Kërko

 Ikja e Famijes Shenjte  të Nazaretit në Egjipt Ikja e Famijes Shenjte të Nazaretit në Egjipt 

Egjipt: udha e Familjes Shenjte duhet të jetë pasuri botërore e Unesco-s

Udha e Familjes Shenjte drejt Egjiptit, për të shpëtuar nga persekutimi i mbretit Herod, kalon nëpër 25 vende. Autoritetet egjiptiane kërkojnë të deklarohet Pasuri Botërore e Unesco-s

R. SH. - Vatikan

Udha, që përshkuan Maria, Jozefi e Krishti Fëmijë, kur u strehuan në Egjipt, për të shpëtuar nga furia e tërbuar e Herodit,  duhet të shënohet në listën e siteve “Trashëgimi Botërore e Unesco-s”. Kërkesa është e Ministrisë egjiptiane për lashtësitë,  që hartoi, në gjuhën angleze dhe arabe, një fashikull, titulluar: “Udha e Familjes Shenjte, ikur në Egjipt për të shpëtuar nga persekutimi i mbretit Herod”. Kujtohet në të, pikërisht kjo rrugë, ashtu si na e përshkruan Shën Mateu në Ungjillin e tij:

“Ata sapo ishin nisur, kur ja se një engjëll i Zotit iu duk në ëndërr Jozefit e i tha: ‘Çoju, merre fëmijën dhe t’ ëmën e ik në Egjipt. Rri atje, derisa të lajmëroj unë, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë’. Ai u çua, natën e mori fëmijën dhe të ëmën e gjeti strehë në Egjipt, ku ndenji derisa vdiq Herodi, që të përmbushej fjala e Zotit, e thënë përmes profetit: ‘Nga Egjipti e thirra Birin tim’” (Nga Ungjilli sipas Mateut).

 Zoti ndodhet atje, ku njeriu është në rrezik

Duke kujtuar udhën e Familjes Shenjte drejt Egjiptit, Papa Françesku, në lutjen e Engjëllit të Tënzot  të 29 dhjetorit 2013, pati kujtuar vështirësitë e mërgimit e të mërgimtarit.  Jezusi - pati thënë Papa - deshi të lindte në një familje njerëzore, deshi të kishte një nënë e një baba, të provonte kushtet dramatike të jetës së mërgimtarëve, plot frikë, paqartësi, ngushtica, që askush të mos ndjehet i përjashtuar nga afërsia plot dhimbsuri e Zotit. Tek këto familje, me miliona, që jetojnë në kushtet e një realiteti tejet të hidhur, shkoi mendimi i Papës, në atë lutje të Engjëllit të Tënzot:

“Në troje të largëta, edhe kur gjejnë punë - e jo gjithnjë - jo gjithnjë - të arratisurit e mërgimtarët gjejnë mikpritje të vërtetë, respekt, pranim të vlerave, që sjellin me vete. Dëshirat e tyre të ligjshme ndeshen me situata të ndërlikuara e me vështirësi të panumërta, që nganjëherë duken të pakapërcyeshme”.

Duke kujtuar Jozefin, Marinë e Jezusin në udhën e dhimbshme të mërgimit, në kërkim të një strehe në Egjipt, ku ikën për të shpëtuar nga kërcënimet e Herodit, Papa nënvizoi se gati çdo ditë televizioni e gazetat japin lajme për refugjatët, që ikin të tmerruar nga uria, nga lufta, nga rreziqe të tjera të rënda, në kërkim - tha Papa - të sigurisë e të një jete dinjitoze për vete e për familjet e veta:

“Të mendojmë për dramën e atyre emigrantëve e refugjatëve, që janë viktima të mospranimit, të shfrytëzimit, viktima të tregtisë së njerëzve e të punës prej skllavi. Por të mendojmë edhe për ‘mëgimtarë’ të tjerë, ‘mërgimtarë të padukshëm’, ‘mërgimtarë’, që mund të jenë në gjirin e vetë vatrave, të moshuarit, për shembull, që nganjëherë trajtohen si të ishin barrë e rëndë për familjen. Mendoj shpesh se një nga shenjat, që tregon si shkojnë punët në familje, është mënyra si  i trajton fëmijët e pleqtë”.

Zoti - i siguroi Papa besimtarët - është atje, ku njeriu ndodhet në rrezik; atje, ku njeriu vuan; atje, ku ikën, ku mohohet e braktiset. Por - shtoi Ati i Shenjtë - Zoti është edhe atje, ku njeriu ëndërron, shpreson të rikthehet, i lirë, në atdhe, planifikon e zgjedh rrugët më të drejta për vete e për familjarët. Pastaj, ftesa për t’ia ngulur sytë Familjes së Shenjtë e për të parë thjeshtësinë e jetës së saj në Nazaret:

“Është shembull, që i bën shumë mirë familjeve tona, i ndihmon të jenë gjithnjë më shumë, bashkësi dashurie e pajtimi, në të cilat provohet dhimbsuria, ndihma e anasjelltë, ndjesa reciproke”.

Viset ku u strehua Familja Shenjte në Egjipt

Sipas traditës mijëravjeçare, janë të paktën 25, vendet ku Familja Shenjte u strehua gjatë tri vjetëve kaluar në Egjipt. Pikënisja, natyrisht, ishte Betlehemi. Si u përshkuan nëpër pjesën veriore të Egjiptit, arritën në qytetin Tal Basta. Kaluan, pastaj, Nilin e u drejtuan kah Wadi El Natrun e më pas, nga zona e El Matariya (lagje e jashtme e Kajros). Zona e El Maadi, në rrethinat e Menfit (kryeqytet i Egjiptit të lashtë), ishte etapa tjetër e shtegtimit. Në udhën e kthimit, Maria, Jozefi e Jezusi kaluan Malin e Assiut e më pas u kthyen në Palestinë, pasi patën përshkuar më se dymijë kilometra. Ky - shtegtimi, që vijon t’i frymëzojë artistët për ta paraqitur në  të gjitha llojet e arteve figurën e Shën Jozefit, që tërheq nga kapistra gomarin, mbi të cilin shtegton Zoja me Foshnjën Hyjnore në prehër. E edhe simboli i shtegtimit të detyruar të njerëzve, që përndiqen nga perdhuna e detyrohen të kërkojnë strehë ku munden. Tejet i pranishëm, ky simbol, edhe në kohët tona. Prej këndej, kërkesa për ta radhitur udhën e Familjes Shenjte në listën e pasurive botërore e Unesco-s.

03 korrik 2019, 13:48