Kërko

 vetrate Chiesa vetrate Chiesa 

Shenjtorët e javës 14 - 21 korrik

Mё 14 korrik, kalendari përkujton shën Kamilin de Lellis, meshtar. Lutja që Shën Kamili e përsëriste më shpesh thotë: “Do të desha një zemër të madh sa vetë bota!”. Një zemër që i zë të gjithë njerëzit. Jetoi me moton: “T’u shërbesh të varfërve, do të thotë t’i shërbesh vetë Krishtit”. Kamili gjeti kështu idealin, për të cilin ia vlen të shkrish të gjitha energjitë e jetës.

R.SH. - Vatikan

E diel 14 korrik, Kisha katolike kremton tё dielёn e 15-tё gjatё vitit kishtar, ciklit tё tretёGjithnjё mё 14 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Kamilin de Lellis, meshtar. Lutja që Shën Kamili pëlqente më shumë e të cilën e përsëriste më shpesh: “Do të desha një zemër të madh sa vetë bota!”. Një zemër që i zë të gjithë njerëzit. Jetoi me moton: “T’u shërbesh të varfërve, do të thotë t’i shërbesh vetë Krishtit”. Kamili gjeti kështu idealin, për të cilin ia vlen të shkrish të gjitha energjitë e jetës.

“Shko, e bëj edhe ti kështu”. Kjo ёshtë porosia e Jezu Krishtit, qё na vjen nga fragmenti i Ungjillit tё kësaj sё diele tё 15-tё nga Shën Luka, nga shëmbëlltyra e Samaritanit të Mirë, e cila përcakton edhe qëndrimin e shoqërisë ndaj më të brishtëve, ndaj atyre, që kanë më shumë nevojë për kujdes. Në kёtё aspekt, kemi shembullin e disa shenjtorëve, që e shkrinë jetën në shërbim të të sëmurëve e të nevojtarëve. Po përmendim veçanërisht Shenjtës shqiptare, Nënë Terezën, e cila e fillonte gjithnjë ditën, duke takuar Jezusin në Eukaristi, për të dalë pastaj, me Rruzare në dorë, në rrugë, ku takonte dhe i shërbente Zotit të pranishëm në njerëzit e vuajtur, sidomos në ata, që ‘nuk u afrohet kush, nuk duhen, nuk kurohen. ’Shko, e bëj edhe ti kështu’. Një ‘mandat’ i skalitur në zemra, sepse me këto fjalë, Zoti Jezus na tregon edhe sot, cili duhet të jetë qëndrimi e sjellja e çdo dishepulli të vet ndaj të tjerëve, sidomos, nëse kanë nevojë për kurim.

Të hёnёn më 15 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Bonaventurën nga Bagnoregio, ipeshkëv e dijetar i Kishës, teolog e mistik i madh françeskan.  Liturgjia hyjnore na kujton se në mbarim të jetës sonë, kur do të prekim bregun tjetër, vetë Zoti do t’i marrë në duart e tij veprat tona të mira. Atje do të vijnë edhe engjëjt e do të pastrojnë, bashkë me Të, çka nuk është pastruar plotësisht në jetën tonë. E në dorë të Zotit do të mbetet vetëm dashuria e jetuar

Të martën më 16 korrik, Kisha do të kremtojë festën e Zojës së Karmelit, që tradita e Kishës në Shqipëri e njeh me emrin Zoja Karmë. Përkujtohet edhe Shën Maria Madalena Postel, virgjër, themeluese e motrave të shkollave të krishtera të mëshirës.  Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi është në qëndër të gjithçkaje dhe na kërkon ta vemë mbi gjithçka: mbi prindërit, mbi bijtë e edhe mbi jetën tonë. Vetëm kështu nxënësi bëhet i denjë për Jezusin. Është një kërkesë që s’të lë në paqe, sepse i ngjet shpatës, që pret çdo lidhje.

Të mёrkurёn më 17 korrik,  kalendari përkujton Shën Marçelinën, virgjër, motër e Shën Ambrozit, ipeshkëv; Shën Aleksin e Shën Leonin IV, papë. Liturgjia e ditёs na kujton se bashkimi i pakushtëzuar me Jezusin është kushti që duhet përmbushur për t’u shëlbuar. Fati i amshuar i secilit nga ne, lidhet me qëndrimin që mbajmë ndaj Zotit. Krishti na thotë edhe neve “Mjerë ti!”, kur e presim me indiferencë e nuk duam ta kuptojmë se pa Të nuk mund të kemi jetë.

Tё enjten mё 18 korrik, kalendari pёrkujton shën Emilianin martir; shën Brunon e Senjit, ipeshkëv dhe shën Federiku. Liturgjia e ditёs na kujton se mënyra si sillet Jezusi, e bën t’i ngjasë gjithnjë më shumë shërbëtorit të Hyjit, kumtuar nga Izaia profet: me butësinë e tij i ndihmon njerëzit në mjerimet e tyre fizike e shpirtërore, në sa tashmë kanë nisur të komplotojnë kundër tij.

Të premten më 19 korrik, kalendari shënon përkujtimin e shën Simakut, papë. Liturgjia e ditёs na kujton se Zoti nuk e then kurrë besën e dhënë. Ka premtuar ta shpëtojë njeriun e lodhur e të shtypur dhe e mban premtimin, duke i dërguar Birin e vet, Jezusin. Por paradoksalisht, në sa na shpëton nga barra e mundimeve tona, kërkon të marrim mbi shpinë zgjedhën e tij, kryqin e tij, e ta ndjekim pas, duke na siguruar se kjo barrë bëhet e lehtë në se mësojmë ta mbartim me zemër të butë e të përvujtë, si na mëson Ai.

Të shtunёn më 20 korrik, kalendari kishtar do të përkujtojë shën Apolinarin, ipeshkëv i Ravenës e martir, shën Elinë profet e të shën Aurelin e Kartagjenës.  Liturgjia e ditёs na kujton se nëse e kalojmë jetën duke besuar Zotin, në Të do të gjejmë lirinë e plotë të shpirtit. Shën Elia është pajtor i Berdicës e i Reçit, fshatra pranë Shkodrës, dhe në Krythë afër Ulqinit.

Të dielën e ardhshme më 21 korrik, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 16-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjё mё 21 korrik, kalendari kishtar pёrkujton shёn Lorencin nga Brindisi, meshtar kaupuçin doktor i Kishës, shën Prasedian-en romake e shën Ezekielin profet.  Liturgjia na kujton se Zoti e bekon njeriu që jep me gëzim, që di të dhurojë pa shpërblim, pa shikuar kurrfarë interesi, pa pritur që ndokush t’i shprehë mirënjohjen për veprat e mira. I mjafton besimi se Zoti sheh gjithçka.

13 korrik 2019, 20:07