Kërko

BOSNIA-WAR-SREBRENICA-ANNIVERSARY BOSNIA-WAR-SREBRENICA-ANNIVERSARY 

24-vjetori i gjenocidit të Srebrenicës

Më 11 korrik 1995 ushtria serbe boshnjake masakroi më shumë se 8.000 myslimanë të paarmatosur, pas pushtimit të Srebrenicës, që duhej të ishte nën mbrojtjen e OKB-së e strehonte shumë refugjatë të zonave të afërta, në ikje nga lufta. Myftiu Madh i nderit të Bosnjës, Çeriq pohon: "Serbët boshnjakë ende sot i mohojnë faktet dhe fajtorët, që u dënuan nga drejtësia ndërkombëtare, madje i konsiderojnë si" trofe". Jam krenar që nga ana jonë nuk ka pasur asnjë hakmarrje"

R.SH. - Vatikan

Sot, 11 korrik 2019, kujtojmë 24-vjetorin e ngjarjes tragjike të krimit kundër njerëzimit, masakrën e Srebrenicës.  "Kjo tragjedi ende na persekuton, megjithëse kanë kaluar njëzet e katër vjet". Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë i BE-së dhe Komisioneri Johannes Hahn përkujtojnë sot genocidin e Srebrenicës e kujtojnë "viktimat dhe të gjithë ata të cilëve u prekën nga ato ngjarje tragjike me humbjen e jetëve” .

Pra, 24 vjet më parë e pikërisht me 11 korrik të vitit 1995 në Srebrenicë të Bosnjë-Hercegovinës ndodhi masakra më e madhe e pas Luftës së Dytë Botërore. 8000 djem dhe burra myslimanë u masakruan në formën më barbare nga ushtria shtetërore serbe e udhëhequr nga Radovan Karaxhiqi përfshirë edhe paraushtarakët e njohur si “skorpionët” e  nën kontrollin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Eshtrat e Osman Cvrk, që më 16 korrik 1995 ishte 16 vjeç, të cilat u gjetën në disa varre masive, janë varrosën në një arkivol të vogël druri të gjelbër në memorialin e gjenocidit në Srebrenicë, në Potoçari, gjatë përkujtimit të 24 vjetorit të gjenocidit, së bashku me ato të 32 myslimanëve të Bosnjës, vrarë në masakrën më të tmerrshme që ndodhi në Evropë nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Këto viktima i shtohen 6.610 viktimave tjera të varrosura nga viti 2003 deri më 2018, po sipas autoriteteve ndërkombëtare viktimat janë 8.372, njerëz të vranë, kryesisht me një të shtënë në kokë, ndërmjet datës 11 e 16 korrik të vitit 1995 në zonën e Srebrenicës, nga milicët e ushtrisë serbo-boshnjake të udhëhequr nga gjenerali Ratko Mladiç, i cili është dënuar, në shkallën të parë, me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata Ndërkombëtare Penale e Hagës në nëntor të vitit 2017.

Tre viteve pas rrethimit, në Srebrenicës ishin  40.000 njerëz

Njëzet e katër vjet më parë trupat e Mlladiçit hynë në qytetin e Srebrenicës, nën rrethim prej tre vitesh, qytet i dekretuar në maj të vitit 1993 "zonë e mbrojtur" nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së e vënë nën mbrojtjen e helmetkaltërëve, ku mijëra myslimanë boshnjakë qenë strehuar, pasi kishin ikur nga fshatrat e zonës. Gjithsej  ishin 40 mijë persona, sepse po kujtojmë se Srebrenica ishte qendra më e madhe myslimane në një zonë me shumicë serbe. Në mbrëmje të 11 korrikut pothuajse 25 mijë veta qenë nisur  drejt Potoçarit, duke kërkuar strehim në bazën e helmetëkaltërve holandezë, por, fshehurazi, njerëzit e Mlladiçit kishin filluar t’i mblidhnin dhe vrisnin të gjithë meshkujt nga mosha 15 deri 65 vjeç, duke i ndarë prej grave, fëmijëve dhe të moshuarve.

Harta
Harta

Gratë e fëmijët deportohen, burra dhe djemtë masakrohen

Deri në mbrëmjen e 13 korrikut 1995 më shumë se 23.000  myslimanë të Bosnjës u deportuan me autobus dhe kamion drejt Tuzlës. Po atë ditë helmetëkaltërit holandezë i detyruan refugjatët të largoheshin nga baza e tyre. Në periudhën nga data 12 deri me 23 korrik, një pjesë e burrave dhe djemve që ishin nisur në drejtim të Tuzlës nëpër pyje, në atë që më pas u quajt "marshimi i vdekjes", u vranë në prita e nga bombardimet, u dorëzuan dhe u zunë rob lufte, u burgosën nga forcat serbo-boshnjake. Ekzekutimet e para masive filluan pasditen e 13 korrikut me pushkatimin e 150 myslimanëve në Cerska, dhe përfunduan më 16 korrik, kur filluan gërmimet e varrezave masive. Një muaj e gjysmë më vonë, ushtarët e policitë serbo-boshnjakë, për t’i fshehur provat e masakrës, i zhvarrosen dhe ri-varrosën trupat e viktimave në lokalitete tjera në zonës.

Varret masive u gjetën falë të mbijetuarve

Varrezat e përbashkëta u zbuluan falë dëshmive të personave që mbijetuan nga masakra dhe në saje të dokumenteve që u grumbulluan gjatë dhjetëra proceseve gjyqësore për krime lufte, që u mbajtën në Gjykatën Ndërkombëtare Penale të Hagës, më vonë, edhe në dhjetëra procese tjera gjyqësore që u mbajtën në gjykatat speciale të rajonit. Për gjenocidin e Srebrenicës, deri tani janë akuzuar për krime lufte 70 persona: 20 nga Gjykata e Hagës dhe 50 nga Gjykata e Sarajevës. Trembëdhjetë të pandehur, duke përfshirë tre komandantët ushtarakë serbë dhe kreun politik serbo boshnjak, Radovan Karaxhiç, u dënuan me burgim të përjetshëm.

Një gjenocid, për të shkatërruar grupin etnik boshnjak në këtë zonë

Që në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vërtetoi se masakra, është kryer me qëllimin specifik për të shkatërruar e madje asgjësuar grupin etnik të boshnjakëve (myslimanëve boshnjakë), se ky krim përbën një "gjenocid". Më 27 qershor 2017, Gjykata e Apelit në Hagë e mbështeti vendimin e shkallës së parë, duke pohuar se qeveria holandeze është pjesërisht përgjegjëse për vdekjen e 300 myslimanëve, sepse ushtarët holandezë i detyruan refugjatët, që kërkonin strehim në bazën e tyre, ta lënë atë, duke i dorëzuar realisht në duar të ekzekutuesve, e duke “i privuar nga mundësia për të mbijetuar”.

Parlamenti i Beogradit e presidenti serb kërkuan falje

Më 31 mars 2010, parlamenti i Serbisë, i cili me presidentin e atëhershëm Millosheviç mbështeti dhe financoi ushtrinë serbo-boshnjake, pas gati 13 orësh diskutimi, miratoi një rezolutë që dënonte masakrën, pa e quajtur atë gjenocid, dhe kërkoi falje për viktimat. Më 25 prill 2013, Presidenti serb Tomisllav Nikoliç, gjatë një interviste me televizionin boshnjak, u gjunjëzua duke kërkuar falje për masakrën e Srebrenicës.

Viktima civile edhe në fshatra serbe

Gjatë luftës trupat boshnjake, të udhëhequr nga Naser Orić, qenë protagoniste të disa sulmeve në fshatra të banuara nga serbët, rreth Srebrenicës. Qendra për hulumtim dhe dokumentim në Sarajevë, një qendër studimi e pavarur, me stafin që përbëhet nga grupe të ndryshme etnike, ka llogaritur, në komunën e Bratunacit, 119 viktima civile serbo-boshnjake dhe 424 ushtarë.

11 korrik 2019, 12:54