje e veçantë u organizua këtyre ditëve për "vëllezërit myslimanë të Kashmirit" nga Komiteti i Solidaritetit Ekumenik i Lahores, përbërë nga Kisha Katolike, Kisha Anglikane, Kisha Presbiteriane, Ushtria e Shpëtimit .Lutja u shoqërua me një thirrje për paqe për rajonin e Kashmirit dhe ndërmjet Indisë e Pakistanit.

R.SH. - Vatikan

Një lutje e veçantë u organizua këtyre ditëve për "vëllezërit myslimanë të Kashmirit" nga Komiteti i Solidaritetit Ekumenik i Lahores, në cilin bëjnë pjesë udhëheqësit pakistanezë të krishterë me emërtime të ndryshme, që i përkasin Kishës Katolike, Kishës Anglikane, Kishës Presbiteriane, Ushtrisë së Shpëtimit . Lutja u shoqërua me një thirrje për paqe për rajonin e Kashmirit, i cili ende është në qendër të tensioneve të forta ndërmjet Indisë e Pakistanit.

Takimi që u drejtua nga françeskani Atë Francis Nadeem, sekretar i Komisionit për dialog ekumenik dhe ndërfetar në Konferencën Episkopale të Pakistanit, pati karakter ndërfetar, duke konsideruar edhe pjesëmarrjen e udhëheqësve myslimanë pakistanezë, të ftuar për këtë rast.

Udhëheqësit e komuniteteve fetare, njofton agjencia e lajmeve Fides, ripohuan vendosmërinë dhe angazhimin e tyre në mbështetje të "vëllezërve të Kashmirit" dhe lëvizjen e tyre për mbrojtjen e dinjitetit, drejtësisë dhe lirisë, duke kujtuar të gjithë ata që, me prejardhje nga ky rajon, kanë kontribuar për pavarësinë e Pakistanit.

Asambleja u lut për paqen dhe harmoninë ndërmjet Pakistanit e Indisë dhe bëri thirrje që "polemika politike midis Indisë e Pakistanit të zgjidhet përmes dialogut, pa përdorimin e armëve dhe me një perspektivë paqeje të vërtetë e të qëndrueshme". Në fund të takimit, udhëheqësit fetarë lëshuan në mënyrë simbolike pëllumbat e bardha me shpresë "që ky mesazh paqeje të arrijë deri në kufijtë indo-pakistanezë e të mund të inkurajojë sadopak pajtimin".

21 gusht 2019, 12:12