Protesta antiqeveritare në Tiranë, 8 korrik 2019 Protesta antiqeveritare në Tiranë, 8 korrik 2019 

Shqipëria në “L’Osservatore Romano”: komision hetimor për presidentin Meta

Parlamenti i Shqipërisë miraton krijimin e një Komisioni të veçantë hetimor për të shkarkuar nga detyra presidentin Ilir Meta. Lajmi pasqyrohet në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”.

R.SH. - Vatikan

Parlamenti shqiptar miratoi dje me 101 vota pro dhe vetëm 6 kundër (nga 140 të mundshmet, pasi aq janë anëtarët e tij), krijimin e një Komisioni të veçantë Hetimor për shkarkimin nga detyra të presidentit të Republikës, Ilir Meta. Lajmi i dhënë nga shumë media të botës, pasqyrohet edhe në gazetën zyrtare të Vatikanit “L’Osservatore Romano”.

         Nisma e shumicës socialiste të kryeministrit Edi Rama, e mbështetur edhe nga përfaqësuesit e opozitës që nuk dhanë dorëheqjen, erdhi si përgjigje ndaj vendimit të 10 qershorit të kreut të shtetit për të anuluar datën e zgjedhjeve lokale, të cilat, gjithsesi, u mbajtën më 30 qershor, siç parashikohej. Sipas shumicës, dekreti Meta “është shkelje e hapur e Kushtetutës”. Vetë kryeministri e quajti atë “burim të paqëndrueshmërisë politike dhe institucionale, i rrezikshëm për shoqërinë”, duke hedhur tezën se Presidenti i Republikës është vënë “në krye të veprimtarisë së opozitës për të penguar zgjedhjet administrative dhe fillimin e negociatave të integrimit në Bashkimin Evropian”.

         Në këto kushte, vijon të citojë gazeta kryeministrin Rama, “parlamenti nuk mund të mbyllë sytë para kësaj situate, prandaj, shkarkimi i Metës është masë e detyrueshme”. Nga ana e tij, presidenti Meta i parapriu sesionit të mbrëmjes së djeshme me një deklaratë të gjatë, në të cilën përsëriti se dekreti për anulimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit “është akoma i vlefshëm”, prandaj votimet “janë të paligjshme”. Komisioni Hetimor ka tre muaj kohë, për të paraqitur në parlament një raport të hollësishëm për çështjen. Megjithatë, fjala e fundit i takon Gjykatës Kushtetuese, e cila duhet ta miratojë ose ta hedhë poshtë vendimin për shkarkimin nga detyra të kreut të shtetit, përfundon lajmin gazeta e Vatikanit, “L’Osservatore Romano”.

09 korrik 2019, 17:36