Kërko

Shën Benedikti  nga Norcia, Abat Shën Benedikti nga Norcia, Abat 

Më 11 korrik kalendari kishtar kujton Shën Benediktin, Abat e pajtor qiellor i Evropës

Vepra e Benediktit, dhe posaçërisht rregulla e tij, janë mbartëse të një tharmi të vërtetë shpirtëror i cili, në rrjedhë shekujsh, ia ndryshoi fytyrën Evropës, duke nxitur, pas shembjes së unitetit politik, krijuar nga perandoria romake, një unitet të ri shpirtëror e kulturor, atë të fesë së krishterë, që u pranua nga popujt e kontinentit. E kështu lindi ai realitet, që ne e quajmë ‘Evropë'.

R.SH. - Vatikan

Me 11 korrik Kisha kremton festën e Shën Benediktit, themelues i Urdhrit benediktin e abat, Pajtor i Evropës, i bujqve, speleogëve, inxhinierëve.  Shën Benedikti, Abat, nga Norça, pajtor qiellor i Evropës, ndër shqiptarë njihet edhe me emrin Bekimi.  Ndonëse dita e vdekjes së Shenjtit është 21 marsi, Festa e Pajtorit të Evropës kremtohet sot, sepse marsi përkon me Kreshmët. Gjithsesi murgjërit Benediktinë ia kremtojnë të dyja datat: atë të vdekjes dhe atë të shpalljes Pajtor i Evropës.

Shën Benedikti i Norçës, atë e ligjvënës i monakizmit perëndimor, shpallur nga Papa Pali VI, më 19964, Pajtor i Evropës, për kontributin e tij të mrekullueshëm në formimin e qytetërimit evropian. Siç tregon Shën Gregori i Madh, “ishte njeri shenjt…shenjt me emër e me hir. Shkroi për murgjërit një rregull…pasqyrë e magjisterit, që e mëshironte në vetveten e tij: e kjo, sepse Shenjti nuk mund të jepte absolutisht mësime, të cilat nuk përkonin me mënyrën si jetonte”. 

Shën Benedikti lindi në Norça të Italisë rreth vitit 480, në një periudhë historike veçanërisht të vështirë. Katër vjet më parë kishte rënë Perandoria Romake e perëndimit. Biografia e tij na vjen përmes shkrimeve të Shën Gegës së Madh, që i kushton krejt librin II të Dialogëve, shkruar ndoshta rreth viteve 592-594.

Pasi përfundoi studimet e para në Romë, i neveritur nga shoqëria e kohës, braktis çdo gjë dhe tërhiqet në Subiako, ku bën jetë eremiti. Të mahnitur nga jeta e tij e shenjtë, disa murgjër, që banonin aty afër, e kërkojnë me këmbëngulje si epror e mësues. Benedikti pranon, por sapo mundohet të korregjojë mënyrën e tyre të jetesës, jo shumë shembullore, përpiqen ta helmojnë, por ai e thyen kupën me shenjën e kryqit. 

Pasi themelon 12 kuvende të vogla, Shën Benedikti largohet nga Subiako dhe shkon drejt jugut, i shoqëruar nga disa dishepuj. Nuk dihet se pse zgjodhi Kasinon për të ndërtuar Abacinë, por hipotizohet se e ka ndihmuar ndonjë bamirës patric. Shën Benedikti përshtat bashkinë e vjetër romake e tempullin pagan, duke i shndërruar në një Abaci për bashkësinë e tij mungare e duke krijuar hapësira për aktivitetet e ndryshme të punës. Edhe në majën e malit, aty ku më parë ishte një korishte pagane, ngrihet një orator në nder të Shën Gjon Pagëzuesit e zona përreth bëhet varrezë.

Edhe sot, aty ndodhet varri i Shën Benediktit dhe i motrës së tij, Shën Skolastikës, në korrespondencë me pjesën e poshtme të elterit të madh të Bazilikës. Bashkë me themelimin e kuvendit të murgjërve, Shën Benedikti shpall Ungjillin për popullsitë që banonin në Kasino. Ky mision edhe sot kryhet nga benedektinët dhe Kasino bashkë me 20 komunat e tij hyjnë në juridiksionin baritor të Abatit të Montekasinos.

Në këtë Abaci, Shën Benedikti përfundon hartimin e Regula monachorum, Rregullës së murgjërve. Janë të shumta mrekullitë që bën, si këtu, si ato të mëparshmet në Subiako. Tregon me vepra se zotëron edhe dhuratën e profecisë. Tradita e vendos vdekjen e tij më 21 mars të vitit 547 e edhe ajo është e mrekullueshme. Gjashtë ditë para se të shonte te Ati Qiellor, Shën Benedikti u paralajmëron murgjërve vdekjen e tij dhe urdhëron të hapet varri, ku më parë qe varrosur e motra, Shën Skolastika. Pak para vdekjes, u thotë sivëllezërve ta çojnë në oratoriumin e Shën Martinit dhe aty, pasi merr Eukaristinë, jep shpirt.

Pra, Shën Benedikti, Abat është ati i jetës murgare perëndimore. Rregulli i tij, që përmbledh traditën murgare lindore, duke e përshtatur me botën latine, hap rrugën e re të qytetërimit evropian, pas rënies së qytetërimit romak. Shën Benedikti e përmblidhte stilin e jetës, që dëshironte për murgjërit e tij, në dy fjalë të vetme: “ora et labora”- “lutu e puno!”. E nga kundrimi, nga lidhja e fortë e miqësisë me Zotin, lind në ne aftësia për ta jetuar e për t’ua çuar dashurinë e Zotit, mëshirën, dhembshurinë e Tij edhe të tjerëve. E edhe puna jonë me vëllain nevojtar, puna jonë bamirëse në veprat e mëshirës, na e sjell Zotin pranë, sepse ne shikojmë pikërisht Zotin në vëllain e motrën, që kanë nevojë.

Në brazdën e hapur nga Benedikti në mbarë kontinentin e vjetër, u mbollën e mbinë manastire të shumtë, qendra përshpirtërie të thellë dhe fanarë kulture e qytetërimi që vijojnë të japin dritë edhe sot, kur shumë prej tyre janë materialisht s’janë, veçse rrënoja, po gjithsesi vazhdojnë tё jenё shenja e simbol tё njё qytetërimi autentik, themel, i Evropёs.

Më 24 tetor 1964, pikërisht në Montekasino, u shpall Pajtor i Evropës nga Papa Pali VI, si “lajmëtar i paqes, veprimtar i bashkimit, mësues i qytetërimit e sidomos kumtar i fesë e nismëtar i jetës murgare të Perëndimit” 

"Që për njerëzit e sotëm … të jetë i pacenueshëm e i shenjtë ideali i bashkimit shpirtëror të Evropës e të mos u mungojë kurrë ndihma nga qielli për ta realizuar në praktikë, e shpallëm Shën Benediktin - Pajtor të Evropës". Me këto fjalë, pra, Papa Pali VI, më 24 tetor 1964, nga Montekasino, ku kishte shkuar për të shuguruar rishtas manastirin e shkatërruar prej bombardimeve aleate të 1944-tës, pikërisht në vendin ku Shën Benedikti kishte kaluar vitet e fundit të jetës, duke rrezatuar në të gjithë Kontinentin Evropian mesazhin e tij të përshpirtërisë e të fesë, dha këtë njoftim për shpalljen e Abatit shenjt të shekullit VI, themeluesit të monakizmit perëndimor, si Pajtor qiellor i Evropës.

Në letrën apostolike "Pacis Nuntius" të datës 24 tetor 1964, Papa Pali VI shpjegonte edhe arsyet e kësaj shpalljeje, kërkuar me ngulm nga hierarkia dhe nga mbarë populli i Zotit, pasi edhe Piu XII e pati kujtuar Shën Benediktin si "Babai i Evropës" dhe vetë Gjoni XXIII e pati dëshiruar me gjithë zemër këtë ditë.

Ja ç'shkruhet në Letrën e Papës Montini:
"Ndërsa shembej Perandoria Otomane e disa zona të Evropës dukej sikur zhyteshin në errësirë, ndërsa të tjerat jetonin pa qytetërim e pa vlera shpirtërore, ai, me impenjimin e tij të palodhshëm, bëri që në këtë Kontinent të muzgët të lindë agimi i një epoke të re. Ai e bijtë e tij me kryq, libër e parmendë, qenë të parët që çuan progresin e krishterë ndërmjet popujve të përhapur nga Mesdheu e deri në Skandinavi; nga Irlanda e deri në rrafshinat e Polonisë.

Me Kryq, domethënë me Ligjin e Krishtit, siguruan qëndrueshmërinë dhe lulëzimin e rendit të jetës publike e private… duke çimentuar atë unitet shpirtëror evropian, me forcën e të cilit popuj që flisnin gjuhë të ndryshme, ndjenë se po formonin një popull të vetëm. Popullin e Zotit.

Me libër, pastaj, domethënë me kulturë, vetë Shën Benedikti, nga i cili shumë manastire morën emër e forcë, shpëtoi me guxim providencial, në çastin kur trashëgimia humanistike rrezikonte të zhdukej, traditën klasike të botës së lashtë, duke i përcjellë të paprekur breznive të ardhshme, kultin e diturisë.

Me parmendë, së fundi, domethënë me kultivimin e arave e nisma të tjera me rëndësi të dorës së parë për zhvillimin e bujqësisë, ia doli mbanesh t'i shndërronte tokat djerr në fusha pjellore e kopshte të lulëzuara; e duke bashkuar lutjen me punën materiale, sipas motos së tij të famshme "ora et labora" - "lutu e puno!" fisnikëroi e lartoi djersën që rrjedh nga balli i ndershëm.

Shën Benedikti ndikoi fuqimisht mbi fatet e Kontinentit të Vjetër. Me urdhrin e tij murgar të Benediktinëve, “Patriarku i monakizmit perëndimor”, më pas bashkëpajtorë i Evropës, me Çirilin e Metodin, ushtroi një ndikim të pallogaritshëm në përhapjen e krishterimit në të gjithë Kontinentin. Prandaj Shën Benedikti përbën një pikë themelore referimi për bashkimin e Evropës, duke na kujtuar fuqimisht se nuk mund të hiqet dorë nga rrënjët e krishtera të kulturës së saj e të qytetërimit të saj. Ti lutemi Shën Benediktit të na ndihmojë ta ruajmë të patundur qendërsinë e Krishtit në jetën tonë. Ai duhet të zërë vendin e parë në mendimet tona e në veprimtaritë tona” .

Pra Shën Benedikti, Abat mbetet tepër aktual. Si dikur me dritën e qytetërimit të krishterë ia mbërriti t'i davaritë retë e zeza e të rrezatojë dhuratën e paqes, kështu edhe sot ai i prin jetës evropiane, duke ndërmjetësuar që Evropa të zhvillohet, të rritet e të përfshijë ndër kufijtë e vet të gjithë popujt që i përkasin e që dëshirojnë të jetojnë sipas motos "ora et labora" - me Kryq, me pendë e parmendë! Prandaj, të mësojnë nga murgu i madh, që e shpëtoi Evropën në kohë tejet të vështira, me moton, që s’e humbet kurrë vlerën: “Lutu e puno!”.

11 korrik 2019, 11:46