Shtegtimi Apostolik i Papës në Emiratet e Bashkuara Arabe Shtegtimi Apostolik i Papës në Emiratet e Bashkuara Arabe 

Liderët myslimanë bashkohen me Dokumentin mbi Vëllazërimin

Gati gjashtë muaj pas nënshkrimit të Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor në Abu Dabi, nga Papa Françesku dhe Imami i madh i Al-Azhar Ahmad Al-Tayyeb, 22 liderë dhe intelektualë myslimanë sunitë, shiitë e sufi nënshkruan një tekst 15 faqesh, për të pohuar se e mbështesin Dokumentin.

R. SH.- Vatikan 

“Pikënisje” – e “rrugë pa kthim”. Kështu, sipas “La Croix”, 22 liderë dhe intelektualë myslimanë sunitë, shiitë e sufi e quajnë dokumentin mbi “Vëllazërimin Njerëzor për paqen në botë dhe bashkëjetesën”, nënshkruar në Abu Dabi, në Emiratet Arabe, gjatë vizitës së Papës,  më 3 e 5 shkurtin e kaluar. Dokumentin e nënshkruan së bashku Papa dhe Imami i madh i Al-Azhar Ahmad Al-Tayyeb, për të pohuar      se kultura e dialogut është udha për të jetuar në paqe, duke u njohur reciprokisht.

Vëllazërim, për njohje e bashkëpunim

Vëllazërim për njohje e bashkëpunim. Ky, titulli i tekstit prej 15 faqesh, lindur nga nisma e Imamit Yahja Pallavicini, kryetar i Bashkësisë fetare islamike italiane (Coreis) së bashku me institucionin e Studimeve Islamike në Francë dhe një grup tjetër prijësish myslimanë, që patën nënshkruar Letrën e 138 intelektualëve myslimanë drejtuar Papës Benedikti XVI, në vitin 2007, ose Deklaratën e Marrakeshit mbi pakicat fetare, më 2016. Në tekst Dokumenti mbi Vëllazërimin Njerëzor, quhet “ngjarje institucionale” e pashembullt në historinë e marrëdhënieve ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, shenjë e hapjes së një faze të re, të orientuar drejt njohjes legjitime e providenciale të zbulesave të larmishme teologjike, feve, gjuhëve e bashkësive fetare”.

Larmi, për të vënë në jetë vëllazërimin

122 liderët dhe intelektualët myslimanë vënë në dukje se larmitë nuk  shikohen më “si thirrje  për pushtime a prozelitizëm, ose si pretekst për tolerancë fasade, por si mundësi për ta  jetuar vëllazërimin, që është thirrje e cila bën pjesë në planet e Zotit për krijimin”. Për më tepër - sipas tyre – dialogu ndërfetar, i këshilluar nga Kurani, sot duket jetik.

Të krishterë e myslimanë, të ndërtojnë një rrjet dialogu

Ndjeti i tekstit të kohëve të fundit - kujton imami Pallavicini - është të nxisë reflektimin mbi “Deklaratën, metodën e gjuhën e saj”, duke e diskutuar në mënyrë vëllazërore, mundësisht kritike, por pa e përjashtuar haptazi tekstin për arsye ideologjike ose politike”. Kreu i Coreis, nënvizon se nënshkrimi i Abu Dabit shkaktoi përçarje brenda botës myslimane e nuk munguan kritikat për nismën e prirë nga Emiratet Arabe e çuar përpara nga Imami i Madh i al-Azhar. Disa përfaqësues fetarë vendosën të mos e nënshkruajnë tekstin “Vëllazërimi për njohje e bashkëpunim”. Kush e nënshkroi - shpjegon Pallavicini - përpiqet ta pranojë ftesën për të krijuar “vëllazërimin njerëzor” përtej kufijve fetarë, me ndjet që të nxisë nisma lokale mbi bazën e kësaj Deklarate, edhe në nivel akademik, duke ndërtuar një rrjet, që e mbështet dialogun ndërmjet të krishterëve e myslimanëve”.

18 korrik 2019, 13:11