Uria në botë vijon... Uria në botë vijon... 

Uria në botë: agjencitë e OKB-së, “820 milionë njerëz të uritur. 2 miliardë, të pabukë”

Numërohen ende 820 milionë njerëz, që vuajnë nga uria në botë (të dhënat janë të vitit 2018). Pas përmirësimit të ndjeshëm në disa dhjetëvjeçarë, më 2015 udha e mbarë mori fund.

R. SH. - Vatikan

Numërohen ende 820 milionë njerëz, që vuajnë nga uria në botë (të dhënat janë të vitit 2018). Pas përmirësimit të ndjeshëm në disa dhjetëvjeçarë, më 2015 udha e mbarë mori fund. Rifilloi klithma e urisë, që u ridëgjua së pari në Afrikë; më lehtë, në Amerikën Latine e në Azinë perëndimore. Kjo e vështirëson akoma më shumë arritjen e objektivave të bashkësisë ndërkombëtare për zhdukjen e urisë në botë brenda vitit 2030. Më se 2 miliardë njerëz nuk kanë shujtë të mjaftuesëme, të sigurt e të  ushqyeshme. Atyre u shtohet edhe l’8% e popullsisë së Amerikës së Veriut e të Evropës. Këto, të dhënat e Raportit të ri “Mbi gjendjen e sigurimit ushqimor në botë, më 2019”, paraqitur sot në New York, nga pesë agjenci të Kombeve të Bashkuara: Fao, World food/Pam (Programi ushqimor botëror), Unicef, Ifad (Fondi ndërkombëtar për zhvillimin e bujqësisë), Oms/Who (Organizata botërore e shëndetësisë). Uria e skajshme vijon të bëhet gjithnjë më dramatike kryesisht në viset e Afrikës sub-sahariane, ku  niveli i mungesës së ushqimit arrin në 20%. Por rritet edhe në Amerikën Latine e në Karaibe, me një përqindje prej  7%. Në Azi shtohet kryesisht në vendet më perëndimore, me 12% të popullsisë së kequshqyer. Sipas Raportit të  agjencive të OKB-së, në çdo gjashtë fëmijë, një është i paushqyer, 20,5 milionë lindin nën peshën e duhur; 149 milionë të tjerë rriten me vonesë, për shkak të ushqimit të keq a të pamjaftueshëm. Të dhëna, këto, që tregojnë se realizimi i objektivave për 2030-tën është tejet i vonuar. Në vend që të rikthehen në gjithë botën shpresat për t’i dhënë fund urisë, rikthehen problemet. Në njërën anë fëmijë skeletër - në tjetrën, fëmijë obezë, mbi peshë, që edhe rriten me të njëjtat shqetësime. Në vitin 2018, më se 40 milionë fëmijë nën moshën 5 vjeç ishin mbi peshën e duhur.  Kjo, gjendja e kësaj bote, ku vijon të thellohet çekuilibri ndërmjet urisë së tepruar e ngopjes së tepruar!

16 korrik 2019, 14:11