Kërko

Mons Gjergj Meta con un gruppo degli albanesi a Tepelena ricorda le vittime del comunismo in Albania3.jpg

Imzot Gjergj Meta dhe prof. Mark Marku mbi përkujtimin e viktimave të diktaturave

Për 45 vite me radhë, në Shqipëri, u vranë njerëz pa gjyq për një fjalë goje, u torturuan për të kënaqur shpirtkëqinjtë e kuq, u internuan që t’u tretej boja përfundimisht edhe mendjeve më të ndritura të kombit. Për të mos i rivrarë edhe një herë, është detyrë e të gjithëve – e institucioneve në radhë të parë – t’u mësojnë të rinjve historinë e dhimbshme të atyre viteve, të vërtetën e një të kaluare fare të afërt, që, me vështirësi del mbi ujë, pavarësisht se shtohen monumentet e memorialet për të mos harruar.

R.SH. - Vatikan

Kanë kaluar 80 vjet nga ajo ditë e mënxyrshme, kur Gjermania dhe Rusia, në prag të sulmit të Vermahtit kundër Polonisë (që do të ndiqej më 17 shtator nga sulmi i Bashkimit Sovjetik, për të ndarë territoret), vendosën si ta ndanin më dysh Evropën. Është fjala për paktin famëkeq Molotov-Ribbentrop, nënshkruar më 23 gusht 1939, përkujtuar tashmë çdo vit në atë, që njihet si “Dita Evropiane e Përkujtimit të Viktimave të të gjitha regjimeve totalitare dhe autoritare”. Kuptimin e saj e shpjegojnë më së miri zv.presidenti i parë i Komisionit Evropian, Frans Timmermans dhe Komisarja Vera Jourovà, në deklaratën e tyre me këtë rast:

“Sot, 23 gusht – shkruajnë ata – nderojmë kujtimin e miliona viktimave të të gjitha regjimeve totalitare. Si në këtë ditë, në vitin 1939, me nënshkrimin e paktit Molotov-Ribbentrop ndërmjet Gjermanisë naziste dhe Bashkimit Sovjetik, u hap një kapitull i errët në historinë evropiane: një epokë, në të cilën qytetarët nuk mund të zgjidhnin, ose të shprehnin lirisht idetë e tyre politike; një Evropë, në të cilën liria dhe demokracia ishin thjesht kimera. Nën regjimet totalitare në Evropë, u internuan, u torturuan dhe u vranë dhjetra miliona njerëz. Mizoria e paparë, privimi i lirisë dhe mosrespektimi i të drejtave themelore bënë që disa breza, në pjesë të caktuara të Evropës, të mos mundin ta shijojnë lirinë dhe demokracinë.

Këtë vit, kremtojmë edhe 30-vjetorin e ngjarjeve të vitit 1989, kur qytetarët e Evropës Qendrore dhe Lindore ngritën krye dhe hapën të çarën e parë në Perden e Hekurt, duke përshpejtuar rënien e saj. Guximi i tyre solli lirinë dhe demokracinë në gjithë Evropën. Ata qytetarë – vijon deklarata e krerëve të Komisionit Evropian – kontribuan në kapërcimin e përçarjeve dhe në bashkimin e Evropës. E tyrja është kjo trashëgimi kolektive evropiane, të cilën duhet ta vlerësojmë, ta mbrojmë dhe ta kultivojmë.

Kanë kaluar 80 vite nga 1939-a dhe brezi, që njohu plagën e totalitarizmit, pothuajse është zhdukur; historia e përjetuar kthehet në histori të shkruar. Prandaj, - bëjnë thirrje Timmermans dhe Jourovà – varet nga ne, ne e kemi për detyrë ta mbajmë gjallë kujtesën dhe t’i frymëzojmë e t’i udhëzojmë brezat e rinj për mbrojtjen e të drejtave themelore, për sundimin e ligjit dhe të demokracisë. Këto janë vlerat, që na bëjnë çka jemi. Të qëndrojmë të vendosur dhe të bashkuar kundër regjimeve totalitare dhe autoritare të të gjitha llojeve. Evropa e lirë nuk është siguri, duhet të vendosim për lirinë, çdo ditë”.

Po Shqipëria?

Më 23 gusht 1939, Gjermania naziste dhe Bashkimi Sovjetik nënshkruan paktin Molotov-Ribbentrop, që do ta ndante Evropën qendrore dhe lindore dhe do të çonte në shkeljen e të drejtave themelore të dhjetëra miliona njerëzve, në njërin nga kapitujt më të errët në historinë e kontinentit. Për dekada të tëra pas përfundimit të Luftës II Botërore, shumë evropianë vazhduan të vuanin nën shtypjen e regjimeve totalitare, më i egri ndër të cilët, ka qenë pa dyshim ai shqiptar.

Për 45 vite me radhë, në Shqipëri, u vranë njerëz pa gjyq për një fjalë goje, u torturuan për të kënaqur shpirtkëqinjtë e kuq, u internuan që t’u tretej boja përfundimisht edhe mendjeve më të ndritura të kombit. Për të mos i rivrarë edhe një herë ata, që flijuan jetën e familjen, me shpresën se brezat e ardhshëm do të gëzonin një ditë demokracinë, është detyrë e të gjithëve – e institucioneve në radhë të parë – t’u mësojnë të rinjve historinë e dhimbshme të atyre viteve, të vërtetën e një të kaluare fare të afërt, që, me vështirësi del mbi ujë, pavarësisht se shtohen monumentet e memorialet për të mos harruar. Të dëgjojmë komentin e ipeshkvit të Rrëshenit, imzot Gjergj Metës, sekretar i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe atë të prof. Mark Markut…

Dëgjo imzot Gjergj Metën...
Dëgjo prof. Mark Markun...
23 gusht 2019, 13:37