Kërko

 Shtegtarët myslimanë më Mekë Shtegtarët myslimanë më Mekë 

Arabia Saudite: më se dy milionë myslimanë, shtegtarë në Mekë

Më se dy milionë myslimanë priten këto ditë në Mekë, në Arabinë Saudite, për shtegtimin vjetor. Riti fetar, që duhet kryer në muajin e fundit të kalendarit hënor islamik, përfundon më 14 gusht.

R. SH. - Vatikan

Janë në Mekë, për shtegtimin tradicional (Hajj - Haxhi), edhe dyqind familjarët e viktimave të Christchurch, me ftesën e mbretit saudit, Salman bin Abdulaziz si dhe disa besimtarë, që mbijetuan nga masakra e marsit të kaluar, në dy xhamitë e qytetit neozelandez, e cila shaktoi 51 të vdekur. Në përfundim të shtegtimit, do të kremtohet Festa e Flijimit (Id al-adha).

Shtegtimi në Mekë është shtylla e pestë e Islamit e çdo mysliman duhet ta kryejë së paku një herë në jetë. “Ka funksion shumë të rëndësishëm, si nga pikpamja  shoqërore, ashtu edhe ajo fetare sepse, në një farë mënyre, materializon unitetin e bashkësisë myslimane, umma-në, që jeton në të katër anët e botës”. Kështu  e shpjegon, në Vatican News shtegtimin në Mekë, Profesor Renzo Guolo, pedagog i Sociologjisë së feve, pranë Universitetit të Padovës:

“Për myslimanët, të takohesh së bashku e të kryesh ritet e caktuara, do të thotë të pohosh unitetin e besimtarëve dhe bashkësinë e fesë, duke zhdukur edhe ndryshimet shoqërore. Nuk është e rastit, për shembull,  që këtë vit, Mbreti i Arabisë Saudite ftoi edhe njerëz, që ishin të pranishëm në atentatin e Christchurch, në Zelandën e Re, pikërisht që bota ta kuptojë se myslimanët janë kudo në botë, por i përkasin një bashkësie të vetme fetare. Ka pra, domethënie sa shoqërore, aq edhe fetare, duke pasur parasysh se shtegtimi është një nga pesë shtyllat e Islamit, domethënë,  detyrë fetare për çdo besimtar mysliman”.

Ç’ kuptim ka festa e flijimit?

“Festa e flijimit” kujton gjestin e Abrahamit, duke i bashkuar myslimanët në këtë kremtim solemn. Nga njëra anë, kujton këtë gjest, nga ana tjetër, ripohon se Islami ka një rrënjë të përbashkët abrahamitike. Shpesh nënvleftësohet  fakti se tri fetë - Krishterimi, Hebraizmi e Islami - kanë si element të përbashkët, rrënjën abrahamitike”.

Një akademi islamike i ftoi besimtarët t’i shuajnë celularët gjatë haxhillëkut. A ka rrezik që përdorimi i internetit dhe i mjeteve të reja të komunikimit të ndikojë për ta zhvlerësuar këtë gjest?

“Është rrezik i përbashkët për të gjitha fetë. E dimë mirë se teknologjitë e reja janë edhe të dëmshme, e kështu krijojnë rrezikun ta trazojnë shtegtimin, çast i veçantë i fesë. Mjafton të kujtojmë se shtegtarët që marrin pjesë janë të detyruar t’i heqin edhe veshjet e zakonshme  e të vishen të gjithë njëlloj, me petka të bardha. Është gjest simbolik i besimtarit, që tregon, kështu, se zhvishet nga gjithçka. Thua mund të  tolerohen, në një atmosferë të tillë, smartphonët, që ta largojnë mendjen e zemrën nga çdo element mistik i praktikës rituale?”.

Fakti që Papa Françesku niset në udhëtimet e tij, edhe në viset myslimane, si “shtegtar”,  ç’ndikim ka mbi këta popuj?

“Ka kuptim shumë të rëndësishëm! E bën të dukshëm dëshirën e Papës Françesku që të shmangë çdo prirje për t’i shikuar fetë si element konflikti e,  sidomos,  që  askush të mos e përdorë  emrin e Zotit - aq më shumë, të një Zoti të përbashkët – si element mohimi të identitetit fetar të tjetrit;  e ka edhe kuptimin e paraqitjes si shtegtar, me sjellje të përvuajtura, por, natyrisht, pa hequr dorë nga identiteti i tij! Fetë ekzistojnë, janë të shumta. Këtë e dimë të gjithë. Ashtu si e dimë se nuk është aspak e lehtë t’i harmonizosh, sepse kur nis e diskuton për ndryshimet teologjike, elementet bëhen shumë më të ndërlikuara; ndërsa në praktikë, në njohjen e  vlerave të përbashkëta, gjithçka thjeshtohet. Njerëzit e thjeshtë merren vesh shumë më lehtë! E, prej këndej, qëllimi i Papës është të nxisë harmoninë ndërmjet feve, t’i hapë rrugën  shkëmbimit të vlerave”.

10 gusht 2019, 18:08