Kërko

Vatican News
 Në mbrojtje të biodiversitetit Në mbrojtje të biodiversitetit 

Të krishterët, së bashku, për mbrojtjen e biodiversitetit

Të krishterët e mbarë botës do të kremtojnë së bashku “Kohën e Krijimit”. Shpresohet se në këtë “Kohë” të krishterët do të kenë mundësi të flasin njëzëri në mbrojtje të shtëpisë së përbashkët.

R. SH. - Vatikan

Pas pak javësh, katolikët, anglikanët, luteranët e ungjillorët e mbarë botës,  do të kremtojnë së bashku “Kohën e Krijimit”, nismë ekumenike, që synon t’i sensibilizojë të krishterët për mbrojtjen e shtëpisë sonë të përbashkët. Tema e zgjedhur është “Rrjet jete”, me vëmendje të posaçme mbi biodiversitetin, në një kohë kur vijon me shpejtësi shqetësuese zhdukja e specieve të ndryshme të gjalla. Sipas një raporti të kohëve të fundit të Kombeve të Bashkuara, nga çdo tetë specie, që jetojnë sot mbi tokë, një është në rrezik të zhduket.

“Koha e Krijimit”, do të vijojë nga 1 shtatori, Dita botërore e lutjes për kujdesin ndaj krijimit, shpallur nga Patriku i Kostandinopojës Dimitrios, në vitin 1989, për ortodoksët, të cilën Papa Françesku e bëri të vetën më 2015-tën, e deri më 4 tetor, festa e Shën Françeskut  të Asizit, që njihet si pajtor i ekologjisë nga tradita të ndryshme të krishtera. Ndërmjet organizatorëve të nismës, janë Bashkimi Anglikan, Federata Botërore Luterane, Këshilli Botëror i Kishave dhe Aleanca Ungjillore Botërore, por edhe dikasteri për Shërbimin e Zhvillimtit të Gjithanshëm  të Njeriut. Për ta jetuar sa më mirë këtë muaj, mund të lexohet doracaku on line,  i cili shpjegon domethënien teologjike të biodiversitetit të tokës, që ushqen ciklin e jetës. Dokumenti propozon edhe një liturgji për një takim ekumenik lutjeje, lexime me temë ekologjike, link me komente eko-teologjike e himne. Në doracak gjinden edhe këshilla për bashkësitë, të cilat dëshirojnë të organizojnë fushata e të marrin pjesë në nisma lokale e globale, për të mbrojtur ekosistemin.

“Ankohemi se shumë krijesa të Zotit po zhduken nga toka me një ritëm, që nuk arrijmë dot as ta kuptojmë” -  komentojnë në hyrje të doracakut liderët e Kishave të ndryshme, që u bashkuan me nismën, duke nisur nga insektet e vogla, tek gjitarët; nga bimët mikroskopike, tek pemët vigane: bimë e krijesa  por shuhen njëra pas tjetrës e rrezikohen të zhduken përgjithmonë. E kjo është humbje tragjike - theksojnë autorët e doracakut - të cilët u kërkojnë të krishterëve “ta kremtojnë bukurinë e dhuratës hyjnore të krijimit me lutje, psalme e shkrime të tjera”; “Të reflektojnë për mënyrën me të cilën po e rrënojmë krijimin”; “Të thellojnë njohuritë e bashkësive të krishtera mbi natyrën dhe ekologjinë dhe ta mbrojnë natyrën, duke u nisur nga shtëpitë e veta, për të vijuar në shkolla, kisha e mjedise të tjera, ku krijimi takohet me gjithë larushinë e vet”.

Shpresohet se në këtë “Kohë krijimi” të krishterët do të kenë mundësi të flasin njëzëri. U krijohen plot mundësi, si në këtë takim, ashtu edhe në samititn  e OKB-së për klimën, në shtator; në Sinodin për Amazonën,  në tetor e në Kongresin botëror mbi natyrën, në qershor. Është një mundësi për ta dashur fytyrën e Zotit, ashtu si duket në Amazonë e në vende të tjera të botës, nga më të njohurat, tek më të harruarat!

Kuptimi i fjalës Biodiversiteti

Kujtojmë  se Biodiversiteti është diversitet gjenetik i llojeve dhe eko-sistemeve.  Biodiversiteti nënkupton tërësinë e llojeve dhe ekosistemeve në një rajon apo në gjithë globin, ose, shprehur ndryshe, paraqet shumëllojshmërinë e jetës mbi tokë. Jeta e gjallë në tokë ka nivele të ndryshme duke filluar nga ADN-ja, llojet, popullacionet dhe ekosistemi.

Sipas të dhënave shkencore në tërë botën deri tani janë identifikuar 1,75 milion lloje. Por sipas vlerësimeve të shkencës, ekzistojnë edhe miliona  të tjera, të paidentifikuara, shumica e të cilave gjinden në vendet tropikale (vlerësohet se numri i llojeve mundë të jetë mbi 5 milion).

20 korrik 2019, 11:02