Lindja e Shën Gjon Pagëzuesit Lindja e Shën Gjon Pagëzuesit 

Lindja e Shën Gjon Pagëzuesit, dëshmitar i Krishtit, profet e martir

Shën Gjon Pagëzuesi qe dërguar për ti përgatitur udhët Mesisë, Jezu Krishtit Zot pranë popullit e atë për ta sjell tek Shpëtimtari, Mesia. Shën Gjon Pagëzuesi, njeri, që jetonte në shkretëtirë, predikonte e pagëzonte. Të gjithë shkonin ta takonin, edhe farizenjtë e doktorët e ligjit, por me ftohtësi, vetëm për ta gjykuar e për të mos e lënë të pagëzonte.

R.SH. - Vatikan

Kisha Katolike përkujton sot, 24 qershor, lindjen e Shën Gjon Pagëzuesit, profetit të fundit të Besëlidhjes së Vjetër e apostullit të parë të Jezu Krishtit. Kujtojmë se ai quhet “Pagëzuesi” pikërisht sepse pagëzonte me zhytjen në lumin Jordan, të gjithë ata që pendoheshin për mëkatet e bëra e dëshironin të fillonin një jetë të re në Zotin. Është shenjti i vetëm, të cilit sëbashku me Shën Marinë, liturgjia i kujton edhe lindjen, përveç vdekjes.

Përkushtimi ndaj tij është përhapur jashtëzakonisht si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim. Ishte viti 28 para Krishtit. Që prej 15 vjetësh në fronin e Romës sundonte Tiberi perandor. Sipas Shën Lukës ungjilltar, pikërisht në këtë kohë, nga stepat e Judesë, gjatë rrjedhës së lumit Jordan, u ngrit një zë i fuqishëm e i qartë: zëri i Gjon Pagëzuesit. Me Gjonin njihemi për herë të parë në Ungjillin e Lukës, i cili tregon sesi Kryengjëlli Gabriel e paralajmëroi babain e Gjonit, Zakarinë, një mbrëmje ndërsa po shërbente në tempull, se do t’i lindte një djalë.

Ungjilltarët e paraqesin Gjonin përmes përshkrimit të misionit të lavdishëm, që arrin kulmin me martirizimin e tij, në atmosferën e një feste të shthurur në pallatin e Herodit. Por skena kryesore, që na propozon liturgjia e sotme për Shën Gjon Pagëzuesin, përmes Ungjillit sipas Mateut, është ajo në të cilën vetë Krishti e larton Gjonin me shprehjen: “Përnjëmend po ju them: ndër ata që u lindën prej grash, nuk u ngrit asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi”.

Nga ana tjetër ndër ungjijtë vërehet njëfarë ngurrimi kur flitet për Gjonin, duke pasur parasysh se nxënësit e tij nuk donin të largoheshin prej mësuesit të tyre për të ndjekur Jezusin, ndërsa vetë Gjoni kishte pohuar se qe i padenjë edhe për t’i zgjidhur lidhëzat e sandaleve. E kjo sepse, siç pohon në Ungjillin e tij Shën Gjoni Ungjilltar duke përdorur simbolet e dhëndrit, të nuses e të mikut të dhëndrit, “Gjon Pagëzuesi nuk ishte drita, por duhet të bënte dëshmi për dritën”. Madje vë në gojën e Paraardhësit këto fjalë: “Unë nuk jam Krishti (Mesia) por jam i dërguari para tij. Kush ka nusen, është dhëndër. Dashamiri i dhëndrit, i rri pranë e e dëgjon zërin e dhëndrit. I tillë është, pra gëzimi im: arriti në kulm! Ai duhet të rritet e unë të zvogëlohem!”.

Shën Gjon Pagëzuesi qe dërguar për ti përgatitur udhët Mesisë, Jezu Krishtit Zot pranë popullit e atë për ta sjell tek Shpëtimtari, Mesia. Gjoni e tregoi të pranishëm në mesin e popullit pikërisht Qengjin e Hyjit, Shëlbuesin e njerëzimit që merr falë e shlyen mëkatet e botës dhe nga populli kërkonte përgatitje shpirtërore për ta përgatitur e pranuar Mesinë me fe. Për këtë Gjoni predikoi pagëzimin e pendesës e të kthimit të njerëzve tek Hyji.

Shën Gjon Pagëzuesi është padyshim profeti i fundit i Besëlidhjes së Vjetër, i rrethuar me aureolën e lumnisë (së bashku me Virgjërën Mari, është i vetmi shenjt të cilit, sipas kalendarit liturgjik, i kremtohet si lindja, ashtu edhe vdekja), por gjithsesi ai mbetet gjithnjë vetëm një gisht tregues i drejtuar nga Krishti, që është qendra e vërtetë e historisë së shëlbimit. Prandaj në poliptikun e elterit të Isenhaim-it, që ruhet në muzeun e qytetit alsasian të Kolmarit, piktori Matia Grunevald që e pikturoi veprën ndërmjet viteve 1512 e 1516, e vendosi Shën Gjonin tek këmbët e të Kryqëzuarit, me gishtin tregues të lartuar drejt Krishtit, i vetmi që duhet të “rritet” në fenë e në adhurimin e nxënësve të vet. Ndërsa piktori i famshëm italian, Karavaxho, me porosinë e Kalorësve të Maltës, që e kanë zgjedhur Shenjtin si pajtor, realizoi kompozimin e njohur në mbarë botën, ‘Kokëprerja e Shën Gjonit’.

24 qershor 2019, 10:58