Kërko

 Paqe Paqe 

Në Lindau, Asambleja X botërore e feve për paqen

Në Gjermani, takimi Religions for Peace, rrjet ndërkombëtar shumëfesh. Qindra prijës të feve të ndryshme do të angazhohen në kërkim të së mirës së përbashkët.

R. SH. - Vatikan

Takimi i fundit ishte ai i vitit 2013, kur u mblodhën në Vjenë më se 600 pjesëmarrës të Asamblesë së Feve për Paqen. Tani, nga 20 deri më 23 gusht, 800 liderë fetarë, përfaqësues qeverish, ojq-sh e grupesh të shoqërisë civile, do të mblidhen në Lindau, me synim që të arrijnë në një konsensus moral lidhur me sfidat bashkëkohore, të zgjedhin një Këshill Botëror e të promovojnë veprimtari të përbashkëta shumëfetare, përmes e edhe përtej rrjetit “Fetë për Paqen”.

“Të kujdesemi për ardhmërinë tonë të përbashkët” - kjo është tema e edicionit X me objektiva, ndërmjet tjerash, të thellojë bashkëpunimin  shumë-fetar për paqen ndërmjte liderëve fetarë, të mbështesë vendet që vuajnë nën thundrën e dhunës e të konflikteve si dhe proceset e paqes  përmes nismave shumëfetare, kryesisht në Republikën Demokratike të Kongos, në Sudanin e Jugut, në Veri e Jug të Koresë e në Mianmar.

Horizont i së mirës së përbashkët

“Perspektiva - shpjegon Luigi De Salvia, president  i Religions for Peace Italia, në Radio Vaticana Italia -  është  t’i kundërvihesh prirjes mbrojtëse, që mund të shndërrohet në mbyllje brenda kombit a grupit. Kërkohet e mira e përbashkët, i vetmi horizont, që mund të japë shpresë,

Gjatë takimit - vijon De Salvia – do të diskutohet edhe për aksionet  që duhen zhvilluar, posaçërisht në vendet në konflikt, për të kërkuar rrugë pajtimi.

I themeluar më 1970, Fetë për Paqen është një rrejt shumë-fetar ndërkombëtar, i formuar nga një Këshill Botëror liderësh të lartë fetarë, nga gjashtë organizma ndërfetare për kontinentet e ndryshme dhe 9 grupe kombëtare; bëjnë pjesë në të  edhe rrjetet e grave fetare dhe ato ndërfetare të të rinjve.

19 gusht 2019, 12:50