Kërko

Rrëshajët Rrëshajët 

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës

Sot, në të dielën e Rrëshajëve, Ungjilli sipas Gjonit na jep sigurinë se “Shpirti Shenjt do të na mësojë gjithçka”.

R.SH. - Vatikan

15 “Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia. 16 Edhe unë do t’i lutem Atit dhe Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë. 23 Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta dojë, tek ai do të vijmë dhe tek ai do të banojmë. 24 Kush nuk më do, nuk i mban fjalët e mia. E fjala që po dëgjoni, nuk është imja, por është e Atij, që më dërgoi, ‑ e Atit.

25 Këto fjalë jua thashë ndërsa banova me ju. 26 E Shpirti Shenjt ‑ Mbrojtës, të cilin do t’jua dërgojë Ati në Emër tim, Ai do t’jua mësojë të gjitha dhe do t’ju përkujtojë gjithçka [unë] ju thashë” (Gjn 14,15-16,23-26).

 

Të lutemi së bashku

Eja, o Shpirt Ngushëllues

ti e sheh se e kemi humbur udhën,

ti i njeh ndërlikimet e jetës sonë

dhe plagët

që mbushin historinë tonë të trazuar.

Mbështeti burrat e gratë

që luftojnë për drejtësi

dhe impenjohen për paqe.

Mos lejo

që arroganca dhe interesat e të pushtetshmëve

ta zgjasin edhe më vuajtjen e të varfërve

dhe poshtërimin e të ligshtëve.

 

Eja, o Shpirt Ngushëllues:

ti e sheh sa nevojë kemi për dashuri,

për ëmbëlsi, për dhembshuri,

ti e njeh trishtimin dhe ankthin

që kapërthejnë shumë zemra.

Shko në ndihmë të atyre, që ndihen vetëm

e dëshpërohen, na e zbut zemrën

që të rrimë e të jemi solidarë me ta.

Inkurajo çdo përvojë

vëllazërimi e pajtimi.

 

Eja, o Shpirt Ngushëllues:

ti e sheh sa shumë lodhemi

për të zbatuar fjalët e Jezusit,

ti e njeh frikën tonë,

kompromiset e dembelinë tonë.

Kujtona Ungjillin, bukurinë e tij të kulluar,

forcën e tij të qetë

e na dhuro gëzimin për ta pranuar çdo ditë.

09 qershor 2019, 09:34