Kërko

 Presidenti i Mozambikut Nyusi Presidenti i Mozambikut Nyusi 

Mozambik: Nyusi viziton Shën Egjidin: vendi e pret me gëzim Papën

Duke vizituar Bashkësinë e Shën Egjidit, në Romë, Presidenti i Mozambikut, Filipe Nyusi, foli për shpresat e vendit afrikan, në pritje të Papës, që do ta vizitojë shtatorin e ardhshëm. Falënderoi edhe Bashkësinë për angazhimin historik në favor të paqes, për ndihmën dhënë të sëmurëve me Sida si dhe për solidaritetin pas ciklonit Idai.

R. SH. - Vatikan

Populli mozambikian e pret me padurim e me gëzim të madh vizitën e Papës. Këtë theksoi presidenti i Mozambikut, Filipe Nyusi dje, gjatë vizitës në Selinë e Bashkësisë së Shën Egjidit, në Romë, duke kujtuar shtegtimin apostolik të Françeskut në Mozambik, Madagaskar e Maurizio, nga 4 deri më 10 shtator. Në Maputo Papa do të jetë më 4 shtator.

Paqja e vitit 1992

Në përshëndetjen drejtuar Bashkësisë së Shën Egjidit, presidenti Nyusi e quajti “shtëpia e paqes dhe e Mozambikut”, duke kujtuar se në vitin 1990, pikërisht në  gjirin e Shën Egjidit u zhvilluan bisedimet, që përfunduan më 4 tetor 1992, me nënshkrimin e pajtimit ndërmjet krerëve të dy palëve në luftë, Joaquim Chissano-s, asokohe president i vendit, dhe Alfonso Dhlakama, kreu i guerriljes Renamo, pas një ndeshjeje, që pati si pasojë  më se një milion të vdekur.

Programi Dream

Gjatë vizitës, Filipe Nyusi u takua me themeluesin e Shën Egjidit, Andrea Riccardi-n, me presidentin Marco Impagliazzo dhe disa  drejtues të tjerë të  Bashkësisë. Nyusi i ftoi, më pas, gazetarët e pranishëm të realizojnë një reportazh, përmes të cilit të vënë në dukje ç’përfaqëson Shën Egjidi për Mozambikun. Përveç lehtësimit të dialogut për pajtimin kombëtar, Presidenti kujtoi edhe ndihmën për mjekimin e Sidës, me programin Dream si dhe përpjekjet  e shumta të solidaritetit në favor të popullsisë.

Cikloni Idai

Presidenti i shprehu Bashkësisë edhe mirënjohjen për afërsinë dhe solidaritetin e menjëhershëm pas ciklonit shkatrrimtar Idai, që dëmtoi rëndë posaçërisht zonën e Beira-s, duke shkaktuar vdekjen e më se 600 vetëve në Mozambik, por duke goditur edhe Malawin e Zimbabwen. “Falënderoj posaçërisht  të rinjtë e shumtë mozambikianë, vullnetarë  të Shën Egjidit, që punuan me vetmohim për t’i ndihmuar viktimat e ciklonit. “Edhe me ndihmën e Shën Egjidit - përfundoi -  do ta rindërtojmë Beirën”.

10 korrik 2019, 11:59