Kërko

 Kryqi  e Hëna Kryqi e Hëna 

Njeriu i parë që u kungua….në Hënë

Thellësisht i krishterë presbiterian, austronauti Buzz, para se të nisej për në Hënë, kërkoi leje të posaçme për të marrë me vete Hosten Shenjte. E falënderoi, kështu, Zotin, pak minuta para se njeriu i parë në historinë e njerëzimit, të zbriste në trojet e Hënës.

Shumë kuriozitete tregohen për zbritjen e njeriut në Hënë, por njëri është me të vërtetë më prekësi, i paharruar për atë, që e dëgjon: kungimi i Buzz, presbiterian i Kishës së Webster, në Texas. Ishte vetë famullitari i  famullisë së tij, Dean Woodruff, që i dha një leje të veçantë për ta marrë  me vete Hosten e për t’u kunguar vetë, në rrethana vërtetë krejtësisht të jashtëzakonshme, kur nën këmbë kishte hënën e mbi kokë, kupolën e qiellit! Katedralja më mahnitëse!

Fjalët e thëna e të pathëna, të Buzz Aldrin

Nasa, duke pasur frikë se një akt i tillë fetar mund të ngrinte shumë pluhur, domethënë, mund edhe të kishte kundra opinionin publik, ia ndaloi Aldrinit leximin e fragmentit biblik, që kishte përgatitë për këtë rast “Unë jam hardhia, ju jeni shermendët; kush rri në mua e unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë” (Gjoni, 15.5) duke e zëvendësuar me një frazë asnjanëse: “Këtu është piloti i modulit hënor Buzz Aldrin; dua të përfitoj nga kjo mundësi për t’i kërkuar çdo njeriu, që po më dëgjon, kushdo qoftë e kudo qoftë, të ndalohet një çast e të kundrojë atë, që po ndodh në këto orë”. Po ndodhte vërtet një mrekulli!

Çasti i kungimit

Pikërisht kur LEM mbështetej mbi sipërfaqen e satelitit tonë, Armstrong e Aldrin duhet të prisnin rreth një orë para se të shkelnin mbi trojet e Hënës. Ishte pikërisht kjo hapësirë kohe, nga e cila Buzz, sot 89 vjeç, përfitoi për të marrë Sakramentin e krishterë: për t’u kunguar, në rrethana kaq të jashtëzakonshme, duke u bërë jo vetëm njeriu i parë, që i afrohej Hënës,  por edhe që u kungua, nësa kolegët e tij përgatiteshin për të bërë hapin e parë në Hënë. Atë çast të paharrueshëm, kur nga duart e tij varej jo vetëm suksesi i këtij misioni të pashembullt, por edhe jeta e dy kolegëve, kozmonauti hëngri copëzën e bukës e piu nga kelku verën – Korpin e Gjakun e Krishtit e, me mikrofone të shuara, lexoi fragmentin e Biblës, që kishte përgatitur, i ndjekur nga  sytë e Neil Armstrongut, që nuk e pati as nuk e deshi këtë fat të jashtëzakoshëm.

Më 1998 do të ishte vetë Aldrin, që do t’i kujtonte hollësisht këto çaste:

“E hodha verën në kelkun, që ma kishte dorëzuar kisha jonë. Me gravitetin hënor, një e gjashta e atij tokësor, vera zbriti ngadalë e me elegancë në fund të kupës”.

Shujta e parë e konsumuar në Hënë

Aldrin kujton edhe se ishin buka e vera e kungimit, ushqimet e para njerëzore, që u konsumuan për herë të parë pranë Hënës. Ndonëse akti fetar nuk u bë publik, edhe sot e kësaj dite Kisha presbiteriane e Webster  e  kremton vit për vit të Dielën e “Kungimit hënor”.

Në librin e kujtimeve(Magnificent Desolation,2009), shkruar me katër duar me Ken Abraham, Aldrin kujton: “Po të më duhej ta përsëris këtë përvojë, nuk do ta kremtoja kungimin. Edhe pse për mua ishte një përvojë e thellë, është gjithsesi e gjithnjë Sakrament i krishterë, e ne ishim në hënë në emër të gjithë gjinisë njerëzore: hebrenjve, myslimanëve, animistëve, angostikëve ose ateistëve. Por, në atë kohë, nuk munda të mendoj ndonjë gjest tjetër, më domethënës, se Kungimi me Korpin e Gjakun e Zotit, Krijues i gjithësisë e i të gjithëve, për ta kremtuar pafundësinë e përvojës së Apollo 11, duke e falënderuar kështu, Hyun!”.

 

31 korrik 2019, 13:29