Kërko

   Guillemette e Camille arrijnë në Jeruzalem Guillemette e Camille arrijnë në Jeruzalem  Historia

Jeruzalemi: 5 mijë kilometra, me ndihmë të Zotit!

Dy vajza të reja! Vetëm. Ecën më se 7 muaj, nga Parisi në Jeruzalem, pa asnjë dyshkë në xhep. Ishte shtegtim në kërkim të Zotit, plot me takime, duke zbuluar të tjerët e vetveten.

R. SH. - Vatikan

Aventura nisi në Paris. Camille Desveaux, në shqip Kamila Desvo, e pati në kokë këtë projekt që kur ishte 14 vjeçe: ëndërr në sirtar, të cilën nuk ia tregoi askujt. Tri vjet më parë, vendimi për t’ua treguar ëndrrën prindërve. Nuk hoqi shumë keq për t’i bindur, por duhej të kalonte ca kohë, para se të nisej. Në këtë kohë pritjeje, njeh, në universitet, Gulielmina dë Nortbecourt. Në shqip, Gulielmina Nortbekur. Ndërmjte dy vajzave nis një miqësi e ngrohtë. Kamila nuk ia tregon ëndrrën, derisa kryejnë studimet e marrin një apartament të përbashkët. “Në të njëjtën periudhë, edhe unë isha në kërkim të absolutit, kisha etje për  Zotin”. Përgjigjja e Kamilës qe providenciale. Ideja  e këtij shtegtimi doli në dritë falë një prifti: don Louis Hervé Guiny: Kamila nuk dyshon aspak se gjatë këtij shtegtimi do ta shuajë etjen e saj shpirtërore, por projekti nuk qe menduar për dy veta. U duhet një javë kohë për të reflektuar…

Mesha në Notre Dame de Paris, ditën e nisjes
Mesha në Notre Dame de Paris, ditën e nisjes

Shën Maria e Parisit

 

E hënë. 10 shtator 2018. Ora 8.00 e mëngjesit. I  kërkojnë priftit, mikut, që e shoqëroi shpirtërisht ëndrrën, të kremtojë një Meshë para nisjes. Rreth altarit, familjet, tri motrat e Kamilës e katër, nga dhjetë vëllezërit e Gulielminës. Në përfundim të Meshës, ndjekur nga sytë e përlotur e pakëz të shqetësuar të familjarëve, nisja!

Kalojnë 4 ditët e para jo shumë larg nga Parisi. Etapat janë të programuara. I kalojnë në shtëpitë e miqve e të të njohurve. Nuk e dinë akoma ç’i pret gjatë kësaj aventure. Mëngjesin e ditës së parë nuk kanë as një gjysëm euro në xhep. “Edhe këtë e kishim menduar” - thotë Guljelmina - “dëshironim të zhvisheshim nga gjithçka e të lëshoheshim plotësisht në dorë të Zotit, sepse ishte pikërisht Ai, që na nxiti ta bëjmë këtë shtegtim. Ai shtegtonte me ne! E me Të bashkë, arrijnë në një fshat të vogël, në zonën e Loiret. Shikojnë një kështjellë. “Duhet të jetë përplot me dhoma të lira”- mendojnë - e trokasin në portën e saj vigane.

Camille, bashkë me Veronique, e para që i hapi shtëpinë
Camille, bashkë me Veronique, e para që i hapi shtëpinë

Përulja e lypësisë

 

Kanë kaluar vetëm katër ditë e sapo ka nisur e pesta. Është hera e parë që shtegtaret tona kërkojnë strehë në një shtëpi të huaj. Provojnë përuljen e lypësisë. Por janë të vendosura për ta provuar edhe këtë, prandaj as që u shkon në mendje të heqin dorë. Trokasin, pra. Por porta e rëndë e kështjellës nuk u hapet. Ecin. Një trokitje tjetër, tek një zemër, që u hapet. E mbeten të mrekulluara nga mirësia e asaj zemre. A më mirë, atyre zemrave, që jetojnë pas portës. “Mësuam shumë nga këto takime. Nganjëherë njeriu fshihet në fund të zemrës së vet, e i duhet mësuar rruga për të dalë - mendon Kamila. Quhet Veronika, ajo që ua hap zemrën dhe portën. Madje arrin deri atje, sa t’i lërë vetëm, si në shtëpi të vet,  dy vajzat, mbasi kishte programuar të shkonte në një shfaqje. Kamila e Gulielmina bujnë atë natë nën këtë strehë mikpritëse. Të nesërmen, pasi hanë mëngjesin, rrinë edhe pak, për ta njohur më mirë të zonjën e shtëpisë mikpritëse. Është e para, nga lidhjet e panumërta, që do të krijojnë nëpër  shtigjet e botës së madhe, ku do të vijojnë të shkelin, e të trokasin…Një mbrëmje, si kishin kaluar Zvicrën, Alpet italiane, Slloveninë e Kroacinë, arrijnë në  Bosnjë-Hercegovinë, ku mikpriten nga Pjetri, një serb 80 vjeç, me një jetë të gjatë e të mundimshme mbi shpatulla. Nuk di gjuhë tjetër, veç serbishes. E bija, Sllavica, bëlbëzon ndonjë fjalë anglisht. Aq sa u duhet për t’u marrë vesh. E për t’ua hapur derën e shtëpisë.  Na lëshuan një krevat tek - shpjegon Kamila.- Pastaj - vijon - “Të nesërmen, në zgjim,  pamë se plaku na kishte lëshuar krevatin e tij e vetë ishte shtrirë në divan. Nuk e di nëse do të kisha qenë e zonja të bëja të njëjtën gjë, për dy të huaja, mbirë në portën time drejt nga rruga!”.

Hapat e para në borën e Bosnjës
Hapat e para në borën e Bosnjës

Dimri ballkanik

 

Babai i Gulielminës, ushtarak, i kishte paralajmëruar vajzat të ruheshin nga dimri i ashpër ballkanik. Rastësisht, në periudhën e shtegtimit të tyre ndërmjet nëntorit 2018 e shkurtit 2019, koha qe e butë: asnjëherë nën 12°.  E për fat të tyre, peizazhet mahnitëse ndiqnin njëri-tjetri aq, sa të linin me gojë hapur nga bukuria. “Në Bullgari, për shembull. Kaluam një ditë me këmbët në dëborë e kokën në diell! Peizazhet, që na hapeshin para sysh, na i lartuan zemrat. Nuk mund të mos zhyteshim në kundrim e të mos e falënderonim Zotin, për çka na shikonin sytë tanë të mahnitur”.

Me gruan e Rustemit, kryeplakun e Kocahidir, Turqi: na jep pizhamat e saj për natën
Me gruan e Rustemit, kryeplakun e Kocahidir, Turqi: na jep pizhamat e saj për natën

Turqia

Ndryshimet kulturore mund t’u krijojnë edhe ndonjë problem dy vajzave,  që shtegtojnë, të shoqëruara vetëm nga çantat e shpinës prej 10 kilogramësh. Mbathur me këpucë që nuk u tremben ckërkave. Dy vajza vetëm mund edhe të keqkuptohen. “Na morën për rrugaçe - vijon të tregojë Guljelmina. Na u desh të silleshim ndryshe e të mos i buzëqeshnim të gjithë njerëzve që takonim”. Lamtumirë - përkohësisht - buzëqeshjes së keqkuptuar! Mësuam se edhe buzagazi mund të jetë i rrezikshëm”. Ishte çasti më i errët i epopesë së tyre, ndonëse në Turqi do të gjenin një mikpritje të jashtëzakonshme.

Në Samaila të Serbisë, ku popi i strehoi pë Krishtlindje
Në Samaila të Serbisë, ku popi i strehoi pë Krishtlindje

Kishat, vende mikpritjeje

 

Gjatë shtegtimit u ndaluan në një mori kishash. E nuk gjejnë fjalë për ta përshkruar mikpritjen, që shijuan në kishat katolike të Francës e të Italisë, në ato protestante  të Zvicrës e ato ortodokse, më tej, gjatë udhëve pa fund drejt cakut të ëndrrës. “Sa herë u trokitëm në portë jetuam me të vërtetë kulturën e mikpritjes”. Nga Serbia - në Greqi! E mbasi pengesa e gjuhës shpesh bëhej e pakapërcyeshme, duke mos mundur t’i mikprisnin vetë, popat ortodoksë i pajisën me letra rekomandimi, në të cilat shpjegonin projektin e tyre, të çuditshëm, natyrisht, por tejet joshës për shpirtin e njeriut. Këto letra qenë një lejekalimi e vërtertë!

Edhe në fshatrat myslimane gjetën të njëjtën mikpritje. E pothuajse gjithnjë pas portës së kryetarit të fshatit, ku trokisnin së pari. Ose në familje të besueshme, që ai i njihte mirë, sepse anëtare të bashkësisë. Ku gjetën gjithnjë bukë e krypë e zemër! Gjatë 248 netëve të shtegtimit, nuk mbetën kurrë pa çati mbi kokë!

Caj në Sülekler, Turqi, bashkë me një familje që priste dru
Caj në Sülekler, Turqi, bashkë me një familje që priste dru

Humanizëm, në të gjitha fshatrat

Është filli i kuq i të gjitha aventurave të tyre! Kamila e Gulielmina kanë një smartphone të vetëm, për t’u nisur ndonjë mesazh prindërve, që të mos shqetësohen - nga ky shtegtim kaq i shqetë.  Në udhëtim e sipër, lista e të njohurve në telefonin e tyre vijon të zgjatet e lidhjet e krijuara me njerëzit e takuar, të shndërrohet në një mbështetje të përditshme. Bombardim mesazhesh - thotë Gulielmina. - “Këta njerëz na mikpritën e nuk kishim sesi të mos u përgjigjeshim. E iu përgjigjem, edhe pse kjo e donte pakëz kohë. E kur na lëshonte zemra, e ndjenim se mesazhet e këtyre njerëzve na  jepnin guxim! Për ditë niseshim me një orë vonesë, në krahasim me sa kishim planifikuar: një miqësi e re na mbante e vijonim të flisnim. Takuam njerëz të jashtëzakonshëm. Shumë  - thotë Kamila - e sytë e saj janë plot me fëtyra e me kujtime. Kanë qindra foto nga këto takime e mund të na i tregojnë të gjitha. Nuk e harrojnë asnjërin!  

Ditët e gjata, në ecje
Ditët e gjata, në ecje

Zbulimi i vetvetes

 

Të nisesh me një mike e të kalosh së bashku 24 orë, për 7 muaj, domethënë të përballosh rrezikun e ndarjes. Që kur u nisën, më 10 shtator,  patën rast të njiheshin me fund: të zulonin vetveten e tjetrën. “Nuk e dija se isha tepër krenare, për të mos thënë mendjemadhe” - pranon Gulielmina. “E kjo shkaktoi edhe tensione ndërmjet nesh. U grindëm. E gjithnjë për punë boshe”. Kamila kujton njërin nga sherret më të mëdha e, njëkohësisht, edhe më  qesharak. Ishin në Itali: “Duhej të vendosnim ta kalonim një lumë në këmbë apo mbi urë. Lumi nuk ishte i thellë, ndonëse nuk i dukej fundi. E aty ishte një italian, që na këshillonte ta kalonim mbi urë”. Mirëpo ura ishte dy kilometra më tutje e Kamila nuk donte të bënte devijime; ndërsa Guljelmina ngulte këmbë ta kalonin urën, sepse kështu i dukej më mirë. E tani, kur e kujtojnë këtë sherr të kotë, qeshin me lot. Ngaqë e kuptojnë se grindja, për mustaqet e Çelos, ishte krejt e kotë. U grindën edhe herë të tjera, zakonisht kur ishin të lodhura fizikisht e shpirtërisht. Por, si i kaluan këto prova, sot janë shoqe të pandara.

Male në Turqi
Male në Turqi

Afër Tokës Shenjte

Duke lënë pas Serbinë, e para se të hynin në Turqi, kaluan përmes Bullgarisë. E dinin, që kur lanë Parisin, se Siria, në luftë, ishte e pakalueshme. Iu desh ta ndërprisnin udhën në këmbë e të merrnin avionin. U nisën nga Adalia,  për të arritur në Republikën e Qipros së Veriut. Nga ana e ishullit, që nuk njihet prej bashkësisë ndërkombëtare e kontrollohet nga turqit. Nisin rishtas udhën e, me të, edhe ritin e  tyre; troktjen në porta, për të gjetur strehë. Nga Larnaka rimarrin avionin drejpërdrejtë për Tel Aviv. Zbresin 40 kilometra larg Jeruzalemit: objektivi, që shndrit prej  shtatë muajsh në fund të shpirtit të tyre, këtë herë është fare pranë. I këshilluan të hyjnë në Qytetin Shenjt nga Mali i Ullinjve, në lindje. Nuk ngurrojnë të përballojnë edhe ndonjë ditë  ecjeje  e vendosin t’i sillen rreth e rreth Jeruzalemit, nga jugu. Arrijnë në Betlehem. Të lodhura, por tejet të kënaqura. Rijetojnë jetën e Krishtit, duke filluar nga grazhdi. Pikërisht për këtë qenë nisur nga Parisi: për këtë takim me Jezusin!

Pamja e Jeruzalemit
Pamja e Jeruzalemit

Jeruzalemi

Kamila e Gulielmina kishin lënë pas shpine 215 ditë udhë, 25 deri në 35 km në ditë, me ndonjë ditë pushimi ndërmjet, për t’i rifituar forcat. Ngjitja mbi Malin e Ullinjve, duke arritur nga lindja, nuk është e gjatë, por e përpjeta, thik, mjaft e lodhshme. Nuk e shohin akoma Jeruzalemin, por janë përgatitur për këtë takim, para se të dukej para tyre, me gjithë misterin e vet. Të dyja e vizitojnë për herë të parë Tokën Shenjte. Arrijnë tek Kapela e të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, mbi Malin e Ullinjve, kalojnë xhaminë, pastaj Kishën e Atynës e, para tyre, ai, që e prisnin prej shtatë muajsh: Jeruzalemi. Mahnitës! Në plan të parë duket Mauzoleu i Omarit  mbi Malin e Tempullit, një shesh vigan që zë 1/6 e Qytetit të Vjetër. Ndalen një çast e brohorasin “Më në fund!”. Nisin menjëherë zbritjen në drejtim të Jeruzalemit. Ndalohen disa çaste tek varri i Marisë, pranë Shpellës së Gjetsemanit, ku Krishti qe tërhequr në lutje së bashku me të tijtë. Ku u tradhtua. E ku u arrestua. Rikthehen në Qytetin e Vjetër, përmes Suk, ringjiten në Udhën e Dhimbshme,  deri te Varri Shenjt e, duke dalë nga Porta e Herodit, më në fund i shkarkojnë çantat e shpinës  te Shkolla Biblike. Domenikanët i presin me dashuri të jashtëzakonshme. Është data 13 prill 2019. Kanë bërë 5.000 kilometra udhë, faleminderës Zotit: tani mund të prehen!

Në kopshtin e Shkollës Biblike flejnë nën një çadër, që domenikanët e përgatisin enkas për to. Qeshin… Nga nisja e tyre prej Parisit, nuk kanë fjetur kurrë jashtë. Domenikanët kujdesen për ta 10 ditë me radhë. Janë të lume. Shkëlqejnë nga një gëzim ngjitës, që përhapet rreth e rreth këtyre dy vajzave, që ishin aty në kërkim të Jezusit!

Me të zezë, rruga e përshkuar nga vajzat
Me të zezë, rruga e përshkuar nga vajzat

Jeta më pas

 

Nuk u shqetësuan për asnjë çast duke menduar ç’do të ndodhte më pas. Ia besuan plotësisht veten Provanisë hyjnore. Nga Parisi - në Jeruzalem. Dëshironin vetëm ta ruanin këtë afërsi me Zotin në jetën e përditshme. Në Paris, në përfundim të kurseve të tyre universitare, patën gjetur punë. Kamila, në mbledhjen e fondeve evropiane për të mbështetur sipërmarrjet franceze. Gulielmina, infermiere në Shoqatën Perce-Neige, që merrej me njerëz të gjymtuar rëndë. Por, për ta bërë këtë udhëtim, e lanë punën e tani nuk e dinë ç’do të bëjnë, kur të rikthehen në Francë. Por ama e dinë mirëfilli se diçka do të bëjnë! Sido që të ndodhë, jeta e tyre nuk do të mund të vijojë pa Zotin! Thua të ketë kaluar ky shtegtim kaq i jashtëzakomshëm, pa ngjallur një thirrje në shpirtin e tyre? Nuk i dihet! “E rikujtoj shpesh Pjetrin, serbin 80 vjeçar, që më pati lëshuar krevatin e tij - thotë Kamila. Nuk dëshiroj gjë tjetër, veçse  të jem e aftë për një bujari kaq të madhe”.

Camille e Guillemette

Kamilë, ç’të mbeti në mendje nga shtegtimi juaj?

-         Dëshiroj  të them se më mbeti besimi në lëshimin e plotë në dorë të Zotit dhe vetëdija e pranisë së Tij! Është diçka që i jep jetës njerëzore  dritën dhe përsosurinë, i jep kuptimin e saj të plotë. Kuptim, i cili shkon përtej kufijve të jetës! Një jete, që ia vlen ta jetosh!

Gulielmina?

-         Përsa më përket, mbeta e prekur thellë nga këto peizazhe, vepër  krijuese e Zotit, gjatë gjithë shtegtimit; ishin me të vërtetë burim mahnitjeje; e po ashtu edhe të gjithë njerëzit, që takuam, parë edhe ata si krijesa të Zotit - që e besojmë.  Të cilat nuk i pëkasin vetvetes, por Atij, që i krijoi e i mban në jetë. E, së fundi, duke e pasur parasysh këtë,  shihet edhe kryevepra e duarve të Zotit!

Kamila - Gulielmina, 5000 km në këmbë…

-         Po pak a shumë, nuk i numëruam saktësisht…

A do të shtegtonit përsëri së bashku?

-         Sigurisht

-         Po, së bashku?

-         Po, natyrisht

-         Do t’i bëjmë rishtas, së bashku!

06 qershor 2019, 16:33