Kërko

Vatican News
2019.05.16 chiesa burkina faso 2019.05.16 chiesa burkina faso 

Burkina Faso: katër katolikë u ekzekutuan nga terroristët në Ban

Natën e së enjtes, më 27 qershor 2019, persona të armatosur të paidentifikuar hynë në fshatin Bani, rreth dhjetë kilometra nga Bourzanga në Burkina Faso, ekzekutuan katër katolikë, që kishin të gjithë një kryq rreth qafe, pra, vetëm pse ishin të krishterë..

R.SH. - Vatikan

Natën e së enjtes, më 27 qershor 2019, persona të armatosur të paidentifikuar hynë në fshatin Bani, rreth dhjetë kilometra nga Bourzanga në Burkina Faso, për të shkaktuar terror. Ata vranë katër vetë, të gjithë katolikë. Sipas dëshmive, kur mbërritën "terroristët", i gjetën banorët e fshatit duke biseduar njëri me tjetrin si zakonisht pas perëndimit të diellit.

Terroristët iu kërkuan me forcë banorëve të shtriheshin në tokë. Këndej vazhduan të identifikonin njerëzit duke u kërkuar emrin e secilit. Terroristët gjithashtu kontrolluan nëse banorët mbanin simbole fetare (kryqe, medalje ose ndonjë gjë tjetër që kishte shenja a amera të krishterë). Kështu, katër katolikë, që kishin të gjithë një kryq rreth qafe, u identifikuan, u morën dhe u ekzekutuan.

Viktimat quheshin David ZOUNGRANA dhe vëllai i tij më i vogël Philippe ZOUNGRANA, Théophile OUEDRAOGO dhe Ernest KASSOAGA. Para se të largoheshin, terroristët i vunë zjarrin dyqanit, pronë e njërit prej 4 viktimave, David ZOUNGRANA.

Një ditë më vonë, të premten, më 28 qershor 2019, terroristët u shfaqën në fshatin Pougrenoma në famullinë kishtare të Bourzanga dhe kërcënuan sërish banorët. Sipas dëshmive të mbledhura, këtë herë nuk kishte viktima, por terroristët lanë një mesazh të qartë, në të cilin pohojnë se nuk donin më t’i shihnin forcat e mbrojtjes dhe të sigurisë (FDS) dhe përfaqësuesit qeveritarë në zonë. Për më tepër, terroristët u kanë urdhëruar të krishterëve të konvertohen, përndryshe rrezikojnë të ekzekutohen herën tjetër.

Ky sulm i ri e rriti në dymbëdhjetë (12), në vetëm dy muaj, numrin e të krishterëve katolikë të vrarë nga terroristët për shkak të besimit të tyre fetar në dioqezën e Ouahigouya.

02 korrik 2019, 16:16