Pentecoste, Spirito Santo Pentecoste, Spirito Santo 

Shenjtorët e javës 9 -16 qershor

Rrëshajët janё ditëlindja e Kishës, Zbritja e Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Çenakull, së bashku me Marinë, shënon plotësimin e premtimeve të Krishtit, dërgimin e Shpirtit Shenjt, për t’i ngushëlluar e ndihmuar dishepujt e vet në misionin, veprimtarinë, lodhjen dhe frikën e tyre.

R.SH. - Vatikan

E diel  9 qershor, Kisha katolike kremton festën e Rrëshajëve, festën e ditëlindjes së Kishës. Gjithnjë më 9 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Efremin, diakon e doktor i Kishës, shën Primo-n (Prelën) dhe shën Feliçianin, martirë.

Rrëshajët janё festa e ditëlindjes së Kishës, sepse kremtimi i Zbritjes së Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Çenakull, së bashku me Marinë, shënon plotësimin e premtimeve të Krishtit, do të thotë dërgimin e Shpirtit Shenjt, për t’i ngushëlluar e ndihmuar dishepujt e vet në misionin, veprimtarinë, lodhjen e frikën e tyre. Jezusi u tha: “Do të ju dërgojë Shpirtin Shenjt. Ai do të ju japë forcë, guxim e entuziazëm”!.

Të hënën më 10 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Asterin. Mbështetësit e herezisë ariane e dërguan në koncilin e Sardikës, më 343, me misionin për të paditur Shën Athanasin, por ai i zbuloi kurthet e heretikëve dhe, pa u trembur nga kërcënimet, kaloi nga ana e të paditurve. Dëshminë për të na e ka lënë vetë Athanasi.

Të martën më 11 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Barnabën, Apostull. Barnaba, nga Qipro, u dha apostujve fitimet që nxori nga shitja e arave të veta: “Kështu Jozefi, të cilin apostujt e thërrisnin Barnaba, levit me prejardhje nga Qipro, që zotëronte një arë, e shiti dhe shumën e fituar e vuri tek këmbët e apostujve. Duke qenë se ishte njeri i virtytshëm dhe plot me Shpirtin e Shenjtë e me fe, u bënte thirrje të gjithëve, që të qëndronin me zemër të palëkundshme në Zotin” – thotë Besëlidhja e Re.

Të mërkurën më 12 qershor përkujtohet Shën Eskili, ipeshkëv. Libri romak i martirëve shkruan për të: Në Suedi, Shën Eskili, ipeshkëv e martir, me prejardhje angleze, i shuguruar ipeshkëv nga mësuesi i tij Sigfridi, nuk i kurseu forcat për të kumtuar Krishtin ndër paganët e provincës së Sëdermanlandit, të cilët, pastaj, e vranë me gurë. 

Të enjten më 13 qershor , kalendari kishtar përkujtonShën Andoun e Padovës. U lind në Lisbonë dhe në moshën 15 vjeçare hyri në kuvendin e Kanonikëve Rregulltarë të Shën Agostinit. Më 1219 shugurohet meshtar. Më 1220 mbërrijnë në Coimbra trupat e pesë fretërve françeskanë, të martirizuar në Marok, ku kishin shkuar për të predikuar, me kërkesën e Shën Françeskut të Asizit. Pasi mori miratimin e provincialit françeskan të Spanjës dhe të priorit agostinian, Shën Andou, i cili ende quhej Fernando, hyn në urdhrin e Françeskut të Asizit dhe merr emrin me të cilin e njeh gjithë bota. Shkon në Asizi për të marrë pjesë në kapitullin e përgjithshëm të Urdhrit dhe ka rastin të dëgjojë Françeskun, por jo të njihet personalisht me të. Më vonë Françesku e dërgoi për të predikuar në Italinë qendrore, në atë veriore dhe në Francë. Më 1227 bëhet provincial i Italisë veriore dhe vijon të predikojë. Më 13 qershor 1231 gjendet në Camposampiero dhe, pasi nuk ndjehet mirë, kërkon ta çojnë në Padovë, ku dëshiron të vdesë. Aty jep shpirt në kuvendin e Arçelës.

Të premten më 14 qershor, kalendari kishtar  përkujton shën Metodin e Kostandinopojës. Me prejardhje nga Sicilia, Metodi u bë murg në ishullin e Kios, para se Patriarku i Kostandinopojës, Shën Nikofori ta thërriste në atë qytet. Ishte koha kur kishte arritur kulmin sulmi kundër ikonave. Pasi perandori Leoni V Armen e hoqi nga froni Patriarkun e Kostandinopojës, Metodi shkoi në Romë, për të njoftuar Papën Paskuali I rreth kësaj ngjarjeje. Kur vdiq Leoni, Papa e dërgoi Metodin në kryeqytetin e perandorisë lindore me një letër, në të cilën kërkonte që të pranohej si patriark i ligjshëm. Por lufta nuk kishte mbaruar ende: në Kostandinopojë e priste burgu, ku iu desh të rrinte për shumë vite. Vetëm pas ardhjes në Fronin perandorak të Shën Teodorës, u ndryshua qëndrimi ndaj ikonave dhe Metodi u kthye në selinë patriarkale të Kostandinopojës. Vdiq më 847. 

Të shtunën më 15 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Amosin, profet, shën Viton martir, shën Bernardin nga Mentone, kanonik i rregullt i shën Agustinit dhe shën Gjermanën Kuzin, virgjër.  Liturgjia e ditës na kujton se secili nga ne ka nevojë të gjejë rrugën e vet në jetë: Jezusi na fton të ecim pas tij, si grigja pas bariut, drejt gurrave të jetës. E jo vetëm në këtë botë, por në amshim. Ne jemi populli i Zotit, këndon Psalmi i sotëm, grigja që Ai udhëheq.

Të dielën e ardhshme më 16 maj qershor, Kisha katolike do të kremtojë festën e Trinisë Shenjte. Gjithnjë më 16 qershor, kalendari përkujton shenjtorët Kuirikun e Juditën, shën Aurelianin. Festa e Trinisë Shenjte na thërret jemi bashkësi dashurie e jete sepse Zoti nuk është vetmi e pafund, por bashkim drite e dashurie: këtë na kujton misteri i Njësinë dhe e Trinisë së Tënzot. Hyji është jetë e dhuruar dhe e marrë në një dialog të amshuar ndërmjet Atit e Birit, në Shpirtin Shenjt – i Dashuruar, i Dashur e Dashuri, siç shprehet Shën Agostini. Të kremtosh festën e të Shenjtënueshmes Trini për besimtarin domethënë t’i përgjigjesh dëshirës për ta njohur Zotin gjithnjë më tepër, por edhe të jesh i gatshëm ndaj manifestimit, shfaqjes së Tij Hyjnore: Ai i pari e dëftoi veten porsi Urti, porsi Fjalë dëftuese, porsi Dashuri jetike.

09 qershor 2019, 09:55