Kërko

BOSNIA-WAR-SREBRENICA-ANNIVERSARY BOSNIA-WAR-SREBRENICA-ANNIVERSARY 

Mos të harrohet Srebrenica

Më 9 korrik 1995 trupat serbe boshnjake të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mladiç hynin në enklavën myslimane të Srebrenicës, zonë e deklaruar e mbrojtur nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Më 11 korrik u vranë me mijëra civilë, e brenda pak ditësh nga 11 deri më 18 korrik të të njëjtit vit, u ekzekutuan mizorisht rreth 8000 meshkuj myslimanë të Bosnjës.

R.SH. - Vatikan

Më 9 korrik 1995 trupat serbe boshnjake të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mladiç hynin në enklavën myslimane të Srebrenicës, zonë e deklaruar e mbrojtur nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Më 11 korrik u vranë me mijëra civilë, e brenda pak ditësh nga 11 deri më 18 korrik të të njëjtit vit, u ekzekutuan mizorisht rreth 8000 meshkuj myslimanë të Bosnjës.

Masakra e vitit 1995 në zonën e Srebrenicës të mbrojtur nga OKB-ja ishte krimi më i rëndë në Evropë që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Sipas dëshmive të të mbijetuarve dhe sipas akuzës së Gjykatës Penale Ndërkombëtare (TOI) për ish-Jugosllavinë, burrat dhe të rinjtë myslimanë u ekzekutuan me gjakftohtësi, ndërsa trupat e tyre pastaj u varrosën nëpër varreza masive. Me mijëra civilë u arratisën në qendrat e banuara përreth Srebrenicës.

Para 24 vjetësh, Srebrenice ishte nën mbrojtjen e OKB-së e strehonte shumë refugjatë të zonave të afërta, në ikje nga lufta. Urdhrat e Radovan Karadzic, asokohe president i republikës Serbe të Bosnjës janë të qarta: “Të krijohen në Srebrenicë një situatë pasigurie e dëshpërimi të skajshëm ”.  Atëherë, gjenerali Mladic vendos ta boshatis qytetin prej banorëve të vet, gratë e fëmijët deportohen, ndërsa burrat e djemtë vriten.

Më 11 korrik 2010, Parlamenti evropian themelon “Ditën e memories për viktimat e gjenocidit të Srebenicës”. Mladic arrestohet më 26 maj 2011, pas 15 vjetësh. Akuzohet për gjenocid e krime kundër njerëzimit. Gjykata e Kombeve të Bashkuara për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë, e shpalli fajtor dhe e dënoi me burgim të përjetshëm ish-komandantin e serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiç, nën akuzat për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ne, po kujtojmë këtë tragjedi me fjalët prekëse të shqiptuara nga Papa Shën Gjon Pali II gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, më 16 korrik të vitit 1995, pikërisht mbi masakrën e Srebrenices.

“Lajmet e pamjet që vijnë nga Bosnja, e në mënyrë të veçantë nga Srebrenica e nga Zepa, dëshmojnë se sa Evropa e njerëzimi janë fundosur akoma më shumë në greminën e poshtërisë. Asnjë kauzë, asnjë projekt nuk mund të justifikon veprimet e metodat kaq barbare: janë krime kundër njerëzimit! Sa do të doja që fjala ime, dashuria ime e lutja ime të arrinin tek ata vëllezër e ato motra, të përplasura në udhët e shpërnguljes në mjerimin më të skajshëm! Lusë të gjithë njerëzit vullnetmirë të vazhdojnë pa u lodhur t’i ndihmojnë ato popullsi të sfilitura e të martirizuara. Kjo që po konsumohet para syve të botës mbarë përbënë një disfatë të qytetërimit. Këto krime do të mbesin një ndër kapitujt më të trishtueshëm të historisë së Evropës. Zoti i prektë zemrat e i ndriçoftë shpirtrat e përhumbur!”. 

09 korrik 2019, 14:13