Kërko

Vatican News
La Croce di Gesù La Croce di Gesù 

Më 17 korrik kalendari kujton të Lumet Terezën e Shën Agostinit

Më 21 qershor 1794 banesat u kontrolluan imtësisht. Me që u gjetën rruzare dhe figure të Zemrës së Krishtit, murgeshat u burgosën, u gjykuan e u dënuan me vdekje, me akuzën ‘të lidhura me fenë’. Më 17 korrik 16 karmelitanet u rreshtuan para gijotinës, duke kënduar himnin ‘Veni Creato, ranë në duart e xhelatit. U flijuan për paqen e Kishës e të Francës.

R.SH. - Vatikan

Më 17 korrik kalendari kishtar përkujton të Lumet Terezën e shën Agostinit me shoqet e Kompienjës, virgjëra e martire. Kuvendi i murgeshave karmelitane të zbathura, kushtuar Lajmërimit të Zotit, qe vendosur në Kompienjë të Francës më 1641. Para se të shpërthente revolucioni francez, jeta në bashkësi kalonte qetë-qetë, me lutje, meditim e punë.

Revolucioni ra si stuhi mbi kuvendin paqtor. Autoritetet i urdhëruan karmelitanet të largoheshin nga kuvendi e të hiqnin dorë nga jeta rregulltare. Por motrat nuk pranuan. Qëndruan në kuvend deri në shtator të vitit 1792, kur i detyruan të largoheshin. Nëna eprore, Shën Terza e Shën Agostinit, gjeti tri banesa për t’i sistemuar rregulltaret. Para se t’i jepte lamtumirën kuvendit, e gjithë bashkësia bëri kushtin e flijimit para Zotit, duke iu lutur që Kishës e shtetit t’u rikthehej paqja e humbur. 

Që të vijonin jetën si rregulltare, pa ngjallur dyshime, më 19 shtator 1972 Nëna eprore i lejoi murgeshat të bënin betimin për idealet e revolucionit: “Liri, barazi vëllazërim”. Por dikush i paditi. Më 21 qershor 1794 banesat u kontrolluan imtësisht. Me që u gjetën rruzare e figure të Zemrës së Krishtit, murgeshat u burgosën, u gjykuan e u dënuan me vdekje, me akuzën ‘të lidhura me fenë’.

Më 17 korrik 16 karmelitanet u rreshtuan para gijotinës, duke kënduar himnin ‘Veni Creator’. Ranë në duart e xhelatit, pasi përsëritën kushtet para Nënës Eprore, koka e së cilës u rrokullis e fundmja. Përmbushën kështu kushtin që kishin bërë: u flijuan për paqen e Kishës e të Francës. Më 13 maj 1906 u shpallën të Lume nga papa Piu X.

 

17 korrik 2019, 12:15