Kërko

1565104622257.JPG

Lajme nga bota

R.SH. - Vatikan

Zimbabve: emergjencë ushqimore. Rreth një e treta e banorëve të Zimbabves - 5 milion njerëz - kanë nevojë për ndihmë ushqimore, për shkak të thatësirës dhe krizës ekonomike. Alarmi vjen nga Programi Botëror për Ushqimin, i cili ka bërë thirrje të grumbullohen fonde, që duhet të arrijnë në 295 milion euro. David Beasley, kreu i organizatës së OKB-së, deklaroi për BBC-në se rreth 2.5 milion njerëz “po i afrohen vdekjes nga uria, nëse nuk nuk do të ndihmohen”. “Jemi përballë një thatësire, që nuk e kemi parë prej kohësh”, shtoi ai. Mungesa e ushqimit rrit çmimet, ndërsa mungesa e ujit cënon punën e hidrocentralit kryesor në Kariba, duke shkaktuar kufizime në përdorimin e energjisë elektrike në të gjithë vendin. Për më tepër, në mars, disa rajone u goditën nga cikloni Idai, i cili la dhjetëra mijëra të pastrehë. Presidenti Emmerson Mnangagwa shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të thatësirës.

Indi-Pakistan. Nuk ndalet protesta në Kashmirin Indian, pas vendimit të Nju Delhit për t’ia hequr statusin e veçantë këtij rajoni. Janë arrestuar shumë aktivistë dhe politikanë e ka pasur edhe vdekje, ndërsa lugina është izoluar nga pjesa tjetër e Indisë, komunikimet janë pezulluar dhe shtetrrethimi paralizon jetën e përditshme. Zyrat publike, spitalet dhe shkollat ​​janë mbyllur. Dhjetëra mijëra ushtarë të forcave speciale patrullojnë çdo cep, në përpjekje për të kontrolluar gjendjen. Kryeministri Narendra Modi, vetëm pak ditë më parë, mori vendim për ta ndarë shtetin himaljan në dy Bashkime Territoriale, duke anuluar kështu, autonominë e shtetit të Kashmirit, garantuar nga Kushtetuta Indiane që nga viti 1947 dhe konfirmuar nga një rezolutë e OKB-së, më 1948. Pakistani njoftoi se do të dëbojë të dërguarin diplomatik indian në vend dhe do të thërrasë ambasadorin pakistanez në Nju Delhi. Kryeministri pakistanez Imran Khan paralajmëroi se kriza do të ketë pasoja, deri në luftë.

Venezuelë. Qeveria venezueliane e Nicolas Maduro vendosi të ndërpresë bisedimet me opozitën, në shenjë proteste kundër cënimit të interesave të saj ekonomike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me urdhër të administratës Trump. Vendimi u mor kur përfaqësuesit e liderit të opozitës Juan Guaidò, kishin arritur tashmë në ishullin karaibik të Barbadosit, në pritje të fillimit të raundit të gjashtë të bisedimeve, të cilat nisën në maj, nën kujdesin e Norvegjisë. Sidoqoftë, qeveria e Venezuelës deklaron se nuk dëshiron t’i braktisë plotësisht negociatat, por do të rishikojë “mekanizmat e këtij procesi, për të siguruar efikasitetin e tij në vazhdim”.

08 gusht 2019, 16:25