Kërko

 Girandola në Romë: fishekzjarre për Shën Pjetrin e Shën Palin Girandola në Romë: fishekzjarre për Shën Pjetrin e Shën Palin 

Në Romë,“Girandola”, sivjet për të dëmtuarit nga tërmeti të Italisë qendrore.

Sonte, 29 qershor, duke nisur nga ora 21.30, do të mund të ndiqet simfonia e fishekzjarreve, kushtuar Shenjtorëve Pajtorë të Romës, nga Tarraca vërtet mahnitëse e Pincios.

R. SH. - Vatikan

Pikërisht në orën 21.30, nga Pincio do të fluturojnë drejt qiellit fishekzjarre e tinguj muzikorë, në festën e tingujve e të dritave. Është festa e Shën Pjetrit e Shën Palit, Pajtorë të Romës, e cila i kremton për vit edhe me këtë festë fishekzjarresh. Sivjet për herë të trembëdhjetë.

Shfaqja, e organizuar së pari sipas idesë së Mikelanxhelos, përsëritur, pastaj nga Bernini, u dha së pari në vitin 1481, për nder të papnisë së Sikstit IV. U përsërit disa herë, deri në vitin 1871. Në vitin 1870 Virginio Vespignani realizoi, pikërisht në Pincio, një nga skenografitë piroteknike më mahnitëse e më interesnte të epokës. Pastaj, heshtje...

Kaluan shekuj, para se drita e tinguj të riktheheshin, për t’u soditur nga mijëra banorë të Romës e po aq shtegtarë, në festë. Rifilluan vetëm në vitin 2008.

Më 2008-tën, në Castel Sant’ Angelo

Festa e fishkzjarreve, që ka ndryshuar gjatë shekujsh, rifilloi në Castel Sant’Angelo. Duke fituar tipare të reja, krijoi mrekulli të reja e  kapërceu kufij të rinj drite, me shikimin nga e kaluara e me vëmendjen e përqëndruar në të ardhmen. Fishekzjarret vijojnë të shoqërohen me muzikë, zakonisht me repertor të periudhës baroke, por çdo vit dritat e tyre vallëzojnë sipas teknikave më të reja.

Rrotullat e zjarrta, që shtillen  drejt qiellit blu romak, duke pikturuar figura fantastike, rrëmbenjëse në bukurinë e tyre, shoqërohen edhe me tinguj muzikorë, që e bëjnë të pashembullt shfaqjen piroteknike, duke u krijuar shikuesve mundësinë të lidhen me radio e smartphone për t’i dëgjuar simfonitë. Shkruhen enkas për të shoqëruar fluturimin e fishkezjarreve ngjyrylberi, që lëshojnë dritë-hije misterioze, në muzgun e artë romak, mbi konturet e shëtitores së lashtë, tejet të pasur me histori. Nuk munden, prandaj, të mos e ngacmojnë fantazinë e shikuesit.  

Art i dritës,  që mahniti shumë artistë

Është aq e bukur kjo shfaqje dritash e tingujsh, sa të quhet “Mrekullia e kohës”. Pati mahnitur, në rrjedhë shekujsh, shumë shkrimtarë të mëdhenj, të cilët patën fatin ta sodisin. Ndërmjet tyre, Dikensi, që e përshkroi në veprat e tij të famshme; e poeti romak Gioacchino Belli, që i kushtoi tingëllimat e tij. Pa kujtuar këtu piktorët, të cilët e përjetësuan në pëlhurë e muzikantët, që e treguan me tinguj.  Po kujtojmë vetëm një strofë të një kënge popullore, që shoqëronte simfoninë e fishkzjarreve:

Më 29 qershor Roma feston,

E  natën, sapo bie, e bën ditë,

Me drita fishekzjarresh i nderon,

Shenjtorët e vet, të veshur krejt me dritë!

29 qershor 2019, 14:51