Kërko

 Zeffirelli Zeffirelli 

Ndërroi jetë Zeffirelli: shumë e njohën Ungjillin, falë filmit të tij “Jezusi i Nazaretit”.

U shua, në shtëpinë e tij, në Romë, regjisori Franco Zeffirelli. Nesër, 17 qershor, trupi i tij do të vendoset në Campidoglio, për lamtumirën e fundit”. “Ciao Mjeshtër” - ky mesazhi, që lexohet në faqen e internetit të Fondacionit, me emrin e tij.

R. SH. - Vatikan

Dom Davide Milani, kryetar i Fondacionit Ente dello Spettacolo të Konferencës Ipeshkvnore Italiane, skicon me pak fjalë portretin e  Mjeshtrit të madh: “Të gjithë duhet të ndjehemi borxhlinj ndaj Tij”, pohon. Regjisor, skenarist, skenograf, Zeffirelli ndërroi jetë në moshën 96 vjeçare, në shtëpinë e tij, në Romë, pas një karriere tejet të gjatë, që e bëri të njohur në mbarë botën.

Të ndjekim  intervistën e dom Davide Milani-t me Luca Collodi-n e Vatican News:

“Duhet të jemi e ta ndjejmë veten borxhlinj ndaj Zefirellit, si Kishë, por edhe si italianë, si besimtarë e edhe si laikë. Falë filmit të tij “Jezusi i Nazarethit”, një pjesë e mirë e popullsisë nga 30 deri në 90 vjeç, krijoi një përfytyrim të paharrueshëm të fytyrës së Krishtit, njohu Jezusin, njohu Ungjillin. Nuk dihet sa njerëz e kanë lexuar Ungjillin, por dihet mirë  se shumë e njohin, falë veprës së pavdekshme të Zefirellit “Jezusi i Nazarethit”.

Don Davide Milani, nuk duhet harruar edhe “Vëllai Diell e Motra Hënë”, që e bëri po aq të njohur për filmdashësit, figurën e Shën Françeskut të Asizit…

“Po, një vepër tjetër e rëndësishme, krijim karakteristik i kinematografisë së Franco Zeffirellit, edhe pse Jezusi i Nazarethit është kulm i krijimtarisë së Artistit të madh. Risi në të gjitha drejtimet, evolucion edhe në filmin televiziv, që sot e quajmë seri televizive. Asokohe termi ishte shpërfillës, ndërsa sot është kinemaja më e ndjekur.  Në “Jezusi i Nazarethit” e edhe në “ Vëllai Diell e Motra Hënë”, vërejmë mënyrën thellësisht origjinale që përdor Zeffirelli për të treguar histori fetare, për të treguar Jezusin: bukurinë! Tregon bukur. Jezusi i Nazarethit është i bukur, Robert Powell është i bukur, të gjitha personazhet janë të bukura. Ndokush e kritikoi këtë mënyrë krijimi, duke arritur ta quajë “film vizatimor”, përpjekje estetizante për paraqitjen e një personazhi kaq të vështirë, si Jezusi, e kaq mahnitës, si Jezusi. Po Zeffirelli ia arriti qëllimit, sepse kishte aftësinë për konceptimin shpirtëror të veprës. E vërteta, e fismja, e drejta bashkëjetojnë, kur rrëfehen përmes bukurisë. Nuk ishte i bukur vetëm Jezusi, i rrethuar nga e keqja, nga e shëmtuara, edhe këto realizuar mrekullisht bukur në filmin, që shpreh një të vërtetë të jashtëzakonshme. E vërteta, që zbulohet, është e bukur e të bën të bukur! Kjo vlen edhe për Shën Françeskun, për “Vëllain Diell e Motrën Hënë”. Ka konceptim shpirtëror”.

Çfarë trashëgimi i lë Zeffirelli kinemasë italiane e ndërkombëtare?

Zeffirelli e bëri të madhe Italinë, posaçërisht jashtë Italisë. Duhej e njihej për vlerën e tij, posaçërisht jashtë vendit të vet, i cili më shumë e kritikoi, sesa e vlerësoi. Vërtet të vetmet çmime që mori, i mori në Itali. Mori disa “David”… Por çka e bëri me të vërtetë të madh, ishte miqësia me personalitete të rangut të lartë, që e formuan si mjeshtër të kinemasë  në Itali e në Botë! Jemi ende në kohë për një reflektim kushtuar veprës së tij, për ta kremtuar këtë Njeri të madh, këtë besimtar, këtë Mjeshtër të madh të kinemasë, që u formua nga mjeshtra të tjerë të mëdhenj e që lë pas një shenjë të pashlyeshme në kinema, në teatër, përgjithësisht, në kulturë. E jo vetëm në atë italiane. U nis drejt viseve, në të cilat kishte besuar gjithë jetën, duke lënë mbi dhe gjithçka të bukur krijoi në 90 vjet jete! Na takon të gjithëve! Njeriu ka shumë nevojë për artistë të mëdhenj e kryevepra, që të mund të shohë edhe të papashmen e të fisnikërohet. Për këtë i ndihmon të gjithë, Artisti, që jetoi ndërmjet artit e fesë - siç është shprehur ai vetë!

16 qershor 2019, 16:41