Kërko

Kryetari i ri i Parlamentit Evropian, David Sassoli Kryetari i ri i Parlamentit Evropian, David Sassoli 

Kryetari i ri i Parlamentit Evropian, Sassoli: për emigracionin, duhet më shumë Evropë

Intervistë me kryetarin e Parlamentit Evropian, David Sassoli, i cili trajton problemin e emigracionit në mikrofonin e Radio Vatikanit Italia, si edhe nevojën për ta bërë Evropën më të njohur për qytetarët e saj.

R.SH. - Vatikan

Dje, italiani David Sassoli u zgjodh kryetar i Parlamentit Europian. Në fjalimin e tij të parë, theksoi se Evropa duhet “të bazohet më fort në frymën e etërve themelues”, “ta kombinojë zhvillimin me mbrojtjen shoqërore dhe me respektin për mjedisin”, si edhe “të bëjë investimeve afatgjata”. Gjithashtu, kërkoi një rol më të madh për Bashkimin Evropian në fushën e emigracionit.

Dy gra, në krye të institucioneve evropiane

E pas bisedimeve të gjata, në krye të institucioneve kryesore evropiane, zgjidhen edhe dy gra: Ursula von der Leyen dhe Christine Lagarde. E para, është ministrja aktuale gjermane e Mbrojtjes, e cila u zgjodh kryetare e Komisionit Evropian. Ka shtatë fëmijë dhe është gruaja e parë e gjermanja e parë, që zgjidhet në këtë post, pas Ëalter Hallstein në vitet ’50. Duhet parë nëse do ta kryejë detyrën po aq mirë sa ai.

Gruaja tjetër, që u zgjodh në krye të Bankës Qendrore Evropiane, është Christine Lagarde, ish-drejtoresha operative e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Evropianët e njohin mirë për shkak të qëndrimeve rigoriste në Greqi, ku ishte pjesë e Trojkës.

David Sassoli në mikrofonin e Radio Vatikanit

Sot, Radio Vatikani ia drejtoi mikrofonin e saj kryetarit të ri të Parlamentit Evropian, David Sassoli, i cili shpreh habinë për zgjedhjen e tij në këtë detyrë. Ta dëgjojmë…

Unë nuk jam kandidat i Këshillit. Më zgjodhi Parlamenti, më zgjodhën deputetët dhe grupet, që më mbështetën. Ishte kandidaturë e çastit të fundit, prandaj u befasova shumë.

Evropa po kalon vështirësi jo të pakta. Si mund të afrohen qytetarët me institucionet evropiane, tek të cilat duket sikur e kanë humbur besimin?

Së pari, duke i bërë institucionet më të kuptueshme. Kemi nevojë ta njohim më mirë Evropën, edhe për t’u dhënë mundësi qytetarëve ta ndryshojnë atë. Ne kemi nevojë për më shumë komunikim, pasi njerëzit duhet ta dinë çfarë bëhet në institucione e cilat janë detyrat e tyre. Evropa është ende shumë e largët dhe disi e panjohur. Shpesh, përmendet sikur të ishte ndonjë fantazmë; në të vërtetë, gjithçka që vjen nga Evropa është rezultat i vendimeve politike, i mekanizmave demokratike, i institucioneve të saj. Duhet ta bëjmë më të qartë këtë. Pastaj, kemi nevojë për një politikë, që u përgjigjet nevojave të qytetarëve dhe përpiqet ta kuptojë frikën e zemërimin e tyre: një politikë më pranë njerëzve do t’u japë të gjithëve mundësinë të jenë në lartësinë e sfidave të kohës.

Por, në këtë Evropë, po dalin mbi ujë edhe populizmat. Si duhen përballuar ato?

Nëse njerëzit do ta dinin se, për shembull, Evropa ka pak kompetencë për imigracionin, nuk do të pyesnin se çfarë bën Evropa për imigracionin, por pse shtetet nuk ua transferojnë institucioneve evropiane pushtetin mbi migracionin, që aktualisht, bën pjesë në politikën kombëtare? Sot, problem kryesor është administrimi i fenomeneve të reja. Kemi nevojë për më shumë Evropë që t’u bëjmë ballë. Natyrisht, ka nga ata që mendojnë se Evropa nuk duhet të jetë e bashkuar e nuk duhet ta ketë këtë aftësi. Ne duhet ta luftojmë egoizmin e kombeve e të shteteve të veçanta.

Një nga çështjet kryesore lidhur me migracionin ka të bëjë me Libinë, ku gjendja po keqësohet. A duhet të ndërhyjë Evropë në këtë krizë?

S’ka dyshim se na duhet një politikë e përtërirë në Mesdhe: vëmendja për këtë zonë është tepër e paktë. E përsa i përket çështjes së Libisë, Evropa duhet të bëjë gjithçka mundet, natyrisht, me mjetet që ka në dispozicion, duke u përpjekur të ndërhyjë edhe me diplomaci. Kemi një punë të madhe për të bërë e s’kemi shkop magjik... Është punë e vazhdueshme e nuk duhet absolutisht, të heqim dorë prej saj.

04 korrik 2019, 14:33