Në Mitingun e Riminit Në Mitingun e Riminit 

Mitingu i Riminit: Roy pohon: “Bota islamike, gjithnjë më e shekullarizuar”.

Në Mitingun e Riminit foli edhe politologu francez, Olivier Roy, si dhe Muhammad Bin Abdul Karim Al-Issa, sekretar i përgjithshëm i Lidhjes Myslimane Botërore. Ishte një nga takimet kushtuar i tëri dialogut dhe nevojës së njohjes, për t’u kuptuar - e kuptimit, për të bashkëjetuar.

R. SH. - Vatikan

Në Rimini të Italisë, ku nga 18 e deri nesër  24 gusht, po mbahet Mitingu 40-të  për Miqësinë ndërmjet Popujve, me temë: “Emri yt lindi, ku i ngule sytë”, një varg i shkëputur nga poezia e Gjon Palit II, kushtuar Veronikës, që ia ngul sytë fytyrës së përgjakur të Krishtit, këto ditë, folën edhe politologu francez Olivier Roy, si dhe sekretari i përgjithshëm i Legës Myslimane Botërore.  Muhammad Bin Abdul Karim Al-Issa. “Është një lloj si të thuash ka rëndësi të njihesh, për t’u kuptuar e të kuptohesh, për të bashkëjetuar”. Është i bindur për këtë, politologu francez Olivier Roy, bashkëpresident i Robert Scuman Centre for advanced Studies (Rscas) dhe titullar i katedrës së Studimeve Mesdhetare në Institutin përkatës, pranë Universitetit Evropian, që vuri temën e dialogut me Islamin, në qendër të një takimi, në përfundim të të cilit Sir i drejtoi disa pyetje:

Cila është vëshitirësia më e madhe, që mund të ndeshet në përpjekjen për ta kuptuar e për ta njohur Islamin?

“Jo të gjithë myslimanët janë besimtarë, ashtu si jo të gjithë evropianët janë të krishterë! Sot, pastaj, ka një farë shkëputjeje ndërmjet bashkësive të fesë dhe të kulturës, që na rrethon, e cila është gjithnjë më e shekullarizuar e më laike. Shekullarizim, që po përhapet gjithnjë më shumë edhe në botën myslimane e që është posaçërisht i dukshëm në vendet e Maghrebit (zona më në perëndim  të Veriut Afrikan,  në brigjet e Detit Mesdhe e  të Oqeanit Atlantik)”.

Me çfarë pasojash?

“Në Egjipt presidenti Al Sisi  e ka ndaluar me ligj ateizmin. Ndoshta sepse   vijon të shtohet numri i njerëzve, që nuk besojnë e që e shpallin haptazi ateizmin e tyre. Edhe në Tunizi po ndodh diçka e ngjashme; shekullarizimi po prek gjithnjë më shumë klasat e mesme e të larta të shoqërisë, që kërkojnë laicitet alla francezshe, me ndarjen e fesë nga shteti… Në Magreb  ka lëvizje në rritje, të cilat kërkojnë lirinë për ta praktikuar ose jo Ramazanin. Në Iran kemi një popullsi të shekullarizuar, si reagim kundër regjimit".

Mendoni se shekullarizimi mund të ndikojë mbi dialogun ndërmjet feve?

“Sigurisht, ka ndikim të dukshëm, si në botën myslimane, ashtu edhe në atë të krishterë. Këto lëvizje tregojnë se ka shkëputje ndërmjet atyre, që e kërkojnë e që nuk e kërkojnë shekullarizimin. Njëzet vjet më parë  fundamentalistët ishin shumë më të fortë, siç e dëshmon edhe numri më i madh i partive islamiste, në krahasim me të sotmen. Në vende, si Tunizia e Maroku, sot kanë epërsinë partitë, që mund t’i quajmë normale. Në Algjeri  kemi parë duke zbritur në shesh një milion demonstrues, që himnizonin atdheun e demokracinë, pa shpalosut aspak flamurin e gjelbër të Islamit”.

Sipas Jush, ky fenomen i shekullarizimit a ndikon edhe mbi Islamin evropian?

“Ka dy tendenca; një fundamentaliste, me vulë salafite, që kërkon t’i mbrojë me çdo kusht rrënjët e Islamit, e një tjetër, më liberale, që është formë e islamit gjithnjë më laik e më të shekullarizuar. Prirja fundamentaliste ishte shumë e fortë në vitet ’90 e 2000. Po sot është në rënie. Ndërsa islami liberal është në rritje për shkak të lindjes së breznisë së re të klasës së mesme e të lartë, me status shoqëror-ekonomik të ndryshëm. E kjo vërehet sidomos në shtete si Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermnia, ku ka lindur borgjezia myslimane. Fenomen, që nuk  është ende i pranishëm në Itali e  në Spanjë”.

Gjithsesi, perceptimi negativ që kanë Evropa dhe bota perëndimore për Islamin mbetet. Pse?

“Është perceptim, që mund të çojë në konflikt me natyrë politike. Mjafton të mendosh për revolucionin iranian të vitit 1978, që e shndërroi monarkinë e vendit në republikë islamike shiite e që krijoi figurën e një revolucioni radikal e të politizuar. Kohët e fundit asistuam edhe në radikalizime me vulë terroriste, duke nisur nga Al Qaeda”.

Çështja islamike është lidhur shpesh me terrorizmin?

“Disa teorizuan se rrënjët e terrorizmit duheshin kërkuar në Kuran e në fe. Sot shumë myfti e teologë islamikë janë ndërgjegjësuar e po mbajnë qëndrime me frymë të spikatur dialogu, duke e pranuar haptazi këtë frymë. Gjëra që, vetëm pak vjet më parë, as që mund të mendoheshin, edhe për shkaqe poltike, lidhur me konfliktin arabo-izraelit, me luftën në Irak e në Siri”.

Fenomeni migrator duket sikur e ushqen këtë perceptim negativ, mbasi shoqërohet shpesh me praninë islamike….

“Kjo tezë mund të kishte vlerë në vitet ’60 - ’70, kur migrimet, nga vende si Turqia e Veriu afrikan lidheshsin me kërkimin e punës. Sot migrimet  janë shumë më të shtrira e migrantët vërshojnë nga të katër anët e botës. Është shoqërizim, që nuk ka më vlerë!”.

Lidhur me dialogun, si e gjykoi bota islamike dokumentin e vëllazërimit, nënshkruar në Abu Dabi nga Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al Azharit, Al Tayyuib?

“Shprehu një vlerësim të madh! Është fjala për një kthesë epokale, siç e dëshmoi edhe Muhammad Bin Abdul Karim Al-Issa, Sekretar i përgjithshëm  i Lidhjes Myslimane Botërore. Një fakt kaq domethënës as që mund të mendohej vetëm pak vjet më parë. Askush nuk do të kishte pasur guximin të nënshkruante një tekst të tillë, posaçërisht nga ana e myslimanëve!”.

22 gusht 2019, 10:43