Kryeministri i Kosovës takohet me kardinalin Pietro Parolin
R. SH. - Vatikan
Zoti Ramush Haradinaj, kryeministër i Republikës së Kosovës që nga shtatori i vitit 2017, u takua pak orë më parë, në Prishtinë, me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin. Ishte vetë zoti Haradinaj, që e dha njoftimin përmes faqes Facebook. Takimi, gjatë të cilit u bisedua për problemet e mprehta të paqes e të stabilitetit, u mbajt sot, në Muzeun e Kosovës, gjithnjë në Prishtinë. Zoti Ramush Haradinaj e quajti takimin shumë të përzemërt, duke shtuar: “Ndjehem i nderuar nga vizita e Hirësisë së Tij në Kosovë”. Për ta komentuar, më pas, ngjarjen si “dëshmi e angazhimit të përbashkët për vijimin e marrëdhënieve dypalëshe”. Kryeministri Haradinaj shtoi edhe: “Kosova e populli i saj qëndruan, në rrjedhë shekujsh, besnikë ndaj vlerave perëndimore e sot angazhohen për të ruajtur paqen, stabilitetin e lirinë fetare në vend. Ia ripohova - saktëson zoti Haradinaj - angazhimin Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Parolin, duke i shprehur edhe dëshirën tonë për ta çuar më tej këtë partnership e, njëkohësisht, i kërkova njohjen nga ana e Selisë së Shenjtë”.