Kërko

 Sulm i Boko Haram në Nigeri Sulm i Boko Haram në Nigeri 

Në Nigeri, sulm i ri i Boko Haram kundër një fshati

Në veri lindje të Nigerisë, gjatë një sulmi, u vranë 65 vetë. Besohet se ky akt dhune, kryer në Nganzai, në shtetin Borno, kundër banorëve të një fshati, që po ktheheshin nga një funeral, është vepër e grupit ekstremist Boko Haram.

R. SH. - Vatikan

Ishte atentati më i rëndë, që besohet të jetë vepër e Boko Haram, kundër civilëve në Nigeri, që nga fillimi i vitit. Sulmuesit, të armatosur deri në dhëmbë, arritën me motoçikleta në Nganzai, në veri-lindje të vendit afrikan dhe nisën të shtjenë kundër një grupi njerëzish, që po ktheheshin nga një funeral, i kremtuar në fshatin fqinj. 62 të vdekur e 11 të plagosur, bilanci përfundimtar. Ka mundësi të ketë qenë raprezalje kundër banorëve të Nganzai të cilët, pikërisht dy javë më parë, e zmbrapsën një sulm të grupit fundamentalist në zonë.

Dhjetë vjet dhunë

Grupi Boko Haram, emri i të cilit ka kuptimin “Edukimi perëndimor është mëkat”, që prej dhjetë vjetësh mbjell vdekje e terror në Veri-lindje të Nigerisë. Gjatë viteve sulmet u shtrinë edhe në vendet fqinje, si Çadi e Kameruni. Një vazhdë terrori e gjaku, që sipas të dhënave të OKB-së, ka shkaktuar vdekjen e 27 mijë vetëve, duke i detyruar 2,8 milionë civilë të ikin nga shtëpitë e tyre.

Lëvizje gjithnjë më e dhunshme

“Gjatë këtyre viteve - pohon për Radio Vatikan Italia, Enrico Casale, i revistës Africa, drejtuar nga Etërit e Bardhë - Boko Haram  vijon  të bëhet gjithnjë më i dhunshëm, ndonëse i ngarkuar me tensione të brendshme. Në fillim planifikonte sulme të mëdha, të bujshme, pastaj, duke u ndeshur me forcat e rendit, nisi të përqendrohej në operacione më të vogla, me synime të mirëpërcaktuara”. Ndërkaq  edhe fshatrat e vegjël të vendit kanë nisur të reagojnë kundër lëvizjes islamike fundamentaliste. Po organizohen gjithnjë më mirë për t’iu përgjigjur sulmeve të Boko Haram që, megjithatë, është akoma i fortë, pavarësisht nga angazhimi i Nigerisë për ta çrrënjosur nga vendi.

30 korrik 2019, 12:06