Kërko

Vatican News
Më 13 gusht 1961,  filloi ndërtimi i murit të Berlinit Më 13 gusht 1961, filloi ndërtimi i murit të Berlinit 

58 vjet më parë, më 13 gusht 1961, filloi ndërtimi i murit të Berlinit

Më 13 gusht 1961, Republika Demokratike e Gjermanisë filloi ndërtimin e murit që ndante Berlinin, barriera më famëkeqe e Luftës së Ftohtë, në Evropën e ndarë më dysh: nga njëra anë Perëndimi demokratik e nga ana tjetër, Lindja komuniste. Mendja e sëmurë e funksionarëve të Partisë Komuniste Lindore, në orbitën e Moskës, bëri që të ngrihej një mur 155 km i gjatë, me qëllimin zyrtar “mbrojtjen nga sulmet e Perëndimit”, por realisht, ai shërbeu vetëm për të mos lejuar ikjen.

R.SH. - Vatikan

58 vjet më parë, më 13 gusht 1961, Republika Demokratike e Gjermanisë filloi ndërtimin e murit që ndante Berlinin. Sot më 13 gusht përkujtohet fillimi i ndërtimit të Murit të Berlinit, barriera më famëkeqe e Luftës së Ftohtë, në Evropën e ndarë më dysh: nga njëra anë Perëndimi demokratik e nga ana tjetër, Lindja komuniste.

Në portën e Brandenburgut lexohen një për një emrat e viktimave që shkaktoi Muri i Berlinit gjatë viteve të komunizmit në Gjermaninë Lindore. Në urën e Glinikes, e famshme për shkëmbimin e spiunëve gjatë Luftës së Ftohtë, një procesion me pishtarë kujton sa e sa të rënë, në përpjekjen për të ikur nga tmerri e persekutimi. E nuk resht debati, pas zbulimit të dokumentit të Stazit, që provon se ekzistonte urdhëri formal për të qëlluar kundër kujtdo që përpiqej të kapërcente atë kufi me çimento e tela me gjemba, ndërtimi i të cilit filloi pikërisht në të gdhirë të 13 gushtit, në vitin jo dhe aq të largët, 1961

“Askush s’ka ndërmend të ndërtojë një mur” pati qenë deklarata e gënjeshtërt e Valter Ulbrihtit, kreut të shtetit e sekretar i Partisë Komuniste të Gjermanisë Lindore, më 15 qershor të po atij viti. Por ajo që ndodhi 58 vjet më parë, ishte përgatitur në vitet e shkuara. Konferenca e Jaltës, në vitin 1945, kishte vendosur ta ndante Gjermaninë në katër sektorë influence, të kontrolluara nga Bashkimi Sovjetik, SHBA-të, Britania e Madhe dhe Franca. Tre sektorët perëndimorë themeluan në vitin 1949 Republikën Federale Gjermane.

Me ashpërsimin e Luftës së Ftohtë, lëvizjet nga njëri krah në tjetrin u kufizuan shumë e në vitin 1952 kufiri u mbyll. Por asgjë nuk e ndalonte hemorragjinë njerëzore nga Lindja në Perëndim. Në periudhën 1949-1961, rreth 2 milion e gjysmë gjermanë kaluan nga Gjermania Lindore në atë Perëndimore. Mendja e sëmurë e funksionarëve të Partisë Komuniste Lindore, në orbitën e Moskës, bëri që të ngrihej një mur 155 km i gjatë, me qëllimin zyrtar “mbrojtjen nga sulmet e Perëndimit”, por realisht, ai shërbeu vetëm për të mos lejuar ikjen. 

Megjithatë, nga viti 1962 deri në vitin 1989 të arratisurit kapnin shifrën 5 mijë, por edhe viktimat nuk ishin pak: vlerësohen nga 192 deri në 239 vetë. Në vitin 1962 u ndërtua edhe një mur tjetër në brendësi të kufirit, duke krijuar të ashtuquajturin “rripi i vdekjes”. Më vonë u bënë fortifikime e ndërtime të tjera. Muri rezistoi deri më 9 nëntor 1989, kur berlinezët e lindjes mundën të kalonin pa probleme në perëndim, për të përqafuar familjarët e miqtë e tyre.  “Që sonte, kufiri është i hapur”. Me këtë njoftim të kryetarit të Partisë Komuniste berlineze, Gunter Schabowsky, më 9 nëntor të vitit 1989, filloi prishja e Murit të Berlinit, simbol kryesor i Luftës së Ftohtë, ndërtuar në vitin 1961 nga regjimi i Walter Ulbricht-it. 30 vjet më parë, qytetarët e Berlinit mundën të kalonin, më në fund, kufirin që ndante më dysh qytetin. Kjo ditë nuk shënoi vetëm bashkimin e tij - që do të sillte më pas edhe bashkimin e Gjermanisë – por edhe rënien e perdes së hekurt ndërmjet Lindjes e Perëndimit të Evropës e fundin e Luftës së Ftohtë. 

Aty ku deri 58 vjet më parë ngrihej barriera më e famshme dhe më e urryer e botës moderne, sot kalon një pistë për biçikletat, përshkimi i së cilës e lejon kureshtarin të vizitojë vendet kyçe të historisë së Murit të Berlinit. Edhe sot ruhen 5 nga 33 kullat e vrojtimit, dy lapidarët që kujtojnë Gynter Litfimin, dëshmorin e parë të Murit dhe autobuzin me 12 udhëtarë që u bë shoshë nga plumbat, në përpjekjen për të kaluar kufirin. E pastaj grafitet e famshme 3 metra e 60 cm të larta, një copë e të cilave, ndodhet edhe në Kopshtet e Vatikanit për vullnet të Papës Gjon Pali II.

 

13 gusht 2019, 15:32