Kërko

Qendra e bombarduar e emigrantëve në Libi Qendra e bombarduar e emigrantëve në Libi 

Libi: së paku 40 të vdekur nga sulmi kundër qendrës së emigrantëve

Bombardimet ndodhën në një qendër për emigrantët në Tajoura, pranë Tripolit. Qeveria e mbështetur nga OKB-ja akuzon ushtrinë kombëtare libiane, të udhëhequr nga gjenerali Haftar.

R.SH. - Vatikan

Kërdi e vërtetë. Dhjetëra viktima, ndër të cilët, edhe gra e fëmijë. Pak kilometra nga Tripoli, shumë afër Detit Mesdhe, disa avionë goditën një qendër për emigrantët, ardhur në Tajoura kryesisht nga Sudani, Eritrea dhe Somalia. Qeveria e mbështetur nga OKB-ja dhe nga SHBA-të akuzon ushtrinë kombëtare libiane, e cila mohon të ketë bombarduar qendrën.

Shumë kufoma nën rrënoja

“Gjendje jashtëzakonisht tragjike, sepse ka ende trupa nën rrënoja”, deklaroi një korrespondent i Al-Jazeera, duke shpjeguar se në qendër ishin strehuar emigrantë nga vende afrikane, por edhe libianë. Viktimat janë së paku dyzet e po aq edhe të plagosurit, siç pohoi zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë të qeverisë së Kombeve të Bashkuara, Malek Merset, i cili publikoi disa fotografi, ku tregohen ambulancat që çojnë njerëzit në spital. Në mëngjes, u bë e njohur nota e Ministrisë libiane të Punëve të Brendshme: 40 të vdekur, 35 të plagosur, 120 persona të pranishëm në qendër, në çastin e sulmit.

Sulmi ajror

         Në një deklaratë, qeveria e mbështetur nga OKB-ja, e akuzon gjeneralin Haftar si përgjegjës për sulmin e natës së kaluar. Vetëm 48 orë më parë, vetë Haftari pati paralajmëruar për “sulme të vendosura ajrore në pika të caktuara”, nën kontrollin e ushtrisë së presidentit al-Serraj. Më pas, përmes zëdhënësit, konfirmoi se kishte goditur të paktën 30 objektiva, vetëm dje. Por, sipas lajmeve të Al-Jazeera, ushtria kombëtare libiane e gjeneralit Haftar e ka përgënjeshtruar lajmin për hedhjen e bombave mbi qendrën e emigrantëve, duke deklaruar se sulmi është kryer nga milicët aleatë me qeverinë e Tripolit.

Shqetësimi i UNHCR-së

         Agjencia e OKB-së për refugjatët (UNHCR) reagon me shqetësim ndaj sulmit të Tripolit. “UNHCR është jashtëzakonisht e shqetësuar për lajmet mbi sulmet ajrore kundër qendrës së Tajoura-s dhe për numrin e madh të refugjatëve dhe të emigrantëve të vrarë”, shkruan Agjencia në faqen e saj Tëitter. “Civilët nuk duhet të jenë kurrë objektiv”, shtohet më pas. Misioni i Kombeve të Bashkuara në Libi vë në dukje se në qendrat pranë zonave të luftës, strehohen rreth 3.500 emigrantë dhe refugjatë, prandaj jeta e tyre është në rrezik të madh.

“Portet e Libisë nuk janë të sigurta. Në 3 muaj, 780 të vdekur”

“Ajo që ndodhi, tregon se portet libiane nuk janë të sigurta. Në vend, vijon lufta për pushtet e, që nga prilli e deri më sot, janë vrarë 780 vetë”: kjo deklaratë u bë sot nga themeluesi dhe kryetari i AMSI-t, Shoqatës së mjekëve me origjinë të huaj në Itali, Foad Aodi. Sipas njoftimeve të mjekëve të shoqatës, kontaktuar menjëherë pas masakrës në Libi, numri i viktimave ka arritur tashmë në 45, ndërsa numri i të plagosurve është edhe më i lartë. “Vendi duhet stabilizuar në mënyrë paqësore, duke i dhënë zë popullit”, shton Aodi, duke nënvizuar se gjendja në spitale është keqësuar ndjeshëm muajin e fundit, duke rritur rrezikun e epidemive.

03 korrik 2019, 13:48