Kërko

 Portreti i Ferdinando Magelanit Portreti i Ferdinando Magelanit 

500-vjet më parë, udhëtimi i parë rreth botës

Me 237 burra e 5 anije, Magelani u nis nga Spanja, për të kryer një lundrim që i hapi botës horizonte të reja, të panjohura. 500-vjet më parë…

R. SH. - Vatikan

Duke nisur nga viti 2018 e deri më 2022, Spanja përkujton, me një mori nismash, 500-vjetorin e ekspeditës së Ferdinand Magelanit dhe Huan Sebastián Elcano-s. Aventura e tyre e jashtëzakonshme, që nisi në Sivilja, për t’u drejtuar nga ishujt Moluke, Indonezi - në vitin 1519 - përfundoi tri vjet më pas, me rrotullimin e plotë, të parë, rreth botës.

Në shërbim të Kurorës spanjolle, portugezi fisnik, i rafinuar, Magelani, së bashku me eksploratorin, me origjinë baske, Juan Sebastian Elcano, u nisën, më 10 gusht, dita e Shën Lorencit, nga skela e Siviljes, siç shkruan vincentini Antonio Pigafetta, kronist i kësaj ngajrjeje të parë  globale  në historinë e njerëzimit:

“Si mora vesh se qe përgatitur një flotë në qytetin e Seviljes, e përbërë nga pesë anije, për të shkuar e për të zbuluar erëzat në ishujt e Malukut,  kapitan i përgjithshëm i së cilës ishte Fernando de Magaglianes, fisnik portugez e komendator i Shën Jakobit të Shpatës, që shpesh herë, me shumë lavde kishte shtegtuar në mënyra të ndryshme nëpër Oqean, u nisa me të”.  

Më pas përshkrimi i hollësishëm i flotës, pajisur me njerëz e sende të të gjitha llojeve, me 237 detarë e 15 veliera, të vëna në dispozicion nga Karli V, nisur në kërkim të rrugëve të reja, për ta bërë sa më të lehtë transportin e erëzave nga Bota e Re. Për Magelanin, në të vërtetë, sfida ishte zbulimi i ekzistencës së një kalimi ndërmjet Oqeanit Atlantik e Oqeanit Paqësor, domethënë, i mundësisë për të arritur në Lindje, duke lundruar drejt Perëndimit. Nuk ishte e lehtë. Ndonëse i njihte mrekullisht mirë të gjitha hartat e kohës, do të ndeshej me një mori të papriturash, gjatë kësaj sipërmarrjeje  të jashtëzakonshme, tejet të rrezikshme.

Gabime drejtimi, sëmundje, uri, ndeshje me banorët  e panjohur të trojeve të reja, e katandisën flotën prej pesë anijesh, në një anije të vetme. E nga 237 detarët, shpëtuan vetëm 18. U rikthyen nga ishin nisur me lavdi, por pa “kapedanin”, pa Magelanin, që  vdiq  në ishullin Cebu - në Filipine - gjatë një ndeshjeje me popullsinë vendase. Ishte data 27 prill. Viti, 1521!

Edhe pse nuk arriti ta çonte deri në fund misionin, Magelani qe evropiani i parë që lundroi nëpër Oqeanin Paqësor e që gjeti kalimin e natyrshëm - në ekzistencën e të cilit nuk dyshoi kurrë - në Oqeanin Atlantik. Nuk mendoi fare për pasojat! E, Njeri i detit siç ishte, deti e tërhoqi me pafundësinë e tij, pa e lënë të mendojë fare se mund të fitonte lavdi të përjetshme, por duke humbur jetën!

Pakëz histori

Në fillim të shekullit XVI, spanjollët dhe portugezët nisën të mendojnë se Amerika, ashtu si Afrika, ngushtohet në jug dhe se pikërisht nëpër këtë ngushticë mund të lundrohej nga  Atlantiku, në Oqeanin Paqësor. Një prej përfaqësuesve më të flakët të këtij mendimi, ishte Fernando Magelani. Pas mospërfilljes së planit të tij nga mbreti portugez, lundërtari i madh u shpërngul në Spanjë, ku u takua me mbretin, të cilin e magjepsi menjëherë me planin e tij guximtar. Mbreti spanjoll e miratoi. Kështu, me datë 10 gusht 1519,  u nis.

Në lundrim, pas anijeve të Magelanit

Flota lundroi në drejtim të jugperëndimit dhe  arriti, së pari, në ujdhesat Kanarie, e pastaj vijoi drejt jugut e jugperëndimit. Në muajin janar ekspedita hyri në gjirin e Rios. Duke menduar se kishte arritur në grykëderdhjen e ndonjë lumi, Magelani e quajti  Rio de Janeiro-Lumi i Janarit. Dimri i zuri lundërtarët pranë bregdetit të Patagonisë, ku u detyruan të ndalen prej 31 marsit deri më 18 tetor 1520. Këtu detarët u takuan me vendasit, të cilët i quajtën patagonë (këmbë mëdhenj) sepse këmbët i kishin  të mbështjella me lëkura kafshësh. Pas shumë mundimesh ekspedita gjeti kalimin për në Oqeanin Paqësor, përmes ngushticës ndërmjet Amerikës Jugore dhe Tokës së Zjarrtë, që më pas u pagëzua me emrin e Magelanit. Me që ishte ftoftë e banorët vendas ndiznin zjarre të mëdha, ujdhesa u quajt Toka e Zjarrtë. Emër që e ka edhe sot. 

Anijet e Magelanit udhëtuan për 99 ditë në Oqeanin e pafund, të cilin e pagëzuan ‘i Qetë’’ ose ‘’Paqësor’’, ngaqë gjatë kësaj kohe oqeani ishte i qetë, pa dallgë. Pas shumë kohësh ekspedita arriti në ujdhesat Mariane e prej aty, drejt Filipineve, ku më 27 prill 1521 Magelani vdiq, gjatë një ndeshjeje me vendasit. Ekspedita vazhdoi, nën udhëheqjen e Sebastian Elkanos, drejt Oqeanit Indian, duke u rikthyer në Atlantik. Pas lundrimit 3 vjeçar, një anije e vetme, Viktoria, me 18 lundërtarë, gjysëm të gjallë e gjysëm skeletër, hyri më 6 shtator 1522 në limanin prej nga qe nisur, e pritur me një festë të paharrueshme. Siç ishte edhe rrotullimi i parë rreth tokës, nëpër oqeane e detra.

Këtë festë,  që filloi që më 2018, po e kremton Spanja, deri në vitin 2022!  Kështu përfundoi lundrimi i parë rreth botës, që dëshmoi përfundimisht   se toka është e rrumbullakët dhe se masa ujore zë një sipërfaqe më të madhe, se ajo tokësore.

11 gusht 2019, 17:00