Të krishterë, në lutje Të krishterë, në lutje 

Dita për të persekutuarit e fesë. Acs: shenjë e rëndësishme

Kremtohet sot, 22 gusht, për herë të parë nga OKB-ja, Dita Ndërkombëtare e përkujtimit të viktimave të dhunës, shkaktuar në emër të fesë a të bindjeve personale. Intervistë me drejtorin e degës italiane të Fondacionit papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”(Acs), Alessandro Monteduro.

R.SH. - Vatikan

“Në këtë ditë, ripohojmë mbështetjen tonë të palëkundur për viktimat e dhunës së bazuar në fe e në bindje personale. Dhe e dëshmojmë këtë mbështetje, duke bërë ç’është e mundur për t’i parandaluar sulme të tilla e duke kërkuar që përgjegjësit të dënohen”. Kështu thekson Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, duke kujtuar rëndësinë e kremtimit të parë të Ditës Ndërkombëtare të përkujtimit të viktimave të dhunës në emër të fesë a të bindjeve personale. Kombet e Bashkuara kanë vendosur ta kremtojnë atë çdo 22 gusht, me një rezolutë të miratuar më 28 majin e sivjetëm. Në tekst, OKB-ja kujton se “terrorizmi dhe ekstremizmi, në të gjitha format dhe manifestimet, nuk mund dhe nuk duhet t’i bashkohen ndonjë feje, kombësie, qytetërimi apo grupi etnik”.

Dhunohet e drejta ndërkombëtare

         Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini, deklaroi sot se “besimtarët e çdo feje dhe jo besimtarët vazhdojnë të vuajnë nga dhuna dhe persekutimi në shumë anë të botës”. “Nëse një shoqëri lejon përndjekjen e pakicave, krijon bazën për persekutimin e çdo bashkësie”. “Persekutimi, si përgjigje për bindjet fetare ose për mungesën e tyre - shton Federica Mogherini - është shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe kërkon punë të përbashkët për ta luftuar”.

Të mos instrumentalizohet feja

         Gjatë papnisë së tij, Papa Françesku ka bërë shpesh thirrje të mos përdoret feja për të nxitur dhunën:

“U kërkojmë të gjithëve të mos i shfrytëzojnë fetë për të nxitur urrejtjen, dhunën, ekstremizmin dhe fanatizmin e verbër, si edhe të mos e përdorin emrin e Zotit për të justifikuar aktet e vrasjeve, të internimeve, të terrorizmit dhe të shtypjes” (Dokumenti për Vëllazërimin Njerëzor, nënshkruar nga Papa Françesku dhe nga Imami i Madh i Al-Azharit, Ahmad Al-Tayyeb).

Acs: ka më shumë ndjeshmëri ndaj të përsekutuarve

Kjo Ditë Ndërkombëtare, që tërheq vëmendjen ndaj të vuajturve për fe, është shenjë vëmendjeje, nënvizon, nëmikrofonin e Radio Vatikanit,  drejtori i degës italiane të Fondacionit papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”(Acs), Alessandro Monteduro. Liria fetare është nëna e të gjitha lirive, pohon ai.

Për të gjithë ne - për të gjithë ata që merren, si “Ndihmë për Kishën që vuan”, me lirinë e fesë e sidomos, me njerëzit e shumtë, që vuajnë nga persekutimet – kjo Ditë, më në fund, është një sinjal vëmendjeje dhe një gjest ndjeshmërie. Sidomos vitet e fundit, liria fetare është perceptuar disi si një lloj lirie e rangut më të ulët. Llojet e tjera të lirisë kanë pushtuar politikën, institucionet, forumet ndërkombëtare; po mendoj për liritë, që lidhen me racën, me seksualitetin ... Fakti që liria fetare, sot, promovohet në një rang më të lartë, është fakt pozitiv: me siguri, do të thotë që po fitohet vetëdije për të edhe përmes shifrave dramatike. Tema e lirisë së besimit është shumë e rëndësishme për të mos u vlerësuar si duhet.

Edhe sepse mosrespektimi i kësaj lirie e dhunimi i saj sjell mohimin e lirive të tjera…

Absolutisht, ajo është nëna e të gjitha lirive. 20% e vendeve në botë nuk e respektojnë lirinë fetare. 60% e popullsisë botërore, pra, katër miliard njerëz, jetojnë në vende ku liria e besimit nuk është plotësisht e garantuar. Keqtrajtimi i respektit për lirinë e besimit do të thotë të abuzosh me lirinë, në kuptimin më të gjerë të saj: përmes lirisë fetare arrijmë t’u japim rëndësi më të madhe edhe lirive të tjera, si ajo e ndërgjegjes dhe e mendimit. Në nenin 18 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut nënvizohet se këto tre liri shkojnë paralelisht dhe duhet të mbrohen gjithmonë.

Janë të shumta vendet, ku bashkësia e krishterë është viktimë e diskriminimeve dhe e dhunës…

Nuk mund të mos themi se bashkësia e krishterë është më e persekutuara në botë. Të paktën 300 milion sivëllezërit tanë jetojnë në vende, ku, për fat të keq, shkelet liria e besimit; po flasim për një çdo shtatë të krishterë në botë. Më vjen mirë që kjo rezolutë - e cila u miratua nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara majin e kaluar – u mbështet edhe nga vende, që vuajnë drejtpërdrejt nga persekutimi. Për shembull, Pakistani, Egjipti, Iraku dhe, më vjen mirë që me ta u bashkuan kombe, që provuan ndjeshmëri për këtë çështje e vendosën ta përkrahin këtë betejë, si SHBA-të, Polonia, Brazili dhe Jordania. Bota po përpiqet t’u thotë popullatave dhe persekutuesve se sot, mbase, ka një ndjeshmëri më të madhe për ata, që vuajnë, në emër të lirisë së fesë.

Më shumë vëmendje për ata, që e vuajnë persekutimin edhe për shkak të ideologjive. Një shembull është rajoni i Lindjes së Mesme, ku i ashtuquajturi Shtet Islamik, pavarësisht se është mundur ushtarakisht, nuk ka vdekur akoma dhe vazhdon të përhapë retorikën e tij të urryer...

Është e vërtetë, por përsa i përket Lindjes së Mesme – që të lëmë një mesazh shprese, mendoj për Irakun, ose Sirinë – gjatë muajve të kaluar e veçanërisht gjatë vitit të kaluar, ka ndodhur diçka e mirë, pozitive, megjithëse nuk e ka zgjidhur plotësisht çështjen. Në planin ushtarak, një pjesë e mirë e organizatave terroriste janë mundur. Qindra njerëz po impenjohen që të përndjekurit të mund të kthehen më në fund në shtëpitë e tyre. Në rastin e të krishterëve, është kthyer në Ninive rreth 48% e asaj popullate, e atyre 120.000 vetëve, që u detyruan të iknin nga fanatizmi i njerëzve të kalifatit; edhe në Homs të Sirisë po kthehen të krishterët e, kjo do të thotë shpresë. Në vitin 2018, lirimi i Azia Bibit, vendosja e disa normave, siç janë ato egjiptiane për ndërtimin e vendeve të kultit, sollën shpresë. Shpresë, si Dita e 22 gushtit dhe veprimet konkrete për të krishterët e persekutuar dhe për të gjithë ata që vuajnë nga përndjekjet.

22 gusht 2019, 18:18