Kërko

Terrorizëm në Afganistan Terrorizëm në Afganistan 

Dita Ndërkombëtare kushtuar viktimave të terrorizmit

Themeluar në vitin 2018, Dita Ndërkombëtare kushtuar viktimave të terrorizmit kremtohet çdo 21 gusht. OKB-ja e fton bashkësinë botërore ta ketë mirë parasysh.

R.SH. - Vatikan

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, me rezolutën 72/165, vendosi para dy vitesh ta shpallë 21 gushtin, Ditë Ndërkombëtare për të përkujtuar e për të nderuar viktimat e terrorizmit. Synimi nuk është vetëm nderimi i viktimave, por edhe përkrahja e të gjithë atyre, që kanë mbijetuar nga terrorizmi, duke promovuar të drejtat e njeriut dhe liritë e tyre themelore.

Mesazhi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së

         “Terrorizmi, në të gjitha format dhe shfaqjet e tij, mbetet sfidë globale, që u shkakton dëme të përhershme njerëzve, familjeve dhe bashkësive. Këto shenja plagësh janë të thella e, megjithëse mund të veniten me kalimin e kohës, nuk zhduken kurrë”. Kështu shkruan Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në Mesazhin e tij për Ditën e sotme. “Kjo Ditë Ndërkombëtare na kujton se, për shumë kohë pas një sulmi, viktimat vazhdojnë të luftojnë kundër pasojave. Viktimat dhe të mbijetuarit në mbarë botën – lexohet në mesazh - duhet të kenë mundësinë ta marrin veten përmes drejtësisë dhe masave mbështetëse”. “Përkrahja e viktimave të terrorizmit - shkruan Guterres - është një nga mënyrat për të marrë përsipër përgjegjësinë e mbrojtjes së të drejtave të tyre dhe të humanitetit tonë të përbashkët. Duke i dëgjuar, mund të mësojmë shumë rreth mënyrës më të mirë për t’i bashkuar komunitetet tona kundër terrorizmit”.

Strategjia globale e Kombeve të Bashkuara

         Strategjia globale e Kombeve të Bashkuara kundër terrorizmit, e miratuar nga Asambleja e përgjithshme më 8 shtator 2006, parashikon forcimin e aftësisë së OKB-së për të parandaluar konfliktet, për të ndërmjetësuar, për t’i nxitur palët të ulen në tryezën e bisedimeve, për të ruajtur dhe konsoliduar paqen. Tema kryesore e këtij edicioni të dytë ka të bëjë me aftësinë ripërtëritëse të viktimave dhe të familjeve të tyre. Është një reflektim mbi udhën e bërë për ta kapërcyer përvojën e tyre të dhimbshme e për t’u shëruar shpirtërisht; është edhe një përpjekje e përbashkët për të forcuar strategjitë në luftën kundër terrorizmit. Sot, Guterres përuron në Nju Jork, në Pallatin e Qelqit, një ekspozitë fotografike, organizuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Luftën kundër Terrorizmit (UNOCT) dhe nga Grupi i Miqve të Viktimave. Përbëhet nga dëshmitë dhe historitë, që tregojnë udhën personale përballuar nga këta njerëz, rilindjen e atyre, që kanë kaluar nëpër këtë përvojë të hidhur e tepër të dhimbshme.

21 gusht 2019, 15:31